Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se duke filluar nga sot (24 janar) Departamenti amerikan i Shtetit do të pezullojë lëshimin e vizave B-1 dhe B-2, njohur si “vizë e përkohshme e vizitorit” dhe që në përgjithësi përdoren për turizmin e lindjeve.
Kështu administrata Trump ka hedhur hapin e parë në lidhje me vizën e turizmit të lindjeve, kufizimin e të cilës ka kohë që po e planifikon.
“Duke filluar nga data 24 janar 2020 Departamenti amerikan i Shtetit nuk do të lëshojë më “vizat e përkohshme të vizitorit” B-1/B-2 për turizmin e lindjes, i cili bëhet me qëllim për të marrë nënshtetësinë amerikane në mënyrë automatike dhe të përhershme duke e lindur fëmijën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA)”,- thuhet në komunikatën e shkruar të Shtëpisë së Bardhë.
Theksohet se rregullat e reja për marrjen e vizës amerikane janë të rëndësishme për sigurinë kombëtare dhe publike si dhe për integrimin e sistemit të emigracionit në ShBA.
Industria e turizmit të lindjes përveçse sjell një barrë të madhe në burimet e spitaleve amerikane, ka shkaktuar edhe disa abuzime dhe shkelje ligjore, thuhet në komunikatën e Shtëpisë së Bardhë.
“Me rregulloren e re do të mbyllet ky deficit i dukshëm ligjor, do të eliminohen abuzimet e shpeshta dhe së fundmi ShBA-ja do të mbrohet nga risqet e sigurisë kombëtare që burojnë nga praktika e deritanishme,”- bën të ditur komunikata.