Esma Agolli (1928-2010). Aktore. Lindi në Tiranë, më 1 korrik. Qysh e re, në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare u aktivizua në lëvizjen teatrore në komedinë “Qazim Mulleti” dhe dramën “Sabaudin Gabrani” (1942) të B. Levonjes, në dramën “Vdekje fashizmit” të Aleksandër Banushit etj.
Pas mbarimit të Shkollës Pedagogjike, më 1945, regjisori P. Stillu e aktivizoi si aktore në Teatrin Popullor me rolin e Shabuinës në dramën “Për ata që janë në det” të B. Llavrenjerit, më 1948. Me këtë rol dhe më pas me rolet e Melit “Rrënjë të thella”, (1949), e Majlindës “Majlinda” e Xhemal Brojës, e Mashës “Orët e Kremlinit”, (1957).
E. Agolli zuri një vend të merituar në trupën e Teatrit Popullor, duke qenë ndër aktorët e para femra të saj. Në vitin 1964, kreu Liceun Artistik “Jordan Misja”. Në vitin 1962, ajo realizoi një nga figurat më të bukura të karrierës së vet, Mirandolinën, në komedinë “Zonja e bujtinës” të Goldonit, me të cilën shpërfaqi aftësi aktoriale të plota, temperament, shkathtësi, zhdërvjelltësi plastikë, ndjenjë humori dhe intuitë.
Në rolin e Shejes në dramën “Familja e peshkatarit” të S. Pitarkes krijoi një figurë të dhimbshme, duke theksuar planet psikologjike, kurse roli i Budes në dramën “Lulet e shegës të K. Jakovës ishte e një tjetër kah, i dhënë më së shumti përmes notave satirike, nervoze dhe të vrullshme.
Në vitin 2004, në moshë të thyer, solli në skenë personazhin e Semit në dramën “Streha e të harruarve të R. Pulahës. E. Agolli ishte aktore dramatike, por, herë-herë, edhe e natyres psikologjike e lirike. Eshte pasionale, ka nje ze te paster, shquhet per temperamentin dhe dinamikën e saj. Mban titullin “Artiste e merituar”.
Role të tjera: Shkurta te drama “Detyra”, Zyraja te “Plaku i maleve”, Afërdita te drama “Studentja e vitit të fundit” e I. Uruçit, Meli te “Dhelpra dhe rrushtë” e Figueredos. Në kinematografi ka luajtur: Nusja te filmi “Fëmijët e saj”, 1957; Angathia te filmi “Mysafiri”, 1979; zonja Neriman “Përtej mureve të gurta”, 1979 etj.
Esma Agolli mban titullin “Artiste e Merituar”.