Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vijojë me të njëjtin kurs sa i takon reformën në drejtësi dhe luftës ndaj korrupsionit. Yuri Kim mori ditën e djeshme zyrtarisht, drejtimin e ambasadës dhe dha një mesazh të qartë se nuk do të ketë asnjë kompromis për reformën në drejtësi.
Pasi i dorëzoi letrat kredenciale në Presidencë, Kim mbajti një konferencë për shtyp në ambientet e ambasadës amerikane, ku foli me të njëjtën retorikë si ish-ambasadori i SHBA, Donald Lu, i cili i ka mëshuar luftës ndaj korrupsionit dhe kryesisht vijueshmërisë së reformës në drejtësi. Ambasadorja e re e SHBA e bëri të qartë se SHBA do të jetë përherë në mbështetje të Shqipërisë, që ky vend të jetë një vend demokratik dhe theksoi se e sheh vendin tonë si një partner. Mes të tjerash ajo deklaroi se SHBA është e gatshme të ndihmojë Shqipërinë që të përmirësojë taktikat e saj për rrugën drejt integrimit në BE.
“SHBA është vendosur të ndihmojë Shqipërinë që të bëhet një aleate edhe më e fortë edhe më e aftë. SHBA janë të përkushtuara që ta ndihmojnë Shqipërinë të forcojë kandidaturën e saj për në BE. Ne do të vazhdojmë të mbështesim aspiratën e popullit shqiptar për një drejtësi ku të gjithë duhet të respektojnë të njëjtat rregulla. Pres me kënaqësi të punoj me udhëheqësit e Shqipërisë ndërsa ata marrin hapa të vështirë, por absolutisht të nevojshëm për të zbatuar reformën në drejtësi për të luftuar krimin e organizuar dhe për të larguar korrupsionin nga sistemi shqiptar. Jam besimplotë se nëse drejtësia dhe integriteti do hedhin rrënjë në Shqipëri më shumë investitorë do të tërhiqen drejt Shqipërisë, duke krijuar më shumë vende pune si për amerikanët, dhe për shqiptarët”, ka deklaruar ambasadorja Kim. Por me këtë deklaratë ambasadorja duket se ka prerë shpresat e Metës, Berishë dhe Bashës. Sipas burimeve, sytë e tyre, sidomos presidentit, ishin te ambasadorja. Jo pa qëllim Meta e sulmonte reformën në drejtësi, me shpresën se ambasadorja e re do të ndërhyjë për zhbërjen e saj. Po ashtu dhe Berisha ka qenë në të njëjtën linjë. Deklarata e saj e djeshme tregon edhe një herë se reforma nuk ka kthim pas.
Partneriteti SHBA-Shqipëri
Gjatë fjalës së saj si ambasadorja e re e SHBA në Shqipëri, Kim u ndal tek partneriteti shumë vjeçar midis dy vendeve, ku kujtoi edhe disa periudhe historike, siç është edhe themelimi i ambasadës së SHBA në Shqipëri. “Kjo ndërtesë e bukur qëndron si një testament për forcën e qëndrueshme të marrëdhënieve amerikano-shqiptare. Miqësia jonë nuk u ndërtua në një ditë, por rrënjët e saj janë të thella. 100 vite më parë, Presidenti Wilson ngriti zërin për Shqipërinë, atëherë kur askush nuk e bëri, duke mos lejuar fuqitë e mëdha të ndanin Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris”, deklaroi ambasadorja e SHBA-së në vendin tonë. Mes të tjerash, ajo përmendi dhe rolin e medias “Zëri i Amerikës”, për të cilën tha se ka shërbyer si një ndërmjetës për dy vendet që përcillte lajmet, por po ashtu edhe shkëndija shprese. Kim kujtoi se SHBA ka qenë pranë Shqipërisë në vitin 1991 pas rënies së regjimit të Enver Hoxhës.
“Presidenti amerikan e përdori fuqinë e SHBA për të mbështetur një Shqipëri të pavarur. Kur kundër çdo gjase ai priti një përfaqësi shqiptare në Uashington dhe i hapi rrugën anëtarësimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në vitin 1920. Ashtu siç të gjithë e dimë, pas Luftës së Dytë Botërore të dy qeveritë tona morën rrugë të ndryshme. Por edhe kur qeveritë nuk e njihnin njëra-tjetrën, popujt tanë vazhduan ta mbanin pranë njëri-tjetrin. Ne qëndruam të lidhur dhe flisnim me njëri-tjetrin përmes “Zërit të Amerikës”, i cili jo vetëm transmetonte lajme, por edhe shkëndija shprese. Këto shkëndija shprese ndezën shpejt të gjithë Shqipërinë dhe ne qëndruam me ju në vitin 1991 kur u çliruat nga kthetrat e komunizmit. Është një moment ku duhet të ndjeheni krenar dhe me të drejtë”, tha Kim. /ARBJONA ÇIBUKU/SOT