Nga Anri Bala
Nëse komunizmi jetoi gjatë, ky nuk ishte faji i jonë, por i kohës që na tradhëtoi, duke mos na lejuar të gjendeshim aty ku na takonte, në krahun e fitimtarëve, që na lidhnin shumë gjëra gjenetike, historike, tradicionale dhe shpirtërore dhe jo të atyre “fitimtarëve”, që na kohëra të ndryshme, na kishin bërë të zeza dhe gjëma, që duhen shekuj t’i zhbëjmë.
Kurse sot, kërkojmë të ndryshojmë dhe kemi kohë që përpiqemi me brekë nëpër këmbë të kapim ata që na janë larguar dhe vështirë e kanë të kthehen, ose më e pakta të na presin.
A e dini pse, sepse ne nuk drejtohemi nga lider, por shtyhemi nga langonj karrigesh pushteti, qënie me dy këmbë të markës “Made in Albania”, me një rezistencë të pabesueshme, ndaj çdo goditje që marrin dhe me një besim të pakufishëm te vetja, se do ta arrijnë qëllimin e tyre, me mjete nga më të paimagjinueshmet, sipas aksiomës: Qëllimi e justifikon mjetin!
Mirëpo, e keqja nuk është ekzistenca e kësaj kategorie, por përkrahja që i japim ne si popull, vetëm sepse gënjeshtra e tyre i kalon kufijtë e realitetit dhe thuhet aq shumë dhe aq bukur, sa dhe ata që e kanë sajuar tashmë, e besojnë edhe vetë… si të vërtetë.
Kjo më bind, se ky vend me këto shërbëtorë të kuq dhe blu… nuk ndryshon! Vetëm nëse një ditë do të dominoi raca… pa ngjyrë, që me dhimbje duhet ta pranojmë, se është e pamundur.
E pamundur, për sa kohë do jemi të lëkundur në shilarset e politikës, ku “politiqenët”, ëndrrat e tyre i kanë ngritur si kurthe “kafshësh të egra”, e megjithëse e kemi pësuar disa herë, ata prapë na kapin… sepse nuk kemi ndërmënd t’i ruhemi lakut.
Ndaj, për momentin duhet të lutemi: Zot, na ruaj nga raca shqiptare e “langonjëve” të pushtetit dhe shërbëtorëve të tyre!/Ekskluzive.al