TV Klan, me pronar Aleksandër Frangajn, ka përfituar shuma marramendëse reklamash gjatë qeverisjes 8 vjeçare të PD, me kryeministër Sali Berishën. Të dhënat flasin se qeveria Berisha është treguar bujare me TV Klan, ndërsa ka përjashtuar nga reklamat televizionet e tjera.
Sipas të dhënave, TV Klan ka përfituar plot 12 milionë euro reklama në 8 vjet, ndërkohë që të gjitha televizionet e tjera të marra sëbashku, nuk i kaluan 2 milionë euro.
Më poshtë do të analizojmë me fakte vetëm periudhën qershor 2012 deri në fund të 2013, ku do të tregojmë ndarjen e njëanshme të reklamave nga qeveria Berisha në favor të Tv Klan.
Si i ‘përlau’ Aleksandër Frangaj mbi 90% të buxhetit qeveritar të reklamave
Sipas një raporti të Balkan Insight, të dhënat tregojnë se vetëm nga qershori i vitit 2012 deri në fund të vitit 2013 janë shpenzuar nga buxheti i shtetit 110 milionë lekë ose 730 mijë euro (sipas kursit të asaj kohe) në reklama televizive.
Pavarësisht se tregu i reklamave ndahet mbi disa kritere, i gjithë buxheti shkoi në mënyrë abuzive tek dy stacionet televizive dhe agjencitë në pronësi të Aleksandër Frangajt.
Në total, pesë kompani të lidhura me Frangajn kanë marrë 90% të buxhetit, konkretisht një shumë prej 103 milionë lekësh ose ndryshe 730 mijë euro, në reklamimin shtetëror prej dy vite. Abuzimi duket qartë, pasi televizioni më i madh në vend Top Channel, për të njëjtën periudhë kohohe, mori 1.3 milionë lekë ose 9.940 euro.
Skema: Si bëhej kalimi i fondeve drejt kompanive të Frangajt?
Skema abuzive realizohej përmes ministrive dhe bashkive, ku ajo e Mbrojtjes, që drejtohej nga Arben Imami, rezulton si më bujarja ndaj Aleksandër Frangajt.
Sipas të dhënave, na rezulton se Ministria e Mbrojtjes ka qenë shpenzuesi më i madh në këtë linjë, në masën 82.2 milionë lekë ose ndryshe 584,000 euro. Frangaj ishte pronari i Media 6, kompania mëmë e Tv Klan dhe televizionit 24 orësh informativ, ABC News (të cilin tashmë e ka shitur).
Ministria e Mbrojtjes realizoi katër fushata të mëdha reklamimi, në vlerën 584.000 euro, ku të gjitha paratë shkuan tek dy agjencitë e lidhura me Frangajn.
Të dhënat e thesarit tregojnë se në datën 6 qershor dhe në 14 qershor 2012, gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare, Ministria e Mbrojtjes firmosi dy kontrata me Zoom Events, në vlerën 40 milionë lekë ose 284 mijë euro.
Të dhënat në regjistrin e biznesit tregojnë se drejtor i Zoom Events, krijuar në 30 janar 2013 ishte Eptan Lohja. Lohja ishte menaxheri i marketingut i televizionit Klan dhe gjithashtu ka një vend në bordin mbikëqyrës të televizioneve Tv Klan dhe ABC Neës.
E njëjta ministri dha dy kontrata tjera në shumën 42.7 milionë lekë ose ndryshe 300 mijë euro për Promo Sh.p.k, një agjenci reklamimi në pronësi të Eduart Frangajt, vëllai i Aleksandër Frangajt.
Bujaria e shtetit me Frangajn, kontribuuan edhe komunat
Jo vetëm Ministria e Mbrojtjes, por edhe Ministria e Brendshme, e Bujqësisë, e Drejtësisë, madje edhe komunat kanë treguar bujari ndaj Promo Sh.p.k dhe kompanive të lidhura me Frangajn.
Promo Sh.p.k ka marrë dy kontrata tjera nga Ministria e Brendshme respektivisht në vlerën 3.9 milionë lekë dhe 9.97 milionë lekë. Ministria e Bujqësisë dha për Media 6 dy kontrata dhe një tjetër nga Ministria e Drejtësisë në dy vitet e fundit, në vlerën 3.6 milionë lekë.
Tre kontrata të tjera të vogla ju dhanë ABC News nga dy komuna të drejtuara nga demokratët dhe Ministria e Bujqësisë në vlerën 2.7 milionë lekë. Një tjetër kompani e Frangajt, Media 66 mori një kontratë nga Ministria e Drejtësisë në masën 1.4 milionë lekë. Çfarë grabitje!(Shqip)