Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ftuar në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës në “News24” pranoi se taksa nuk rikthehet, pasi Kurti e hoqi tërësisht dhe Kosova nuk ka një shumicë qeverisëse për ta rikthyer. Haradinaj pranon se kjo është arsyeja se pse ai nuk e pezullonte taksën edhe për 30 ditë në kohën kur e kërkonin liderët europianë.
Lideri i AAK-së tha se Kurti nuk hoqi taksën vetëm për mallrat e lëndës së pare, por e hoqi tërësisht dhe se nga Serbia kanë hyrë 15 milionë mallra vetëm gjatë prillit.
“Kurti e ka hequr taksën 100% edhe pse është kohë pandemia. Gjatë këtyre ditëve të prillit kanë hyrë 15 milionë euro mallra serbe, kjo është e vërteta. Jeni në mungesë informate. Kurti ka hequr tërësisht taksën 100%, nuk është më. Ishte me afat 1 javor, prej 1 prillit ka hequr taksën. Një prej arsyes se pse i jam bashkuar mocionit të mosbesimit është mënyra si u hoq taksa, pa nder dhe pa kundërvlerë. Unë e doja taksën si një element të marrëveshjes finale. Që t’i kërkonim kundërvlerë Serbisë.
Ai e bëri në mënyrë të gabuar dhe i shkaktoi pasoja. Heqja e taksës duhet të konsiderohet si vlerë nga Washingtoni dhe BE”.
“Qeveria Kurti e ka hequr taksën pa aleancën. Ky vendim është i pamundshëm për t’u marrë pa shumicën e votave të qeverisë. Unë nuk doja ta pezulloja 30 ditë se nuk e riktheja dot. E dija që po ta pezulloja nuk do ta ktheja dot. Tashmë nuk është më shansi, i ka ikur ky vendim Kosovës. Por mund të kërkojmë një kundërvlerë”- tha Haradinaj.