NGA RIGELS SELIMAN
Ecuria e reformës në drejtësi, procesi pozitiv i vetingut dhe kushti i Bundestagut gjerman për të hetuar gjyqtarët dhe prokurorët me probleme, ka alarmuar njerëzit e drejtësisë. Deri më tani të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që janë zhytur në afera kanë përfunduar jashtë sistemit të drejtësisë, ndërsa një pjesë e tyre rrezikojnë të ndiqen edhe penalisht.
Por kohët e fundit është vënë re se një pjesë e njerëzve të drejtësisë po dorëhiqen para se të dalin para komisioneve të vetingut dhe të njihen me gjetjet që ekspertët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kanë konstatuar sa i takon hetimit në tre shkallët, sikundër është ajo për pasurinë, integritetin moral dhe profesional, si dhe pas kushtit të Gjermanisë, e cila kërkon hetime për të ngelurit në veting, si një nga kushtet që duhet të plotësojë Tirana zyrtare, në mënyrë që t’i çelen negociatat me BE.
17 emra janë dorëhequr në prag të vetingut
Gazeta ka bërë një bilanc dhe nga fillimi i 2019-ës deri më tani që po flasim, janë plot 17 gjyqtarë që janë dorëhequr. Më konkretisht, 10 gjyqtarë janë dorëhequr gjatë vitit 2019, ku katër janë dorëhequr në muajin dhjetor, dy në muajin nëntor, dy në muajin tetor, një në muajin korrik dhe një në muajin prill. Mes këtyre dhjetë gjyqtarëve që janë dorëhequr gjatë vitit 2019, bie në sy emri i Astrit Haxhialushit, gjyqtar në Gjykatën e Apelit, kryetarja e Gjykatës së Durrësit, Joana Qeleshi dhe gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Agim Bendo, gjyqtarja e Krimeve të Rënda, Liljana Baku, gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Eneida Civici.
Po ashtu, në fillim të këtij viti janë dorëhequr edhe tre gjyqtarë, ku bie në sy ai i gjyqtares së Apelit Shkodër, Marina Rraboshta dhe gjyqtari i Apelit, Stavri Kallço. Ndërkohë që, katër gjyqtarë të tjerë janë dorëhequr dje, duke e çuar në total 17 numrin e atyre që janë larguar. Ka qenë Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili përmes një njoftimi bëri dje me dije se në mbledhjen e djeshme iu ka hequr statusin e magjistratëve tre gjyqtarëve që kanë paraqitur dorëheqjet tek ky këshill. Bëhet fjalë për gjyqtarët Arjana Liço, Ndue Gjura dhe Petraq Dhimitri. Po ashtu, në mbledhjen e djeshme KLGJ i ka hequr statusin e gjyqtarit edhe gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Tiranës, Shkëlqim Miri. Pra, në total janë plot 17 gjyqtarë që janë dorëhequr nga viti 2019 deri më tani.
Gjyqtarët në panik nga shkarkimi
Por kjo lëvizje e gjyqtarëve dhe prokurorëve që po shmangin përballjen me vetingun është një strategji e mirëmenduar, në mënyrë që t’i shpëtojnë ndëshkimit. Sipas ligjit, KPK gjatë procesit të vetingut shkëmben korrespodenca me gjyqtarët dhe prokurorët që janë duke hetuar nga komisioni, ku në disa raste që ka paqartësi, kërkon nga ta informacione shtesë. Mirëpo, duke qenë se këto korrespodenca tregojnë qartë se diçka nuk shkon dhe se deklarimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk përputhen me gjetjet e ekspertëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjatë hetimit në të tre shkallët, njerëzit e drejtësisë zgjedhin rrugën më të shkurtër për t’i shpëtuar darëve të vetingut.
Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar po dorëhiqen, duke nxjerrë justifikime, si arsye shëndetësore dhe personale sapo njihen me aktet e KPK. Pra, kjo kategori e njerëzve të drejtësisë, e kanë kuptuar që ata do të shkarkohen dhe do t’iu sekuestrohet prona, pasi të kenë dalë në seancë dëgjimore para KPK, kështu që kanë zgjedhur si rrugë dorëheqjen nga sistemi.
Precedenti “Llalla”
Por interesant është fakti se gjyqtarët që kanë pasuri të lartë e dinë se do të shkarkohen nga vetingu dhe po përdorin si precedent atë që bëri ish-kryeprokurori Adriatik Llalla disa kohë më parë, në mënyrë që t’i shpëtojnë shkarkimit dhe sekuestrimit të pasurisë. Pra, precedenti “Llalla” duket se po përdoret si strategji për të shpëtuar të zhyturit në afera. Kjo pasi sipas ligjit, sapo një gjyqtar dhe prokuror paraqet dorëheqjen para KLP dhe KLGJ, ajo merret në konsideratë dhe vihet në dijeni KPK, i cili ndërpret procesin e vetingut për ta.