Pavarësisht djegies së mandateve para zgjedhjeve të 30 qershorit, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim vazhdojnë të marrin para nga shteti. Pavarësisht situatës politike në vend, protestave të shumta që në një hark kohor prej 5 muajsh që sollën djegien e mandateve, sabotimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, partitë si PD dhe LSI, nuk u përjashtuan nga fondi i qeverisë.
Paraditen e së martës, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) miratoi shpërndarjen e fondeve për partitë politike, në mbledhjen me rend dite “Për shpërndarjen e fondeve vjetore, partive politike në formën e ndihmës financiare vjetore për vitin 2020”. Në mbledhjen që zgjati rreth 10 minuta, u bë me dije se fondi në total për partitë politike në vend është 140 milionë lekë, dhe kryesuesja është Partia Socialiste me 63.417.047 lekë dhe në total janë 6 parti që përfitojnë. Pas Partisë Socialiste, vendin e dytë e mban Partia Demokratike, me një fond prej 38.911.877 lekë, ndjekur nga LSI-ja me 20.012.797 lekë. Më tej vijojnë partitë më të vogla në vend. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) nga miratimi i KQZ, ka përfituar 7.447.477 lekë për vitin 2020.
Vijon më tej partia Lista e Barabartë, që ka përfituar 4.841.667 lekë dhe në fund, Partia Socialdemokrate (PSD), me një fond prej 5.369.137 lekë. Gjithashtu në mbledhjen e djeshme u bë me dije se nga 100%, 70% e fondit bëhet sipas numrit të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare, 20% në mënyrë të barabartë ndërmjet partive politike që kanë përfituar mbi 10 mijë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare, dhe pjesa e mbetur 10% është llogaritur sipas përqindjes së fituar ndërmjet partive politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe kanë fituar 1% të votave në shkallë vendi.
Paga e ish-deputetëve
Përveç partive, benefite kanë marrë dhe ish-deputetët. Ndonëse kanë dorëzuar mandatet, ata do të vijojnë të paguhen. Në një hark kohor nga marsi i 2019, ku ish-deputetët dogjën mandatet e deri në mars të 2022 ish-deputetët e PD-LSI do të paguhen me 50 për qind të pagës referuese bruto. Deputetët në fjalë në kohën para dorëzimit të mandatit, pagën mujore e kishin 156,770, por pas vendimit të marrë në mars të një viti më parë, ata do të paguhen 650 euro. Po ashtu kujtojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pasi zyrtarizoi heqjen e mandateve, deputetët e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë përfituar dy paga mujore. Konkretisht, secili nga deputetët ka përfituar 313 440 lekë. Deputetët e opozitës janë njoftuar me përfitimet disa javë pas djegies së mandateve.
Si e parashikon ligji?
Përfitimi i pensionit, sipas ligjit “Statusi i Deputetit”, neni 20, për “Marrëdhëniet financiare”, deputeti e përfiton vetëm në dy situata, në të cilat nuk përfshihet djegia e mandateve. “Deputeti përfiton të drejtën e pagesës kalimtare dhe të pensionit suplementar “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”: Për sëmundjet që shfaqen gjatë ushtrimit të detyrës dhe kur personeli shëndetësor vlerëson trajtimin e tyre të specializuar, deputeti mund të dërgohet për kurim jashtë shtetit. Fondet për këtë qëllim sigurohen nga Ministria e Shëndetësisë; Deputeti përfiton me përparësi të drejtën e strehimit ose i jepet kredi afatgjatë nga organet shtetërore përkatëse”, thuhet në ligj.