Inspektori i Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë ka nisur një hetim ndaj Agjencisë amerikane të Luftës Kundër Drogës, DEA.
Hetimi po bëhet për të zbuluar nëse ka nënshkruar kontrata me vlerë prej miliona dollarësh në shkelje të rregullave dhe pa konkurrentë, me qëllim punësimin e bashkëpunëtorëve të mëparshëm të shefes së saj, Anne Milgram.
Kështu shkruan “Associated Press”, që për pohimet e saj citon burime të afërta me hetimin. Zyra e Inspektorit është duke verifikuar 4.7 milionë dollarët e shpenzuar nga DEA për “planifikimin dhe komunikimin strategjik”, me dyshimin se në fakt, po synohej punësimi i individëve të cilët Milgram i njihte nga koha kur ishte Prokurore e Përgjithshme e Nju Xhersit dhe profesoreshë e drejtësisë në Universitetin e Nju Jorkut.
Disa nga personat e kontraktuar janë pjesë e rrethit të ngushtë të saj, përgjegjës për analizën e të dhënave, kontaktet me komunitetin dhe marrëdhëniet me publikun dhe paguhen shumë më tepër se zyrtarët qeveritarë. Në lupën e hetuesve është edhe një kontratë me vlerë 1,4 milionë dollarë, e cila i është dhënë një kompanie ligjore në Uashington, për të shqyrtuar operacionet e DEA-s amerikane në vendet e huaja, të pllakosura nga skandalet, një raport që është kritikuar gjerësisht për shkak se nuk ka analizuar në detaje shkeljet nga agjentë të saj.
Bashkautor i raportit ishte pikërisht Boyd Johnson, ish-krahu i djathtë i ish-prokurorit të Manhatanit, Preet Bharara, një prej miqve të ngushtë të Miligram. Nëse në fund të hetimeve do të rezultojë se ka patur shkelje, Inspektori i Përgjithshëm mund të rekomandojë çdo masë, nga sanksionet administrative deri tek ndjekja penale.