Kosova dhe Serbia u morën vesh të enjten për të ulur tensionet në veriun e Kosovës, që pasuan vendimin e qeverisë në Prishtinë, për të vendosur masën e reciprocitetit për përdorimin e targave të makinave.
“E kemi një marrëveshje. Pas dy ditë negociatash intensive, një marrëveshje për shtensionimin e dhe rrugën përpara sapo është arritur. Falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviçin për gatishmërinë e tyre për të negociuar dhe pajtuar për të mirën e njerëzve”, tha i dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Sipas marrëveshjes trepikëshe, të shtunën me 2 tetor njëkohësisht do të ndodhë largimi i barrikadave dhe i njësive të posaçme të policisë nga vendkalimet kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe. Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja do të sigurojnë vendkalimet kufitare për dy javë.
Nga data 4 tetor, do të zbatohet vënia e fletë ngjitëseve në targat e makinave deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare.
Një grup punues që do të fillojë nga puna më 21 tetor do të punojë për një zgjidhje të përhershme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkroi në rrjetet sociale se “reciprociteti i targave të automjeteve është vendosur. Meqë targave të Republikës së Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim, do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u shpreh i kënaqur me siç tha, kompromisin për uljen e tensioneve në veriun e Kosovës.
Diplomatët perëndimor mirëpritën marrëveshjen e së enjtes. I ngarkuari me punë në ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas Giacobbe, tha se kjo dëshmon që riangazhimi në bisedime sjell përfitime për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë.
Ambasadori amerikan në Beograd, Anthony Godfrey e cilësoi marrëveshjen “lajm të shkëlqyeshëm. Gjithçka është e mundur nëpërmjet bisedimeve serioze dhe me përkushtim”, shkroi ai.
Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se pas kësaj marrëveshjeje, “Kosova dhe Serbia duhet të përfshihen në mënyrë konstruktive në bisedime për të arritur përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve” ndërmjet tyre.
Marrëveshja e sotme pritet t’i jap fund situatës në veriun e Kosovës, ku grupe qytetarësh serbë tash e njëmbëdhjetë ditë me radhë po mbajnë të bllokuara rrugët që shpiejnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë për targat e makinave.
Nga 20 shtatori, makinat që hyjnë nga Serbia në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj sikundër veprohet ne Serbi me makinat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet me radhë.
Qeveria e Kosovës dërgoi njësitë e posaçme në veri për të mbështetur zbatimin e vendimit të saj.
Beogradi reagoi me zemërim dhe njoftoi ngritjen e gatishmërisë ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kërkoi tërheqjen e njësive të posaçme të policisë nga veriu i Kosovës dhe anulimin e reciprocitetit për targat e makinave.
Prishtina tha se është e gatshme të heqë dorë nga targat e përkohshme, nëse Beogradi vepron njësoj, ndërsa akuzoi Serbinë për nxitje tensionesh.
Forcat paqeruajtëse të NATO-s, thanë të mërkurën se “në përgjigje të zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës, misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO-ja, ka shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet dhe ka vendosur njësi në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak”.
Qeveria e Kosovës ishte pajtuar me ofertën e komandantit të forcave paqeruajtëse Franco Federici që trupat e KFOR-it të sigurojnë vendkalimet kufitare me Serbinë, në shkëmbim të largimit të barrikadave dhe njësive të posaçme të policisë së Kosovës.
Por, oferta ishte refuzuar nga përfaqësuesit e Listës Serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës./VOA