Rrëzimi nuk duhet të vijë me gurë, e as me shembjen fizike të mureve të uzinës. Rrëzimi këtë herë duhet të jetë i sistemit që çoi në faliment kompaninë gjigande të naftës. Këtë mund ta bëjnë vetëm punëtorët, duke mos protestuar përpara dyerve të qeverisë, por të prokurorisë!
Nga Ola Xama
Sigurisht që Shqipëria nuk është vendi i vetëm ku dëgjohen akuza, denoncime, afera dhe sulme nga palët politike. Më shumë se sa një model politik të vjetër, denoncimet publike do t’i shihja si një produkt dhe kosto që i sjell të gjitha palëve demokracia, edhe atyre të cilëve iu rastis të mos jenë pjesë e lojës, apo edhe në rastet kur e vërteta është në favor të tyre dhe thyhet etika.
Mungesa e etikës është ndonjëherë fatura që paguajmë të gjithë për të jetuar të lirë në një sistem ku jepet llogari. Për mua është e mjaftueshme që ajo që mendohet të thuhet, ajo që dyshohet të hetohet dhe ajo që zbulohet të dënohet. Nëse ky zinxhir nuk funksionon, demokracia ka një mjet tjetër që nxit veprimin: protestën.
Që të kuptohet se demokracia ka rënë në rastin e rafinerisë ARMO, duhet të kuptohet më parë se si vullneti i protestës është deformuar me qëllim përfitimin e elitave që kanë drejtuar vendin dhe interesave privatë në duart e të cilëve është lënë në kohë të ndryshme ndërmarrja më e madhe e rafinimit të naftës në vendin tonë.
Në emër të punëtorëve dhe zhvillimit teknologjik në vitin 2008, qeveria “Berisha” nisi procesin e privatizimit të paketës me 85% të aksioneve të kompanisë shtetërore ARMO. Rafineria përbëhej nga dy uzina, njëra në Fier e specializuar në përpunimin e bitumit, dhe ajo e Ballshit me një teknologji të vjetër kineze të ndërtuar në vitin 1975, e cila mund të përpunonte naftën e rëndë që nxjerr nëntoka shqiptare. Partia në pushtet e atyre viteve e konsideroi një sukses shitjen me 128 milion euro të dy uzinave, të cilat konsulenti i kontraktuar për këtë punë, Patton Bogss, nuk i kishte dhënë një vlerë më të madhe se 60 milion euro. Rafineritë kishin nevojë për investime, ndërsa paguanin çdo muaj bordero të fryra me mbi 2 mijë punëtorë të zonës.
Privatizimi
Rënia e maskës politike nisi të dilte që vitin e parë, kur pas kompanisë amerikane që u tha fillimisht se kishte privatizuar ndërmarrjen, doli në skenë biznesmeni shqiptar i naftës Rezart Taçi, përplasjet e të cilit me agjencitë tatimore nuk munguan as gjatë viteve të administrimit të tij. Punëtorët nisën protestat masive në korrik të 2013-s, pas një vendimi nga drejtoria e Hetimit Tatimor për të bllokuar rafinerinë e Ballshit, ndërsa e ndëshkuan me disa dhjetra milion euro gjobë për mosdeklarim të rregullt të taksave në 4 vite. Disa muaj përpara kësaj proteste, përplasjet e biznesmenit të naftës Rezart Taçi me qeverinë kishin nisur të dilnin në dritë, pas dështimit të tenderit për blerjen e kompanisë publike të prodhimit të naftës Albpetrol. Rezart Taçi dha një ofertë 850 milion euro për privatizimin e saj, por pagesa nuk u ekzektua asnjëherë, duke sjellë edhe dështimin e të gjithë procesit.
Në gusht 2013, pronarët e rinj të ARMO-s, ishin Heaney Assets Corporation, një kompani azere e cila bleu aksionet nga Rezart Taçi për 50 milion euro, e për të gjetur një ndërmarrje tashmë të fundosur me mbi 200 milion euro borxhe. Drejtuesit e rinj dhanë me qira rafinerinë e Fierit në shtator 2013 te kompania TPD, dhe një vit më pas lidhën një kontratë për uzinën e Ballshit me Deveron Oil. Të dyja këto kompani shfrytëzuan rafinerinë dhe punëtorët, për t’u larguar më pas me një listë të gjatë detyrimesh tatimore, ndërsa vetë ARMO nuk dha rrogat e naftëtarëve pas mbylljes së punës, ndërsa shtoi në mënyrë eksponenciale detyrimet e saj ndaj autoriteve fiskale, dhe ndaj palëve të treta.
Protestat e naftëtarëve që kërkonin rrogat dhe vënien e uzinës në punë filluan, për t’u ndalur në shtator të vitit 2016. Vetë kryeministri Rama prezantoi një investitor amerikan si pronarin e ri të ndërmarrjes, i cili do të vinte në funksion të plotë uzinën për të zgjidhur njëherë e mirë këtë çështje. Harry Sergeant rezultoi më pas si një individ i lidhur në biznes me pronarin e kompleksit Taivan, Besnik Sulaj. IRTC Oil arriti të shfrytëzonte për 16 muaj rafinerinë përmes një kontrate qiraje të lidhur me bankën Credins, tashmë pronarja e re aseteve të rafinerisë së Ballshit.
Përmes një ankandi të dyshimtë, të referuar në prokurori nga Ministria e Drejtësisë, rezulton se uzina e Ballshit ishte shitur me kërkesë të bankës Credins, e cila kishte dhënë një kredi me vlerë 20 milion euro në vitet e para të privatizimit, por të papaguar. Banka kishte arritur të merrte statusin e kreditorit preferencial përpara punëtorëve dhe detyrimeve tatimore, të cilat përcaktohen qartësisht se kanë përparësi për t’u ekzekutuar në Kodin Civil.
Në dhjetor të vitit 2017, qindra naftëtarë mësynë sërish jashtë dyerve të ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, për të kërkuar pagat. Dy muajt e fundit kompania që shfrytëzonte uzinën “IRTC Oil”, nuk i kishte paguar, detyrimet në taksa arritën 20 milion euro, ndërsa puna ishte ndalur për shkak të përplasjeve me furnitorin kryesor të lëndës së parë, Bankers Petrolium, i cili pretendonte se nuk ishte paguar për naftën që i kishte shitur rafinerisë.
Protestat u ndalën vetëm pasi një kompani që shfaqi interes për të marrë sërish në shfrytëzim rafinerinë e Ballshit, Tosk Energji, takoi punëtorët e më pas lidhi kontratë me pronarët e uzinës, për të rinisur punën. Kur puna u ndal sepse uzina nuk po furnizohej me naftë, punëtorët dolën në protestë dhe u futën në grevë urie edhe një vit më parë, ndërsa pas premtimeve të shumta, sot të zhgënjyer protestojnë sërish.
Protesta është i vetmi mjet që atyre u ka mbetur në dorë për të marrë drejtësi në një sistem demokratik, por historikisht vullneti dhe qëllimi i saj është shtrembëruar për të çuar para në xhepat e kompanive të lidhura me zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar. Punëtorët u përdorën herë nga pronarët e herë nga shteti, për të larë krimet e bëra në emër të parave. Nëse tatimet do të bënin kontroll, punëtorët do të protestonin të shtyrë nga pronarët, e kur me bekimin e qeverive kompani të ndryshme shfrytëzonin uzinat pa paguar taksat e duke thelluar gropën e borxheve, shtetarët do të fshiheshin sërish pas punëtorëve se bënë ç’ishte e mundur që ata të kishin një punë.
Maska e politikës
Greva e naftëtarëve dhe historia e ARMO-s, rrëzon maskën e politikës dhe përfaqësuesve tonë. ARMO është historia që tregon dështimin e forcave kryesore politike në vend, të mënyrës se si administarta punon me urdhra partie e jo me ligje, se si gjithë zinxhiri i pushtetit: nga vendori te qëndrori dhe drejtësia, kanë dështuar. Prandaj rënia e parë e ARMO-s është politike- është rënie e sistemit demokratik, është rënie e shtetit.
Përpara privatizimit, rafineria paguante çdo muaj pagat e 2200 punëtorëve, afërsisht 25 milion euro taksa çdo vit, ndërsa arrinte të dilte me fitim. Në momentin e shitjes së aseteve te azerët, ARMO regjistronte në vitin 2013 një bilanc detyrimesh më të madh se 200 milion euro, ndërsa sot borxhet e saj ndaj kreditorëve, kompanive furnitore dhe punëtorëve, arrijnë 600 milion euro. Astetet e rafinerisë u lanë kolateral në banka dhe në transaksione të ndryshme financiare, ndërsa investimet në emër të të cilave u morrën këto para nuk duken në asnjë repart.
Detyrimet pas administrimit privat në vite u shtuan. Si menaxherët e saj, edhe qeveria shqiptare tashmë e dinte se nuk kishte më shpresa për ringritjen financiare të uzinës. Në vitin 2015, indeksi i shëndetit të rafinerisë shpjegohej me vetëm 1 fjali: për çdo 100 lekë shitje, gjenerohen 292 lekë humbje. Mbi asetet e kompanisë duhet të vepronte ligji i falimentit, dhe pasi të shlyeheshin detyrimet ndaj punëtorëve dhe buxhetit të shtetit, pjesa që mbetej të ndahej me bankat e furnitorët. Kjo është maska e dytë që shteti i vuri ARMO-s: që rafineria mund të punonte!
Në analizën që disa sociologë i bënë krizës financiare globale të një dekade më parë, dolën në përfundimin se i gjithë sistemi kapitalist dështoi për shkak të “grykësisë” dhe “ambicies”, një koncept të cilit “Kisha” i frikësohej dhe nuk lejoi zhvillimin, derisa erdhi koha që fryma kapitaliste të dominonte mbi fuqinë e saj. Sociologët e shpjegojnë dështimin e sistemit kapitalist në këtë krizë me natyrën e pangopur të racës njerëzore: bankat duan të fitojnë më shumë dhe dhanë shrytëzimin e portofoleve të tyre në institucione financiare dytësore me qëllim fitimin, këto institucione donin të fitonin më shumë dhe nuk panë aftësinë paguese të kredimarrësve, vetë kredimarrësit donin të kishin sa më shumë dhe blenë shtëpi pa llogaritur nëse e përballonin këstin e kredisë. I gjithë cikli kishte një emër mbi të cilin mbështeten edhe parimet e kapitalizmit: të fitosh sa më shumë!
Në emër të fitimit, i gjithë zinxhiri i kompanive që administruan ARMO-n, krijoi një krizë të pashërueshme për kompaninë. Prandaj rënia e dytë e ARMO-s, është rënia financiare.
ARMO-n për herë të tretë duhet ta rrëzojnë punëtorët. Njësoj si në rastin e rafinerisë, dhjetëra afera të tjera janë ende dhe sot të pahetura, dhe edhe kur janë hetuar, fajtorët nuk janë gjetur, duke instaluar një regjim mosbesimi për të gjithë. Rrëzimi nuk duhet të vijë me gurë, e as me shembjen fizike të mureve të uzinës. Rrëzimi këtë herë duhet të jetë i sistemit që çoi në faliment kompaninë gjigande të naftës. Këtë mund ta bëjnë vetëm punëtorët, duke mos protestuar përpara dyerve të qeverisë, por të prokurorisë! Sepse aty lind gjithçka- te drejtësia!
Edhe pse vonë, vetëm sistemi i drejtësisë mund të dënojë çdo administrator që nuk ka dhënë pagat, çdo pronar që ka vjedhur dhe çdo zyrtar që heshtur e bashkëpunuar në nkëtë skemë, duke i dhënë fund precedentit të vjedhjes dhe mashtrimit të shqiptarëve me letër dhe firmë.
Vjedhjet më të mëdha që u janë bërë shqiptarëve gjatë viteve të demokracisë, janë ato të dhënies së letrave të cilat nuk vlejnë më shumë se kostoja e printimit dhe boja që kanë përsipër. “Letra me vlerë” u quajtën bonot e privatizimit, që sot i gjen në sirtarët e shtëpive të tyre. Letra u prodhuan pafund edhe në periudhën e piramidave financiare, e sërish mbi 700 vendime të fituara në gjykatë kanë në dorë edhe naftëtarët e uzinës së Ballshit. Me këto letra ata tashmë duhet të bllokojnë disa letra të tjera, ato të kompanisë ARMO, e cila sërish ekziston vetëm në letër, sepse asetet e saj i kanë marrë si gjithmonë ata që dominojnë ekonominë, ata që janë më të fortë se punëtorët, ata që sot sërish përmes punëtorëve kërkojnë të ndikojnë realitetin politik dhe ekonomik në emër të fitimit.
* Autorja është gazetare e ekonomisë në Shqipëri