Ambasadorja Amerikane i bën edhe njëherë thirrje Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, të rikontrollojnë listat e tyre të deputetëve, në mënyrë që në shtator, në karriget e parlamentit, të ulen njerëz që do të përfaqesojnë denjësisht shqiptarët. Këtë deklaratë shefja e diplomacisë amerikane në Tiranë, e ka bërë me anë të nje editoriali të botuar në gazetën ‘Panorama’.
“Do të kërkoj që Edi Rama, Lulzim Basha si dhe udhëheqës të tjerë të kontrollojnë listat edhe njëherë për t’u siguruar që kur të kthehen në Parlament, njerëzit të mund të jenë krenarë për përfaqësuesit e tyre. Po ashtu, kërkoj që palët të ngrihen mbi interesat e tyre partiake, të gjejnë mënyrën për të arritur kompromis dhe të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për një kauzë më të lartë, për të ardhmen e Shqipërisë”.
Ambasadorja Yuri Kim pohon se nga takimet që ka bërë me shqiptarë në zona të ndryshme të vendit, ka kuptuar se atyre iu ka ardhur në majë të hundës me metodat e vjetra dhe duan ndryshim të vërtetë.
“Shqiptarët duan fundin e korrupsionit; duan një sistem drejtësie ku askush nuk është mbi ligjin; duan që kriminelët të qëndrojnë jashtë qeverisjes dhe politikës; duan një vend që i josh të rinjtë të qëndrojnë për shkak të mundësive; duan një vend që ecën përpara, jo prapa”.
Futja e opozitës në parlament për ambasadoren është një lajm i mire, por ajo kërkoi që parlamenti i ri të adresojë rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR për 25 prillin dhe siguroi se SHBA, është e gatshme të japë kontributin e saj, për zgjedhje të lira e të ndershme.
“Zgjedhjet e 25 prillit ishin të mira, por jo të përsosura dhe Shtetet e Bashkuara presin me kënaqësi që të punojnë me shumicën dhe opozitën në Parlament, për të trajtuar problemet e përsëritura në zgjedhje teksa ato angazhohen në punë serioze dhe ndërpartiake për të siguruar që zgjedhjet e ardhshme të plotësojnë standarde më të larta.