Bilanci pozitiv i vetingut ka rritur ankthin dhe panikun në radhët e njerëzve të drejtësisë. Deri më tani të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që janë zhytur në afera kanë përfunduar jashtë sistemit të drejtësisë, ndërsa një pjesë e tyre rrezikojnë të ndiqen edhe penalisht.
Por gjatë pesë muajve të fundit është shtuar djeshëm numri i gjyqtarëve që po dorëhiqen për t’i shpëtuar reformës në drejtësi. Më konkretisht me dhjetra gjyqtarë kanë dorëzuar detyrën në prag të vetingut, ndërkohë që hegjemonia vijon ende, teksa tre gjyqtarët kanë dhënë dorëheqjen. Ka qenë Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili përmes një njoftimi bëri dje me dije se sot do të zhvillojë një mbledhje, ku pritet që t’iu heqë statusin e magjistratëve tre gjyqtarëve që kanë paraqitur dorëheqjet tek ky këshill.
Bëhet fjalë për gjyqtaren e Gjykatës së Tiranës, Arjana Liço; gjyqtarin e Gjykatës së Durrësit, Ndue Gjura dhe gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Durrës, Petraq Dhimitri. “Shqyrtimi i projekt vendimit “Për mbarimin e statusit të magjistratit për gjyqtaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, znj. Arjana Liço” i përgatitur nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës; Shqyrtimi i projekt vendimit “Për mbarimin e statusit të magjistratit për z. Ndue Gjura, gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, i komanduar pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor”, i përgatitur nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës; Shqyrtimi i projekt vendimit “Për mbarimin e statusit të magjistratit për gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Durrës, z. Petraq Dhimitri” i përgatitur nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Dorëhiqet gjyqtarja që i dogjën makinën
Por interesant është fakti se mes tre emrave që kanë paraqitur dorëheqjet pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, është edhe ai i gjyqtares së Gjykatës së Tiranës, Arjana Liço. Kjo e fundit nuk është një emër i panjohur për publikun, pasi në tetor të vitit që lamë pas djalit të saj Loren Liço, i kanë djegur makinë, të cilën e përdorte edhe vetë gjyqtarja. Ka qenë Policia e Shtetit që ka bërë me dije këtë lajm. “Më datë 06.10.2019, në bulevardin “Bajram Curri”, është përfshirë nga flakët mjeti tip “Wolswagen Golf”, në pronësi të shtetasit L.L.
Si pasojë ka pësuar dëmtime të vogla edhe një mjet tjetër që ka qenë i parkuar në anën e tij. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe shkakun e rënies së zjarrit. Materialet u referuan pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” mbetur në tentativë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ikin dhe 2 emra të tjerë
Sakaq, dy emrat e tjerë që kanë paraqitur dorëheqjet pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, janë gjyqtari i Gjykatës së Durrësit, Ndue Gjura dhe gjyqtari i Gjykatës së Apelit Durrës, Petraq Dhimitri. Gjyqtari Gjura është i komanduar pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, ndërsa më herët ka qenë inspektor pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kujtojmë që Inspektori i Lartë i Drejtësisë para se të miratohej paketa e reformës në drejtësi ka pasur si mision hetimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërkohë që duket se gjatë ekzistencës së tij, ky organ e nuk e bëri si duhet punën.
Ndërsa emri i dytë i gjyqtarit që ka paraqitur dorëheqjen para Këshillit të Lartë Gjyqësor, është ai i gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Durrës, Petraq Dhimitri. Edhe ky i fundit nuk është një emër i panjohur për publikun. Kjo pasi në tetor të vitit që lamë pas, gjyqtari Dhimitri, së bashku me dy gjyqtarët e Apelit të Durrësit, Kliton Spahiu dhe Petrit Çeno, u dënuan me nga 2 vite burg për korrupsion, për një udhëtim të tetorit 2014 drejt Spanjës, për të parë ndeshjen e futbollit midis Real Madridit dhe Barcelonës me shpenzimet e një biznesmeni shqiptar, Namik Sadikut, për të marrë një vendim gjyqësor në favor të tij./SHKRUAR NGA RIGELS SELIMAN