Me muzikë revolucionare në sfond dhe me dy gishtat lart, Ilir Meta hyri në sallën e mbushur të Pallatit të Kongreseve për të konfirmuar edhe rikthimin zyrtar në LSI, ose më saktë te partia familjare që themeloi 18 vite më parë.
Sepse hapi i parë i Ilir Metës pas rikthimit në LSI është ndryshimi i emrit e logos së partisë. Ky ndryshim estetik u paralajmërua që në nisje të Konventës së Pestë të LSI-së pas 2017-s nga Silva Caka.
E kështu me radhë, Petraq Milo dhe Agim Nesho në fjalimet e mbajtura folën për një ‘parti të re, që do të luftonte për shqiptarët, kundër kleptokracisë, korrupsionit, rikthejë sovranitetin dhe të mbrojë interesin kombëtar’.
Por, a e shpëton dot ndryshimi i emrit, këtë forcë politike nga ‘damkosja’ e perceptimi si forca politike që ka kultivuar më së shumti në opozitë e pushtet korrupsionin e nepotizmin?
Populli ka një fjalë të urtë: ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron.
Kjo fjalë mund t’i shkojë përshtat LSI-së me emrin e ri të saj, sepse sado të ndryshojë emrin e logon, partia e re do të jetë po aq e vjetër sa LSI. Ajo do të ngrihet mbi themelet e LSI-së, ose më saktë rrënojat që i kanë mbetur LSI-së pas zgjedhjeve të 25 prillit të vitit të kaluar, kur mori vetëm 4 mandate.
Ramën e akuzoi si kleptokrat, që për interesa korruptive po shet interesat kombëtare. “Pse për ça mendoni ju se donte që të kapte Gjykatën Kushtetuese? Që të legjitimonte marrëveshjen e detit me Greqinë, që së bashku me Lulzim Bashën e ngatërruan”, u shpreh ai.
Pasi tha këto, Meta u shpreh se nga Presidenca ka parë një plan për të ekzekutuar pluralizmin dhe u shfaq si e paraqiti veten si luftëtar kundër kleptokracisë dhe mbrojtës i pluralizmit, kur me kleptokraci e korrupsion fuqizoi partinë dhe me blerje votash e favore të tjera shkatërroi pluralizmin.
Janë të famshme fushatat e LSI-së në 2009-n, kur ndaheshin 5 mijë leksha të rinj në këmbim të votës, ashtu si në 2013-n. Në 2017-n, dalja e vetme në zgjedhje e rriti pazarin dhe vota nuk blihej më me 5 mijë lek, por me iPhone 7, që kishte pak muaj që kishte dalë në treg.
Këto janë rrënojat nga ku do të nisë punën partia e re e Ilir Metës, që në politikë do të jetë po aq e re sa vetë ish-Kryeministri, ish-ministri i Jashtëm e ish-zëvendëskryeministri, ish-kryetari i Kuvendit dhe tani ish-Presidenti./Vox News