Nga Anri Bala
Nuk e di a e patë se si kryeministri i bëri “zap” grosistët e naftës? Me një fjalë u mundua i shkreti, tamam siç ua “mblodhi” para ca kohësh atyre të miellit, me kërcënime e gjoba, që në fund as në letër nuk mbetën, se edhe letra u përdor… nga shtrenjtimi i letrës higjenike!
A i patë se si u drodhën furnitorët e naftës, e ndryshuan menjëherë çmimin…? Në fakt edhe ky është spekulim, sepse masat e marra nga qeveria nuk kanë nisur ende dhe Bordi Kombëtar i famshëm, që do të na sjell ndryshimin e madh as që ka nisur punë.
Çmimet ndryshuan, sepse protesta mori vëmendjen e Edi Ramës, e atij që deri dje nuk ndërhynte dot në treg, e sot tregon të kundërtën, atë që e dinim të gjithë, se shteti nuk kryqëzon duart kur dhunuesi ngre shkopin!
Por pas përpjekjes titanike të bërë dje, sot doli e i ra me shkelm kovës së qumështit duke thënë disa të pavërteta sërisht, me një ton mallëngjyes të zërit, që për pak sa s’na bëri të qajmë.
Taksat e naftës nuk do të hiqen tha kryeministri dhe këtë s’ka protestë që e zhbën, sepse nëse hiqen, shqiptarët nuk e paguajnë dot çmimin e kripur të krizës energjitike. Praktikisht Rama pohon se jemi të falimentuar, për sa kohë barra financiare është aq e rëndë sa shteti të vendos shkelmin në grykë, se vetë e ka lakun në fyt.
A e dini pse taksa e karburantit ka qenë gjithmonë për qytetarët një shkelm në grykë, sepse qeveria na ka grabitur me lezet përmes kësaj takse, që shkon gati 2 herë sa vlera e produktit, si në kohë lufte dhe në kohë paqeje.
I revoltuar Zoti Rama deklaroi se ne paguajmë taksat më të lira në rajon, gjë që nuk është aspak e vërtetë por një gënjeshtër e turpshme. Më i turpshëm ishte kapitullimi publik përball grosistëve, kur u deklarohet për t’i trimëruar përballë ligjit, se shteti ishte i pafuqishëm të ndërhynte në lëvizjen e çmimit në biznesin e tyre.
Kjo e përkthyer shqip-shqip do të thotë, se tashmë grosistët e karburanteve me plot të drejtë duhet ta meritojnë emrin e oligarkut, përderisa bizneset e tyre nuk i kap radari i qeverisë dhe se vendi, ekonomia duhet të zgjasin dorën për lëmoshë dhe të presin nga zemërgjërsia e tyre, duke qenë se qenkan në mëshirë të fatit nga ata që i drejtojnë.
Megjithatë, bëri mirë… e kuptoi gabimin e ndryshoi mendje, duke i thirrur e kërcënuar me mbyllje biznesesh dhe tralalat, por kam frikë se nuk do ta dëgjoi askush, megjithëse tundën kokën për të të bër qejfin, ashtu siç e tund tabori i zyrtarëve, që nuk bëjnë asgjë por… zhvasin gjithçka.
Një pyetje më mundon: A mundesh ti t’i lehtësosh shqiptarët pa ndihmën e këtyre rrufjanëve në këtë kohë të vështië, se qeverinë as që e pyet ti, por edhe nëse do e pyesje do të gënjenin, ashtu siç vazhdojnë të na gënjejnë edhe ne… çdo ditë?!
Por, pa u lodhur dhe munduar, që edhe ne të na e heqësh dyshimin dhe merakun, por edhe vetë të lirohesh nga akuzat populiste se ju dhe qeveria që ju drejtoni, po i “vidhni” shqiptarët me largëpamësi… deri në vitin 2047, e keni një shembull real, fqinjët tanë.
Kjo që mund të bëni është e lehtë fare, sepse ne nuk duam as mëshirë dhe as naftë e benzinë të lirë, por shtrenjtë… ama me taksim sa fqinji dhe bashkëkombas i im! Atëherë na ke larë borxhin dhe mbyllur gojën e protestës pa motiv!/Ekskluzive.al