Publikohet letra dërguar nga Dita për Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela, Prokuroren e Tiranës, Elisabeta Imeraj dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Artur Metani. Sa do zgjasë ende liria e dy personave tashmë të identifikuar me emra, ndërsa pritet publikimi i fotove të tyre dhe mega-mashtrimi ka bërë tashmë mijëra viktima?
Për:
PROKURORIN E PËRGJITHSHËM, Z. OLSIAN ÇELA
PROKUROREN E TIRANËS, ZNJ. ELISABETA IMERAJ
INSPEKTORIN E LARTË TË DREJTËSISË, Z. ARTUR METANI
Si pjesë të një investigimi mediatik, kemi publikuar tre artikuj që lidhen me një mega-skandal të përmasave shumë të rënda që ka prekur mijëra shqiptarë.
Në opinionin tonë, nga letrat dhe historitë e treguara ky skandal barazohet për nga përmasat me mashtrimin e ‘firmave piramidale’ në vitet ‘93-’97.
Skema e mashtrimit ka zbuluar një zinxhir të lidhur njerëzish brenda një godine që quhet “Star” dhe që përfshin, një institucion financiar jobankë, avokatë, përmbarues dhe një notere.
Çdo ditë kemi kontakte me qytetarë që rrëfejnë hallin që u ka rënë në kurriz duke paguar shuma të cilat nuk i kanë, duke u detyruar të marrin kredi në mashtrim dhe jeta e tyre është kthyer në një makth borxhesh të padrejta.
Të gjithë mendojnë se pas këtij mashtrimi është vetë SHTETI.
Ne jemi gazetarë, dhe jo juristë. Por këto 3 javë kemi dëgjuar aq histori shoqëruar me dokumente kompromentuese, sa nuk ka nevojë për njohuri të veçanta të ligjit për të kuptuar se këtu kemi të bëjmë me një MASHTRIM GALOPANT ME SHIFRA MARRAMENDËSE MILIONA EURO.
Njerëzit e mashtruar ngulin këmbë: “Ata nga pas kanë shtetin. Ata janë të gjithë bashkë”.
Ne po pyesim të gjithë personat e “shtetit” për të arritur një përfundim.
Pyetëm Ministrinë e Drejtësisë, që na informoi se, që në vitin 2018, kjo Ministri ka depozituar disa kallëzime penale në prokurori për skemën Star por nga Prokuroria s’ka asnjë përfundim lidhur me to.
Ministria ka kallëzuar me shkresën nr.5204/4 prot, datë 08.2018, ZIG, Arben Meskuti, për kryerjen e veprës penale “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”.
Në 28.09.2018, prokuroria ka vendosur mosfillimin e kallëzimit penal të Ministrit.
Gjykata me vendimin nr. 4823, datë 22.01.2019 ka prishur vendimin e mosfillimit të prokurorit, që u la në fuqi edhe nga gjykata e apelit Tiranë, 15.04.2019. Pas 455 ditësh s’ka asnjë vendim tjetër të prokurorisë për këtë çështje.
Kallëzim tjetër nga ministria, është ai me nr. 2475/2019, ndaj avokatëve Arben Meskuti, Fiona Kadiu etj. për veprën penale “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”. Pas 1 viti e gjysëm hetimesh ende asnjë rezultat nga prokuroria.
Në datë 19.02.2020, Ministria ka bërë prapë kallëzim penal për veprat “Mashtrim” me pasoja të rënda të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, “Shpërdorim detyre”, “Përvetësim i titullit apo detyrës shtetërore”, kundër: Micro Credit Albania, ADCA, SHP ZiG, FS, FLASH, Olsi Ibro, Elda Ibro, Arben Meskuti, Ernela Cuberi etj.
Ministria pretendon se, “Për këtë kallëzim nuk kemi ende një informacion nga prokuroria për ecurinë e tij[…] çështja duhet të jetë ende në hetim në kushtet kur Ministria e Drejtësisë nuk është thirrur apo njoftuar nga gjykata ose prokuroria mbi ndonjë vendimmarrje të mundshme.”
Faqja e parë e DITA
Qendra Star vazhdon punën mashtruese pa u shqetësuar, pasojat rëndohen mbi dhjetra familje këto 4 muaj që prokuroria “mendohet” apo heton… këtë do e tregoni ju.
Nëse autorët e mashtrimit që pretendojnë qytetarët dhe kallëzon Ministria e Drejtësisë nesër dalin të fajshëm, kush i kthen mbrapsht pasojat e rënda të mashtrimit sot që viktima të reja krijon çdo ditë?
Provat e mashtrimit po kanë kohën të fshihen, prokuroria d.m.th., SHTETI po hesht!
Ne si gazetarë dimë për Reformën në Drejtësi. Për pavarësinë e prokurorit dhe të prokurorisë. Dimë për ligjet e reja dhe hetimet e ndërlikuara. Por dimë në këtë rast që provat po ‘ulërasin’ vetë çdo ditë. Njerëzit vijnë të dëshmojnë në media dhe jo në prokurori, sepse askush nuk i thërret.
PËRSE?
Janë me dhjetra emra fatkeqësh të mashtruar në dosjet e prokurorisë që duhet të dëshmojnë të vërtetën e tyre. Janë mijëra dosje me fate njerëzish që janë marrë peng nga mashtruesit “Star” në godinën “Star” që vazhdojnë punën të qetë. Por ne nuk dimë përse prokuroria hesht dhe nuk lëviz. Nuk i sekuestron dosjet me fate njerëzish në to.
Ministria e Drejtësisë shfajësohet me kallëzime. Dhe të mendosh se, kur zvarritet 2 vjet një kallëzim nga Ministria e Drejtësisë, çfarë ndodh me çështjet e qytetarëve të thjeshtë?!
Përgjigjen të gjithë e dimë, ne si media dhe të gjithë ata që janë përplasur në ato dyer në kërkim të shpëtimit nga të qenit peng i sharlatanëve dhe mashtruesve.
Ky rast nuk mund të jetë si të tjerët, kur viktimat numërohen me mijëra. Dëmi ekonomik në xhepat e qytetarëve, miliona euro. Dëmi moral, psikologjik dhe trajtimi torturues që i bëhej atyre te qendra “Star”, i pamatë.
Rrëmbimi dhe zhvatja e pronave si rasti i qytetarit nga Kavaja që çelësat e dyqanit i mbante në xhep dhe hipotekën e kishte grabitur MCA me burrin e noteres, nuk mund të trajtohet si gjithë të tjerët, me procedurë normale, kur t`i vijë radha.
Noterja që gënjeu gjithë shtetin me punishten – noteri s’mund të trajtohet me procedurë normale. Fotot dhe punishtja janë aty, prova të flagrancës së krimit të bërë në sy e faqe të të gjithë atyre që jetojnë në Kavajë dhe Shqipëri.
Çfarë pret prokuroria?! Që qytetari të marrë hak, apo noterët e Kavajës të bëjnë vetëgjyqësi?!
Ne e mbështesim pavarësinë e institucioneve të Drejtësisë së re, prokurorin dhe prokurorinë si institucion, por nuk mund të presim për drejtësinë e munguar për vite dhe vite të tëra, hetime pa fund apo hetime të pakryera, kur dy vjet kanë kaluar dhe krimi “Star” vazhdon.
Ndaj kjo letër e hapur, dërgohet para jush, në respekt të të gjithë atyre që tek DITA kanë gjetur këto javë një derë që hapet.
Por duhet ta keni ju këtë vëmendje, duhet ta dëgjoni ju zërin që kumbon te vuajtjet e tyre. Ju keni në dorë drejtësinë dhe akuzën. Ju keni në dorë të shkundni malin e dosjeve që rrinë apo “flenë” mbi tavolina zyre, për t’u hetuar me paanësi, profesionalizëm dhe për të treguar se:
Shtet ka!
Prokurori ka!
Prokuroria është aty!
Prokuroria nuk fle!
Prokurorët janë njerëz me integritet, dinjitet dhe nuk mund të blihen apo shiten lirë siç rëndom ka ndodhur këto vite dhe është lejuar kjo masakër financiare!
Letra e mësipërme u dërgua nga DITA me email dhe me postë në tre institucionet e Drejtësisë, në datë 24 qershor, 2020./ Gazeta Dita