Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka dhënë një mesazh për qytetarët, të cilëve i thotë se kjo kohë kërkon durim, kurajo, vetëizolim të plotë dhe zbatim të rregullave të përcaktuara nga mjekët.
Mediu falenderon mjekët dhe infermierët nga zemra dhe i kërkon qeverisë që t’i garantojë atyre të gjitha pajisjet mbrojtëse.
Politikani thekson se çdo mjek i rrezikuar sjell me qindra qytetarë të rrezikuar apo pa ndihmë. Ai deklaron se ajo çka po ndodh në Itali dhe Spanjë, apo Shtetet e Bashkuara duhet të bëhet një mësim për ne si qytetarë por dhe për qeverinë dhe veçanërisht kryeministrin Edi Rama.
Çdo qeveri, çdo ditë komunikon me transparencë me qytetarët e vet, duke ju përgjigjur çdo shqetësimi të qytetarëve dhe gazetarëve. Presidenti Trump, Kryeministri Boris Johnson e shumë liderë të tjerë në të gjitha daljet publike kanë në krah mjekët dhe specialistët.
Qeveritarët flasin për mbështetjen me të gjithë infrastrukturën e nevojshme mjekësore që kërkohet ndërsa mjekët dhe specialistët për mënyrën e parandalimit, zbutjes apo kurimit të të infektuareve. Distancimi social, izolimi, mbështetja ekonomike e qytetarëve dhe bizneseve janë politikat që po bën Amerika, Gjermania, Spanja. Asnjë President apo Kryeministër nuk ka bërë mjekun, por ka dëgjuar dhe në rast se ka deklaruar gjëra jo të drejta është kundërshtuar nga profesionistët drejtpërdrejt.
Të gjithë në Amerike dhe Europë, kërkojnë sa më shumë testim për ta kontrolluar këtë pandemi e cila edhe nëse do kalojë me shumë gjasa do përsëritet. Mos janë Amerikanët, Gjermanët, Britanikët, Koreja e Jugut më të paditur se ne, krejt e kundërta ata e dinë se ç’duhet të bëjnë dhe kanë sistemet shëndetësore më të mirat në botë”, shkruan ai në rrjetet sociale.
Më tej Mediu thotë se do na duheshin me mijëra respiratorë dhe nuk i kemi, por pretendon se qeveria nuk po kërkon. Sipas tij, kjo është e papranueshme se sado të ndihmohen janë jetë njerëzore, nëna, babai, motra, vëllai apo fëmija i dikujt.
“Rama bën mirë që kërkon të imponojë rregulla të izolimit dhe qarkullimit të njerëzve dhe ç’gjuhë përdor për mua ka pak rëndësi, megjithëse nuk duhet të harrojë se çdo fjalë e dalë prej tij ka një ndikim sot për mirë apo për keq, për panik apo për siguri.
Por kjo nuk është detyra e vetme e tij sot që të qajë si një “baba” (Kryeministër) që e ka zënë halli në familjen e tij (Shqipërinë), por të sillet si i pari i shtëpisë duke kërkuar të blejë apo të marrë borxh, të lypë apo kërkojë çdo gjë që do të mundësonte të sillte në jetë apo shëronte, ndihmonte familjen e tij (shqiptarët).
Testimet, Respiratorët, çdo gjë që do mbështeste mjekët dhe infermierët, hapja e mundësive të infrastrukturave për sa më shumë shtretër spitalore janë sot detyra e çdo qeverie. Kjo kërkon një bashkëpunim të ngushtë me të gjitha kompanitë që mund të ofrojnë, kompanitë farmaceutike vendase dhe të huaja, me çdo qeveri në BE, USA, Korenë e Jugut apo Kinë. Kudo pa u ndalur me një trup të dedikuar vetëm për këtë çështje”, nënvizon kreu i Republikanes.