Aktorja e madhe e humorit Zyliha Miloti, me gjysmë shekulli karrierë artistike në Teatrin e Estradës dhe me më shumë se 250 premiera shfaqjeje feston sot ditëlindjen e 78.
Aktorja e mirënjohur ka rrëmbyer zemrat dhe duartrokitjet e spektatorëve në mbarë Shqipërinë. Një urim i veçantë nga skena ku u rrit përgjatë gjithë jetës, si ajo e Teatrit “Migjeni” nuk mund të mungonte:
Pa i mbushur 14 vjet, kur ishte në klasën e 7-të, Zyliha Miloti u shfaq për herë të parë para publikut si një këngëtare e vogël shumë e talentuar ndërsa si aktore e humorit, ajo nisi rrugëtimin e saj artistik në moshën 20 vjeçare pranë teatrit “Migjeni”.
Zyliha Miloti, numëron me qindra role në karrierën e saj të shkëlqyer ndërsa galeria e personazheve që krijoi dhe eksperienca e saj, bënë që ajo të mbetet një nga aktoret e shquara në skenën e humorit shqiptar.
Në vitin 2006 luajti rolin e Gjylit në pjesën “Nje histori e thjeshtë” të Edmond Mehillit, në teatrin ‘Migjeni ‘, me të cilin fitoi çmimin si ‘Aktorja më e mirë ‘në Festivalin e aktrimit ‘Apollon 2006’.
Zyliha Miloti është vlerësuar me disa çmime, tituj dhe shpërblime. Artiste e Merituar, “Gruaja e vitit 2000-2001″ nga Instituti i Biografive në Kembrixh të Anglisë, duke u zgjedhur mes 2000 personaliteteve botërore..
Ka marrë çmime në “Ditët e humorit”, pastaj çmimin “Naim Frashëri i Artë” me motivacionin “Për kontribut të shquar në artin skenik dhe interpretim me nivel të lartë në gjininë e humorit”: “Mjeshtre e Madhe ”, dekoruar nga Presidenti i Republikës.