Trajneri i Barcelonës B Fransisko Garsia Pimienta beson se sulmuesi i Shqipërisë Rei Manaj do ta realizonë ëndrrën për të debutuar me skuadrën e parë të Barcelonës.
Një ditë pasi 22-vjeçari u grumbullua nga tekniku i skuadrës katalanase Kike Setien për t’u stërvitur me yjet e Barcelonës, meqënëse Luis Suarez është i dëmtuar, Pimienta vlerëson cilësitë e Manajt dhe është i bindur se nëse do të paraqitet në mënyrën e duhur me ekipin e dytë të Barcelonës, nuk do të mungojë dhe ftesa për të luajtur me yjet katalanas.
“Rei Manaj dhe të gjithë lojtarët e tjerë këtu kanë mundësi të barabarta për të luajtur me skuadrën e Barcelonës (A). Ai na jep shumë cilësi në lojë dhe nëse bën siç duhet në fushë, do të debutojë dhe me ekipin e parë.
Nëse stërvitet dhe luan mirë, nëse bën paraqitje pozitive me Barcelonën B, atij do t’i hapet rruga për të luajtur me ekipin A njësoj si shokët e skuadrës”, deklaroi tekniku i Barcelonës B dhe Rei Manajt, Fransisko Pimienta.
Manaj firmosi për 3 vite me Barcelonën. Transferimi nga Albasete i kushtoi klubit katalanas 700 mijë €.
Sulmuesi i kombëtares së Shqipërisë debutoi me Barcelonën B në Segunda Division 5 ditë më parë në fitoren 2-0 kundër Ejes, ku iu anullua një gol për faull.