Kryeministri, Edi Rama në një intervistë për Euronews Albania nuk e përjashtoi mundësinë e mbajtje së një video-konference bashkë me Presidentin, Ilir Meta dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha, por pa marrë iniciativë që kjo të ndodhte.
“Për mua nuk ka qenë dhe nuk do të jetë asnjëherë aspak e vështirë, por unë vendos vetëm për vete, nuk vendos dot për të tjerët”, tha ai gjatë intervistës.
Pikërisht një video-konferencë të tillë, kreu i qeverisë shqiptare pati me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula va nder Leyen, ku ka diskutuar për mos mbylljen e tregjeve të BE-së për vendet e rajonit.
“Kemi diskutuar që vendet e rajonit të mos privohen nga mundësia për të pasur akses në tregun evropian për medikamente mjekësore. Nuk jemi të penguar, por duhen autorizime të veçanta për të bërë importe për këto materiale”, u shpreh Kryeministri.