Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar ditën e sotme në lidhje me skandalin e akulloreve, të cilat kanë përbërje kancerogjene. Tashmë, AKU ka nisur bllokimin e tyre edhe në vendin tonë.
Aksioni ka nisur në qarkun e Korçës, ku pas kontrolleve në subjekte tregtare është sekuestruar një sasi e madhe e këtyre akulloreve, për t’i kthyer sërish në vendin e tyre të origjinës.
Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i AKU Korçë, Adham Papadhami, i cili tha se sekuestrimet e para janë bërë tek subjekte të cilët kanë futur këtë akullore ditët e fundit, por sekuestrime janë realizuar edhe në të gjitha subjektet e tjera që kanë pasur gjendje këto akullore.
Nuk bëhet e ditur sasia e sekuestruar e akulloreve, por vetë Papadhani u shpreh se është një sasi e madhe,
Alarmi për prezencën e lëndëve kancerogjene në këto akullore të firmave të njohura është dhënë nga komisioni Europian, ku Autoritetet e Kontrollit Ushqimor në Francë, Belgjikë, Serbi e Qipro i kanë ndaluar këto produkte të tregtohen.
Nga analizat rezulton se disa seri të këtyre të akulloreve janë të kontaminuara me një lëndë kancerogjene, oksid i etilenit dhe janë ndaluar të tregtohen. Oksidi i etilenit, sipas ekspertëve ka aftësinë të dëmtojë ADN-në dhe të shkaktojë kancer.
Përbërësi tejkalon nivelet e përcaktuara nga legjislacioni i Bashkimit Evropian. Duke qenë se këto marka tregtojnë produkte edhe në vendin tonë, AKU ka nisur gjithashtu bllokimin e tyre.