Spiro Urumi (1928-1997), lindi në Durrës me 28 shkurt të vitit 1928. Ai është një nga bashkëthemeluesit e Teatrit “Aleksandër Moisiu”.
Pasi mbaron shkollën e lartë për aktor, emërohet në këtë Teatër deri sa del në pension.
Në galerinë prej 90 rolesh në teatër veçojmë disa prej tyre, si: Selimi te “Familja e peshkatarit” (1955), Koçkariovi te “Martesa” (1955), Ivanovi te “Çështja Ivanov” (1959), Arnolfi te “Shkolla e grave” (1957), Shmidi te “Ndalesa e fundit” (1962), Njeriu me mantel te “Dashuri e tillë” (1963) etj.
Spiro Urumi ka realizuar edhe 15 role të tjerë në kinematografi ku përmendim, Kuestori te “Oshëtimë në bregdet” (1966), Markalleshi te “Njësiti Guerril” (1969), Babai i Artës te “Ndërgjegja” (1972), Dago te “Mysafiri” (1979), Xhaferr Bej Kadena te “Nëntori i Dytë” (1982), Ligur Bashi te “Balada e Kurbinit” (1989) etj.
Një pasion tjetër i madh i Pipit, siç e thërrisnin bashkëmoshatarët, ka qenë sporti. Ai ka nisur të merret me sport në moshë shumë të re, që në vitin 1945 kur ai u aktivizua në ekipet e volejbollit dhe basketbollit në Durrës, duke fituar titullin e kampionit për të rinj në vitet 1946-1947.
Në moshën 18-vjeçare, Urumi përfshihet në ekipin kombëtar të notit, duke përfaqësuar Shqipërinë në Ballkaniadën e notit dhe vaterpolit në Split e më vonë edhe në Hungari. U largua nga fushat e stërvitjes në vitin 1962, duke u nderuar me titullin “Mjeshtër sporti”.
Në vitin 1992 dekorohet me titullin “Artist i Merituar”
Në familjen me emrin “Aleksandër Moisiu” bashkëshortët Spiro dhe Vera Urumi kanë zënë vend të veçantë në historikun këtij Teatri.