Zbardhet letra shantazhuese e presidentit Ilir Meta ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Të premten, Dvorani deklaroi se në 31 gusht 2019 Meta i kishte dërguar një letër, ku i kërkonte llogari për skualifikimin e një kandidateje për në Gjykatën Kushtetuese.
Gazeta ka siguruar letrën në fjalë, e cila tregon se si presidenti po bën ç’është e mundur për të emëruar të besuarit e tij në Gjykatën Kushtetuese. Kandidatja në fjalë, pas skualifikimit iu drejtua Gjykatës Administrative, e cila e kthehu në garë, por KED sërish e përjashtoi. Kjo e ka alarmuar presidentin, i cili jo vetëm ka shantazhuar KED, po është ankuar edhe në Komisionin e Venecias për këtë kandidate.
Në letër duket qartë se Meta i kërkon llogari Dvoranit se po skualifikon njerëz të aftë. “Kjo gjendje emergjence e krijuar subjektivisht për shkak të bllokimit dhe mosfunksionimit të Këshillit përgjatë viteve 2017-2018, nuk mund të tolerojë faktin që KED-ja aktuale, për çështje të caktuara të bëjë interpretime të zgjeruara dhe krijuese, përtej kompetencave që i parashikon Kushtetuta dhe ligji, sidomos po të mbahet parasysh që kërkesat e organeve të emërtesës për plotësimin e vendeve vakante daton që prej muajit shkurt-mars 2018”, thuhet në letër. Më tej kreu i shtetit justifikohet se kandidatja që është skualifikuar nga KED ka cilësi të lartë morale dhe profesionale për të qenë anëtare e Kushtetueses. “Këshilli i Emërimeve në Drejtësisë duhet t’u përmbahet kërkesave të Kushtetutës dhe ligjeve për të garantuar organet e emërtesës (Presidentin, Kuvendin, Gjykatën e Lartë), si dhe gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë se kandidatët e verifikuar, kualifikuar, vlerësuar dhe të listuar prej tij kanë cilësitë më të larta profesionale dhe morale për të qenë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese apo dhe Inspektor i Lartë i Drejtësisë.
Presidenti i Republikës vlerëson të sjellë në vëmendje të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi se për rolin dhe rëndësinë që ka Gjykata Kushtetuese në mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës, është e nevojshme që kjo hallkë e rëndësishme dhe unike e drejtësisë kushtetuese të jetë sa më shpejt funksionale”, thuhet në letër.
Presidenti Meta po bën çmos që të emërojë në Gjykatën Kushtetuese njerëzit e tij më të besuar. Në të dyja vakancat e shpallura nga ai, për vendin e lënë nga Besnik Muçi dhe Fatos Lulo, kandidatja ka shprehur sërish interes, edhe pse u skualifikua dy herë nga KED. Duke qenë se organi i emërtesës nuk po e përzgjedh të besuarën e Metës, ai ka shpërthyer në sulme të forta dhe shantazhe në drejtim të Dvoranit.
Largimi i njerëzve të tij nga drejtësia
Por pse gjithë ky insistim nga ana e presidentit për të emëruar në Kushtetuese kandidaten e tij të besuar? Në kushtet kur mazhoranca po heton shkeljet kushtetuese të kryera nga Meta, është Gjykata Kushtetuese ajo e cila do të japë fjalën finale për ta shkarkuar. Në këtë mënyrë, Meta po bën të pamundurën që të krijojë armatën e tij, për ti shpëtuar shkarkimit. Por një tjetër arsye që ka alarmuar Metën është shfarosja e njerëzve të tij dhe të Berishës nga sistemi i drejtësisë. Shumë gjyqtarë dhe prokurorë që kanë qenë “krahu i djathtë” i Metës dhe Berishës kanë dalë nga sistemi i drejtësisë, pasi kanë ngelur në veting. Por edhe ata që e kanë shpëtuar nga blloku i famshëm i aferës 700 mijë euro janë larguar nga kupola e drejtësisë dhe i vetmi nga gjyqtarët që ka ngelur është Ardian Dvorani. Por i vetmi organ që i ka ngelur për tu kapur është Gjykata Kushtetuese dhe po përdor të gjitha tentativat për të pasur sërish duart në sistemin e drejtësisë./SOT/ELISJEDA KIKO