Partia Socialiste pritet që të martën e 19 prillit të mbledhë Grupin Parlamentar. Në mbledhje, pritet që të diskutohet për çështjen “Rakipi”, ku pritet që të vendosin edhe për “fatin” e Orlando Rakipit që iu shpall babai “non grata”.
Zyra e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kontrollin e Pasurive të Huaja sanksionoi ish-deputetin Aqif Rakipi dhe biznesmenin Ylli Ndroqi.
Sipas Departamentit Amerikan, përmes korrupsionit, aktivitetit kriminal dhe sjelljeve të tjera destabilizuese, ata kanë kërcënuar stabilitetin e rajonit. Gjithashtu do të bëhet dhe dorëzimi i emrave për presidentin e ri, ku secili ligjvënës do të depozitë emrin e kandidati që preferon për president, i cili do të jetë në zarf anonim, për të ruajtur konfidencialitetin.
Gati ligji organik për presidentin, Balla sulmon Metën
Ndërkohë gazeta ka mësura se kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, ka infmriura depuetët dhe ua ka bërë të qartë se Kuvendi duhet që të miratojë ligjin për institucionin e presidentit.
Burime nga selia rozë i thanë gazetës se zoti Balla është shprehur se ligji organik për kreun e shtetit është gati, ndërsa ka sulmuar presidentin Ilir Meta lidhur me dekoratat duke u shprehur se ai ka dhënë dekorata pa kriter.
“Krahas këtij procesi dhe që lidhet me sfidën e parë, Kuvendi duhet të përmbushë detyrimet që i takojnë nën prizmin e vendimeve të gjykatës kushtetuese apo gjetjeve të veta, duke miratuar ligjin për institucionin e presidentit të Republikës. Ne do t’i japim Shqipërisë një president normal dhe krejtësisht të ndryshëm nga Ilir Meta, por ligji i ri për presidentin është i domosdoshëm.
Dhe këtu dua ta kujtoj kryeministrit dhe po ashtu qeverinë që të mos vonojë më dhe të sjellë sa më shpejt projekt-ligjin për medaljet, titujt, dekoratat di që është bërë një punë e madhe dhe është gati. Presidenti që po ikën e ka shpërdoruar aq shumë këtë kompetencë saqë as ai vetë nuk e di se sa dekorata ka dhënë dhe kujt ia ka dhënë”, mësohet të jetë shprehur Balla para disa deputetëve socialistë.
Fillimi i procedurave për zgjedhjen e presidentit
Ndërkohë, kujtojmë se pak ditë më parë, ishte kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili pas përfundimit të mbledhjes së këtij grupi, zbardhi tri emrat e mazhorancës negociatorë për zgjedhjen e presidentit të ri. Bëhet fjalë për vetë Ballën, ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, dhe sekretarin e Përgjithshëm të PS-së, Damian Gjiknuri.
Ai deklaroi se edhe deputetët kanë të drejtën që të propozojë emrin e presidentit.“Çdo deputet ka të drejtën të propozojë emrin e presidentit”, u shpreh ai, duke shtuar se konsultimet kanë filluar brenda grupit parlamentar. Ndër të tjera, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla u shpreh se procedura fillon jo më vonë se 24 maji. Sipas tij, në këtë kuptim, Kuvendi ka ende kohë derisa të fillojë procedurat.
Ai deklaroi se mund të kemi edhe një presidente femër.“Kjo procedurë merr 5 raunde votimi. Këtij procesi do të duhet t’i lihet koha e nevojshme. Atëherë do të kemi presidentin, apo presidenten e radhës”, tha ai. Ai u shpreh se vendit i duhet një president cili qëndron mbi palët, dhe duhet që të jetë e kundërta e Ilir Metën.