Ambasadorja e re e SHBA, Yuri Kim ka zbritur dje në tokën shqiptare. Pas votimit në Senat dhe betimit, dje Kim ka mbërritur në aeroportin Nënë Tereza, ku u prit nga stafi i ambasadës. Më pas ajo është drejtuar drejt selisë së ambasadës, ku dhe do të ushtrojë funksionin e ambasadores, pas largimit të Donald Lu.
Me ardhjen e saj pritet që të kemi një tjetër hov sa i takon reformës në drejtësi. Kim gjatë seancës dëgjimore deklaroi se do të ketë si prioritet avancimin e reformës, krizën politike dhe kërcënimin që vjen nga Rusia dhe Irani.
Ajo pritet të marrë letrat kredenciale nga presidenti dhe më pas të zhvillojë takime me të gjithë krerët e shtetit. Kim vjen në një kohë kur reforma në drejtësi është në kulmin saj dhe po sulmohet e anatemohet nga shumë palë. Por një tjetër pikë kryesore ku ajo do të fokusohet do të jetë edhe dhënia fund e krizës politike në vend dhe jo vetëm ulja në tryezë për reformën zgjedhor. Yuri Kim pritet që të ndërmjetësojë palët dhe t’i bindë që të lënë mosmarrëveshjet mënjanë për të mirën e vendit. Ardhja e ambasadores së re të SHBA në Tiranë do të jetë një zë i fortë për të penguar ngërçin politik dhe zhvillimin e reformës në drejtësi. Tashmë të gjithë sytë janë te ambasadorja e re, e cila pritet të mbërrijë në Tiranë në fund të muajit janar ose në fillim të muajit shkurt.
Pak kohë më parë gjatë prezantimit në Senat, ambasadorja e re Yuri Kim deklaroi se synimet e saj kryesore janë reformë në drejtësi dhe dhënia fund e krizës politike në Shqipëri. “Do të inkurajoj Shqipërinë të vijojë me kursin e qëndrueshëm për të arritur në 2% të investimeve të mbrojtjes deri në vitin 2024, që kështu Shqipëria të jetë edhe më e fuqishme dhe e aftë si aleate. Do të vazhdoj të promovoj zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Do të shtyj drejtuesit e Shqipërisë për të zgjidhur ngërçin aktual politik. Më thelbësore, unë do të forcoja ndihmën diplomatike dhe të ndihmës në forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të inkurajojnë Shqipërinë të zbatojë plotësisht reformat gjyqësore, të vazhdojë verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krijimin e një strukture speciale të pavarur, Struktura Kundër Korrupsionit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit”, tha Yuri Kim pak kohë më parë në Senat.