Opozita parlamentare ka hedhur dje akuza në adresë të mazhorancës qeverisëse sa i takon shkarkimit të presidentit Ilir Meta nga detyra dhe uljes së Partisë Socialiste në tryezën e dialogut me Partinë Demokratike. Pak ditë më parë mazhoranca iu drejtua sërish Komisionit të Venecias, duke i kërkuar një opinion për shkeljet kushtetuese të konsumuara nga presidenti për emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Por kjo lëvizje e mazhorancës ka ngjallur zemëratë në radhët e anëtarëve të opozitës, të cilët kanë shpërthyen në akuza ndaj shumicës qeverisëse. Ka qenë nënkryetari i komisionit hetimor, deputeti Alban Zeneli, i cili teksa ishte i ftuar në një studio televizive u shpreh se komisioni hetimor duhet të përmbyllë misionin e tij për të cilin është krijuar dhe jo të dështojë.
“Kam votuar pro zgjatimit të punës së komisioni, por me shtimin e çështjeve kemi qenë kundër. Vlerësimet e Komisionit të Venecias janë të pranueshme. Mua nuk më lejohet të flas si pjesë e komisionit të hetimit pa dalë në një konkluzion. Për mua ka më shumë rëndësi serioziteti dhe integriteti i këtij vendimi se çfarë do jetë përfundimi. Por unë uroj që kjo të mos jetë në vazhdën e proceseve hetimore që ka ngritur Kuvendi i Shqipërisë gjatë 30 viteve, ku kanë ikur në drejtim të paditur. Një nga arsyet kryesore pse është bërë reforma në drejtësi është që të mos ketë njëri të pahetuar dhe të pagjykuar, duke filluar nga presidenti. Besoj që në një vijë sjellje do të jetë edhe raporti i Komisionit të Venecias”, deklaroi ai.
Ndërkohë, deputeti Zeneli shprehu rezervat e tij në lidhje me uljen e palëve në tryezën e dialogut për reformën zgjedhore, ndërsa akuzoi mazhorancën se po bën pazare me opozitën joparlamentare në kurriz të qytetarëve. “Këshilli Politik nuk ka kontribute vendimmarrjeje, unë e shikoj në dy plane. E shikoj pozitiv uljen në dialog pavarësisht se kush janë palët. Do të pranoja një marrëveshje edhe jashtë institucioneve vetëm të jenë në interes të qytetarëve shqiptarë dhe jo të krerëve politikë. Pavarësisht se shoh pozitivisht, shoh edhe pjesën e pazareve të pista që bëhen në kurriz të qytetarëve. Çfarë ndryshoi në këtë rast që u ulën pas gjithë kësaj kohë? Sot vendi ka shumë probleme, dhe dihet që është politika ajo që është përgjegjëse. Unë do them që kauza jonë përveç mbështetje institucionale, është edhe ndryshimi i sistemit zgjedhor”, nënvizoi Zeneli.