Trajneri i Kukësit Skënder Gega ka arritur që të fitojë betejën me COVID-19. Klubi i Kukësit ka njoftuar se trajneri është shëruar dhe ka lënë spitalit ku po kurohej në Turqi.
“Duke parë ecurinë pozitive, efektin dhe rezultatet pozitive të terapisë, doktorët kanë dalë në konkluzion dhe falë progresit pozitiv që ka qenë shumë i shpejtë duke rregulluar të gjitha parametrat, është lejuar të fluturojë drejt Tiranës”, njofton klubi.
Më tej bëhet me dije se Gega do të kthehet në Shqipëri dhe është në gjendje shumë të mirë shëndetësore. Ai do të bjë dhe disa ditë pushim e shumë shpejt do t’i bashkohet ekipit. Gega u kurua në Turqi, por doktori specialist që e ndoqi ishte shqiptari Gersi Alisha.
Një tjetër lajm i mirë nga sporti, ku mësohet se dhe kapiteni i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj ka fituar betejën me koronavirusin.
Mediat në Itali dhe sidomos ato që qëndrojnë pranë klubit të kaltër bëjnë me dije, se mbrojtësi i kombëtares shqiptare e ka kaluar virusin famëkeq pasi tamponi i fundit të cilit i është nënshtruar ka dalë negativ dhe me shumë gjasa do të jetë gati për ndeshjen e radhës në Europa League atë ndaj holandezëve të AZ Alkmaar.
Hysaj u infektua me COVID-19 gjatë grumbullimit me kombëtaren shqiptare teksa rezultoi pozitiv para ndeshjes së Nations League ndaj Bjellorusisë.
Në këto dy javë kuqeziu ka qëndruar në karantinë por nga dita e sotme pritet t’i bashkohet Napolit në stërvitje me shpresën se do të luajë disa minuta në sfidën e të enjtes ndaj Alkmaar për të qenë plotësisht gati për takimin e fundjavës në Serie A ndaj Crotones në transfertë.