Kanë vijuar edhe dje përplasjet në Kuvend mes opozitës dhe mazhorancës. Ishte ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Erisa Spiropali e cila debatoi ashpër me ish-kryeministrin Sali Berisha.
Ajo tha, se Berisha nuk e mund dot më Shqipërinë dhe se është gjenerali i një ushtrie të gjallë.
Ndërkohë, debate pati edhe mes deputetes së PS, Ermonela Felaj dhe kryetarit të komanduar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj lidhur me respektimin e rregullores së Kuvendit kur ministrat marrin fjalën dhe replikojnë me deputetët, sa herë që duan, ndërsa deputetëve nuk u jepet më fjala.
Alibeaj i kërkoi Felajt që të zbatojë rregulloren pasi në atë karrige nuk është më e PS-së por neutrale.“Fjalën për procedurë e kam. Sa herë që ulesh ti aty ndodhin vetëm incidente në këtë sallë.
Se kuptoj se çfarë frustrimi ke ti kur ulesh aty por kur je këtu je e PS-së kur je atje mundohu të tregosh që je neutral dhe zbato rregulloren. Është e drejta e parlamentarizmit replika, të kuptohet se çfarë thuhet në këtë sallë. Shyqyr që është Fadili se atë që donte të thoshte Bushati e tha ai”, tha ai.
Edhe deputeti demokrat, Agron Shehaj pati përplasje me ministren Olta Xhaçka. Duke folur në sallën e Parlamentit për raportin e DASH, është shprehur se Shqipëria është e korruptuar, pasi ka një kryeministër dhe qeveri të tillë.
“Korrupsioni në Shqipëri është i përhapur në çdo nivel, jo vetëm në tenderat, por në çdo fushë apo sektor ku nevojitet një leje, autorizim, apo licencë nuk ka asnjë lloj garë, asnjë nuk ka mundësi të garojë, çdo gjë vendoset në bazë të lidhjeve korruptive politike dhe rasti i ministres Xhaçka është më i qarti.
Ministrja Xhaçka duhet të japë dorëheqje dhe të dorëzojë mandatin sa më shpejt sepse qartësisht ka marrë përfitime nga Shteti Shqiptar. Këto janë arsyet pse bota e tregon Shqipërinë me gisht si një nga vendet më të korruptuara të Europës dhe ky është shkaku kryesor i varfërisë në Shqipëri dhe i largimit të të rinjve nga vendi”, tha Shehaj.