Këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj paralajmëroi se posedon më shumë se 56 mijë faqe të dokumenteve zyrtare të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, që tregojnë krimet e kryera në Kosovë nga ushtria, policia, paramilitarët dhe bashkëpunëtorët lokalë të UDB-së.
Përmes një postimi në “Facebook”, Zyberaj shkruan se këto dokumente do t’i publikojë bazuar në vendimet e institucioneve të Kosovës.
“Janë siguruar më shumë se 56 mijë faqe të dokumenteve zyrtare të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, që tregojnë krimet e kryera në Kosovë nga ushtria, policia, paramilitarët dhe bashkëpunëtorët lokal të UDB-së serbe.
Së shpejti do të publikohen të gjitha, duke filluar me ato që tregojnë rolin e Beogradit në të gjitha krimet në Kosovë.
Gjithashtu, kjo dosje përmban edhe emrat, rolin dhe veprimtarinë e bashkëpunëtorëve lokale të UDB-së që janë të përfshirë në krimet kundër shqiptarëve.
Publikimi i kësaj pjese, (ku përfshihen emrat e bashkëpunëtorëve shqiptarë, e një pjesë e tyre vazhdojnë të shërbejnë në sistemin tonë shtetëror) do të bëhet, bazuar në vendimet e institucioneve të Kosovës. Kjo kërkon në mënyrë urgjente miratimin e ligjit të lustracionit në mënyrë që këto dokumente të deponohen në organet e shtetit dhe këta persona të përballen me drejtësinë siç duhet”, shkruan “Zyberaj në “Facebook”.