Deputeti Spartak Braho, në librin e tij “Masakroni Servet Pëllumbin”, ka nxjerrë detaje të tjera nga zhvillimet politike në 30 vite demokraci. Braho tregon se ai ka fakte që vërtetojnë problemet psikike të Berishës. Nga ana tjetër ai shprehet se arkivat jugosllave e kanë dosjen e tij agjenturore.
Ballë për ballë me Sali Berishën
Isha zgjedhur Kryetar i Komisionit Parlamentar i Rregullores dhe Imunitetit të Mandateve në Legjislaturën e vitit 1997-2001. Një komision, pa ndonjë angazhim të veçantë, por që në ato ditë të dhjetorit 1997 , u bë epiqendër, pasi ky Komision do të shqyrtonte kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm Arben Rakipi për t’i hequr imunitetin deputetit Sali Berisha.
Komisioni përbëhej nga unë si Kryetar, Nard Noka nënkryetar, Nikoll Lesi, Afrim Çenga, Ligoraq Karamelo dhe Fatmir Xhindi etj. Ndonëse Berisha u thirr disa herë për t’u njohur me materialin e Prokurorisë, ai nuk u paraqit. E njoftova përsëri nëpërmjet Drejtorisë së Policisë se duhej të paraqitej, ndryshe do të merrej forcërisht. U paraqit në zyrat e Kuvendit, ku mblidhej dhe Komisioni, por ndjehej fodullëku aq sa sytë i nxirrnin xixa.
E ftova të ulej në karrige, por nuk pranoi, i bëra të ditur qëllimin e thirrjes dhe njëkohësisht me shpejtësi i lexova dhe materialin së bashku me kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme. E pyeta nëse kishte diçka për të thënë, por më tha “Jo! Këto janë të gjitha shpifje, kërkush s’mund t’ia heqi imunitetin Sali Berishës”. Dhe duke turfulluar, u ngrit për të dalë në drejtim të derës.
“Dëgjo Sali Berisha” i thashë “këto që ju i quani shpifje, do t’i hetojë Prokuroria dhe do t’i gjykojë Gjykata. Në këto raste, juve duhet të dorëzoni imunitetin! Ky është dhe vendimi i Komisionit”. Një pjesë e Komisionit, ishte larguar përpara se të shpallej vendimi. Vetëm deputeti Nikoll Lesi, Afrim Çenga dhe Fatmir Xhindi kishin qëndruar, por kaq ishte e mjaftueshme për të marrë vendimin. Të nesërmen, seanca plenare votoi heqjen e imunitetit të deputetit Sali Berisha, por për 4 vjet ai nuk u paraqit asnjëherë vullnetarisht në Prokurori…
Berisha, edhe pse gjakësor ka frikë si qeni nga i zoti
-Si jurist dhe si deputet nuk jeni shprehur ende për ngjarjet e 14 shtatorit, për të cilat po hetohet. Sipas jush cili është roli i PD në to? Nga niseni kur thoni se “Berisha është padyshim organizatori i grushtit të shtetit”?
Nga hetimet paraprake rezulton që 8-9 roje të grupit të shoqërimit të Berishës ishin në krye të atyre që dhunuan godinat shtetërore. Në ta përfshihen Izet Haxhia, Sali Lusha e të tjerë, të cilët janë aktualisht në grupin e shoqërimit të Berishës apo që i ka larguar prej tij kohët e fundit. Me 14 shtator ata i gjen kudo me armë në dorë. Tashmë fytyrat e tyre janë te filmuara në celuloid duke sulmuar Kryeministrinë, Televizionin Kombëtar dhe Kryesinë e Parlamentit. Grupi i sulmit, i përbërë nga rojet e Berishës përbënin palcën e grushtit të shtetit. Hetime të mëtejshme do të sjellin edhe prova të reja.
-Çfarë keni parasysh me prova të reja?
Për mua janë dy ngjarje të rëndësishme që kanë ndodhur tani. Hedhja në erë e shtyllës së tensionit në Vaun e Dejës dhe vjedhja spektakolare e Bankës së Tropojës. Ndonëse ende të pavërtetuara nga ana ligjore, në vijimësi të analizës së ngjarjeve të fundit unë arrij në përfundimin se veprimtaria kriminale e Berishës do të vazhdojë edhe pas ngjarjeve të 14 shtatorit. Kam bindjen se ata që sulmuan komisariatin e Lezhës, rrëzuan shtyllën e tensionit të lartë të Vaut të Dejës dhe vodhën Bankën e Tropojës, janë segmente kriminale të grupimeve të organizuara nga Berisha.
-Pas këtyre që kanë ndodhur çfarë mjedisi gjen qeveria Majko?
Qeveria e re nuk duhet të ketë asnjë iluzion për ditët që po vijnë. Ajo duhet të jetë e bindur se sivjet do të kalojë një dimër tejet të vështirë. Berisha është betuar ta lërë Shqipërinë me kandil këtë vit. Ai do të organizojë sabotime në pikat më nevralgjike. Kam parasysh jo vetëm sektorin ekonomik, por edhe sektorë të tjerë që lidhen me stabilitetin e vendit, si gjendja e rendit publik, bllokimi i rrugëve e të tjera. Nuk përjashtohen akte kriminale, në të cilat do të përfshihen vrasje të tjera të natyrës politike. Ne tani jemi përpara një referendumi, miratimi i të cilit është i padiskutueshëm, por edhe pas tij qeverisja nuk do të jetë e lehtë, përkundrazi ajo do të ketë një kosto shumë të lartë.
-Ju njiheni si një ndër kundërshtarët më të mëdhenj të Berishës. Kjo vetëm duke pasur pozicionin e tij politik?
Jam shprehur edhe më parë për statusin e dyshimtë të Berishës, jo vetëm nga ana politike, por edhe ajo mendore. Berisha mesa duket paraqet simptomën e një psikopati të lindur, truri i të cilit përjeton turbullime të rënda nervore për shkak të sëmundjes, të cilën ai vuan. Ai është diagnostikuar kohë më parë dhe tani është provuar se ai vuan nga çrregullime të furnizimit të trurit me gjak. Këtë diagnozë atij ia ka vënë në dukje shumë vite më parë profesor Bajram Preza dhe doktor M. Veveçka. Më vonë në të njëjtin konkluzion arriti dhe mjeku austriak, Kurt Jellinger, i klinikës Lainz, në Vjene, i cili e ka kuruar Berishën gjatë vitit 1990. Berisha është vetë mjek dhe e di ç’pasoja ka një tru, që nuk furnizohet normalisht me gjak.
-Cilat janë burimet e këtij informacioni?
Ka një dokumentacion për këtë, të cilin e disponoj jo vetëm unë, por edhe Ministria e Jashtme dhe ajo e Shëndetësisë nxjerrë nga studioja mjekësore e profesor Kurt Jellinger në Vjenë të Austrisë. Mjekët psikiatër dhe neurologë e njohin mirë statusin mendor të Berishës. Ata heshtin se Berisha është i pamëshirshëm, madje një pjesë e tyre janë detyruar të largohen nga Shqipëria.
-Po ju vetë a keni frikë nga Berisha?
Nuk i jam trembur Berishës as edhe kur ai më akuzoi në 1996, si organizator të atentatit të Shkallnurit dhe në këtë kohë ai që më akuzonte, pra Berisha, ishte President i vendit. Unë do të thoja se është Berisha ai që dridhet dhe ka frikë nga unë.
-Ju deklaruat më lart se do të ketë sërish vrasje politike. Nga niseni kur e thoni këtë?
Nisem nga fakti se ajo që shpjegon gjithë historitë e ardhjes së Berishës dhe PD në pushtet zë fill me 2 prillin. Ende e pazbardhur, ajo ngjarje zbulon gjithë enigmën. Avokat Bezhani në librin e tij arrin në përfundimin dhe gati sa nuk e thotë hapur se krimi politik i 2 prillit ishte një kombinim i veprimtarisë kriminale të UBD-së me drejtues të lartë të PD-së në atë kohë. Berisha s’është ndalur asnjëherë kur ka qënë fjala për të realizuar qëllimet e tij, këtë ai është përpjekur ta bëjë me çdo kusht, madje edhe duke eliminuar bashkëpunëtorët apo kundërshtarët e tij politikë.
Berisha – Bukoshi, Binomi UDB-ash i Millosheviçit
-Bujar Bukoshi dhe Mark Krasniqi kanë qenë dy njerëzit e ngarkuar nga Berisha në Kosovë për të organizuar pritjen e tij, mund të shpjegoni se çfarë i lidh këta njerëz me Berishën?
Lidhjet e Bukoshit me Berishën janë të hershme, unë do të veçoja akademikun Krasniqi sepse përpara se t’i hynte politikës ai ka qenë njeri i nderuar i letrave shqipe, është një akademik që i ka dhënë çështjes së kulturës shqiptare. Kuptohet në rrethana të caktuara ose në ndikime të caktuara ai iu fut politikës, por mendoj se nuk do të jetë aq dobiprurës në këtë çështje aq sa ç’ishte në fushën e letrave.
Kuptohet që askush nuk ka të drejtë t’i ndërpresë atij hovin për t’u marrë me politikë, por lidhjet dhe bashkëpunimi i tij me segmente antikombëtare siç është në rastin konkret lidhja Berisha – Bukoshi, dëmtojnë imazhin e akademikut Krasniqi. Megjithatë është puna e tij. Duke u ndalur në lidhjet e hershme të Bukoshit me Berishën, unë do të kujtoja faktin se ky bashkëpunim është institucionalizuar pas dhënies së Bukoshit të nënshtetësisë shqiptare ose dy nënshtetësi nga ana e Berishës. Më pas Bukoshi u pajis me pasaportë dhe status diplomatik shqiptar.
Biografia politike e Bukoshit zë fill me konstituimin e tij formal si kryeministër i Presidentit Rugova, ndërkohë që Parlamenti i atëhershëm kosovar i drejtuar nga Rugova asnjëherë nuk ndërmori aktin formal të zgjedhjes së Bukoshit si Kryeministër, por që thjesht një caktim de fakto i tij dhe gjatë tërë periudhës së ekzistencës së këtij Parlamenti dhe kësaj qeverie që kryesoi në ekzil Bukoshi asnjëherë nuk u organizua ndonjë veprimtari që të legalizonin aktivitetin e qeverisë së Bukoshit, që kryesohej nga një njeri shëtitës nëpër Europë. Ndërsa nga njëra anë ai ushtroi disa detyra të ngarkuara në mënyre direkte dhe indirekte nga Rugova, detyra që shërbenin për mbledhjen e ndihmave financiare, që sipas llogaritjeve rezulton se aktualisht Bukoshi sot është politikani më i pasur i politikës kosovare, se nën firmën e tij rezultojnë të depozituar rreth 350 milionë marka të dhëna nga kosovarët. Bukoshi njihet si organizator i trafiqeve, të drogës dhe të armëve ose e thënë në mënyrë më të plotë Bukoshi është profesor dhe përfaqësues i sektit mafioz kosovar. Unë dua t’ju them se Berisha vazhdimisht e ka përdorur Bukoshin për interesat dhe qëllimet e tij, ashtu siç është munduar të shfrytëzojë Rugovën për interesat dhe qëllimet e tij dhe shpesh herë e ka kompromentuar edhe pozicionin e Rugovës si politikan. Do të përmend faktin që ky vjedhës i kualifikuar i emigracionit kosovar ose ky i ashtuquajtur organizator i trupave kosovare FARK, që është e kundërta e vullnetarëve kosovarë të inkuadruar në UÇK njihet prej kohësh si një ndërlidhës aktiv i qarqeve fondamentaliste islamike midis tyre dhe Berishës. Tashmë është e qartë që Bukoshi ka bashkëpunuar ngushtë me Bashkim Gazideden, ish-shefin e SHIK të Berishës që në vitet e qeverisjes së Berishës. Ka qenë shquar për organizimin dhe stërvitjen e trupave me origjinë të dyshimtë kosovare dhe islamike në territorin kosovar. Por këto organizime janë prezente edhe në kohët e tanishme. Janë të fiksuara takimet e Bukoshit me Gazideden ashtu siç janë të fiksuara takimet me Agim Shehun në vendet e Europës Qendrore. Berisha e ka përdorur Bukoshin në mënyrë aktive jo vetëm për lidhjen e tij me terroristët islamikë, për rekrutimin dhe sjelljen e tyre në Shqipëri, por edhe për atë fakt që Berisha pas vitit 1997 kërkoi që nëpërmjet Bukoshit të krijonte bandat ushtarake me qëllim që të përgatiste rrëzimin e rezultatit të 29 qershorit. Bukoshi njihet si organizatori i këtyre bandave ushtarake, të cilat kulmin e tyre e arritën me aktivizimin në grushtin e shtetit të 14 shtatorit 1998. Tashmë nuk përbën ndonjë sekret biseda mes Berishës dhe Bukoshit, e cila është incizuar dhe është zbardhur për publikun dhe kjo bisedë e famshme Bukoshi – Berisha tashme është e arkivuar diku.
(“Zëri i Popullit”, e premte, 16 qershor 2000)
Dosja agjenturore e Berishës është në arkivat jugosllave
-Si i vlerësoni marrëdhëniet mes Berishës dhe Koshtunicës duke qenë se Kryetari i PD-së ka bërë një deklaratë shumë entuziaste në drejtim të presidentit serb, duke e përshëndetur atë në deklarimin “Po kemi vrarë në Kosovë” pa kërkuar falje a dëmshpërblim për tragjedinë e shkaktuar në Kosovë nga Millosheviçi?
Pa dyshim që zhvillimet e fundit në Serbi, ose në pjesën e saj që ka mbetur nga Jugosllavia, janë pozitive edhe në këtë pjesë të veriut të Ballkanit, po ndodhin ato proçese që ndodhin në tërë vendet postkomuniste. Kështu që duhen përshëndetur zhvillimet në ish-Jugosllavi, veçanërisht nga rënia e diktatorit të fundit Millosheviç. Çështja është se nuk duhet të kalohet në eufori, duhet parë me shumë kujdes e duhen ndjekur me shumë vëmendje zhvillimet në Jugosllavinë e mbetur, në Serbi, për arsye se shenjat e para të krijojnë idenë e një zëvendësimi të butë të Millosheviçit pra të një largimi të butë, pavarësisht nga lëvizja e rezistencës që krijoi populli serb i udhëhequr nga forcat opozitare. Zhvillimet e para treguan që Koshtunica nuk ishte larg qëndrimeve të Millosheviçit, madje e kaluara e tij politike para ardhjes në pushtet e komprometonte atë hapur për faktin se ka qënë në përkrahje dhe mbështetje të forcave paramilitare serbe në Kosovë, por ashtu dhe qëndrimi i tij jo i prerë nga zhvillimet demokratike në Kosovë, madje nga mosnjohja reale e tyre, lë të kuptohet se Koshtunica po vazhdon po atë vijë të Millosheviçit. Ditët e fundit dhe veçanërisht në takimin apo samitin e Shkupit, Koshtunica ka bërë disa deklarata që janë për t’u parë më kujdes, për t’u vlerësuar dhe që në shumicën e tyre ato shprehin pozitivitet. E rëndësishme është që Serbia të njohë procesin e ndryshimeve që kanë ndodhur e po ndodhin në Kosovë, të njohë zgjedhjet që do të zhvillohen në Kosovë së afërmi dhe organet e zgjedhura prej tyre, të njohë dhe të marrë pjesë aktive në lirimin e të burgosurve politikë kosovarë që ndodhen ende në burgjet serbe si dhe të angazhohet dhe të dënojë ato veprime që çuan në mijëra viktima gjatë luftës në Kosovë nga ushtria dhe paramilitarët serbë. Përsa i përket qëndrimit të Berishës, unë e kam thënë edhe më parë, Berisha ka qenë, është dhe do të mbetet një kapter i zellshëm i politikës serbe sepse ai është plotësisht dhe e vërtetuar, ka qenë është dhe do të mbetet një hije e shkruar në dosjet e zbulimeve të fshehta jugosllave. Padyshim që këtë fakt e dëshmon jo vetëm prania fizike e këtij agjenti, dokumentacionet e rekrutimit të këtij agjenti, për këtë fakt e dëshmojnë dhe janë në dijeni mjaft agjensi të tjera të zbulimeve të huaja. Këtë e dëshmon më së miri dhe tërë vijimësia dhe vija e sjelljes dhe e qëndrimeve që ka mbajtur Sali Berisha gjatë këtij dhjetëvjeçari në favor të Serbisë dhe Millosheviçit. Padyshim që Millosheviçi iku, por dosja e Berishës ka mbetur në sirtarët e UDB-së jugosllave. Kështu që ajo dosje do të bjerë në ustallarë të rinj, shefa të rinj dhe varet se me çfarë zelli dhe si do ta përdorin ata përsëri Berishën dhe të tjerë që mban ai në krah.
(“Zëri i Popullit”, e premte, 27 tetor 2000)
Berisha kopjon modelin serb të revoltave
Të gjithë jemi dëshmitarë të para disa ditëve të mitingut të paralajmëruar të Sali Berishës të asaj pjese që mund të quhet elektorati i tij. Por në ndryshim nga mitingjet e tjera të tij, ky miting pati disa karakteristika të veçanta, të cilat vetëm një sy i vëmendshëm mund ti dallonte, t’i shikonte me kujdes për të vlerësuar si një ndryshim jo vetëm i taktikës së Berishës për të realizuar atë çka mendon të realizojë nëpërmjet këtyre mitingjeve, por edhe nga strategjia e tij. Së pari, duhet të nënvizohet fakti që ky miting ndaj të cilit organet e Ministrisë së Rendit, mbajtën një qëndrim legal, duke legalizuar manifestuesit përkrahës të Berishës pasi vendi pranë presidiumit ishte mjaft i ngushtë. Menjëherë pas përfundimit të mitingut, pra në një mënyrë krejt të papritur protestuesit nën drejtimin e Berishës u turrën drejt selisë së kryeministrisë. E veçanta qëndron se në ndryshim nga mitingjet e mëparshme këtë herë ishte lideri i PD që i priu turmës i rrethuar në formë rrethi nga badigardët e tij dhe nga skalioni i dytë i drejtuesve të PD-së, por dhe mjaft ish-drejtues të SHIK-ut për Tiranën dhe të tjerë të kohës së Gazidedes. Së dyti, veçoria tjetër e këtij mitingu ishte që ndonëse për nga numri i pjesëmarrësve ishte nën të zakonshmen e mitingjeve të mëparshme ose për atë pjesë që marshoi drejt Kryeministrisë kishte një lloj homogjeniteti, ku binin në sy mjaft fytyra që shquheshin qartë se ishin njerëz të rrethinave të Tiranës, kishte edhe mjaft elemente kriminalë, ish-vrasës dhe kuadrati mbyllej me ish-oficerë të policisë së Berishës. Nën drejtimin e atij që mori drejtimin e mitingut, Edi Palokës, ata u ulën me komanda përpara shkallëve të kryeministrisë, organizuan në ndonjë moment të caktuar edhe incidente, fyerje, sharje ndaj forcave të policisë dhe ato pamje që transmetuan mediat të kujtonin pak a shumë vizionet e sulmit kundër Kryeministrisë më 14 shtator 1998.
-Mirëpo Berisha gjatë gjithë kohës qëndroi në mes të turmës, pa kryer asnjë lëvizje. Komenti juaj?
Është plotësisht e vërtetë. Duhet vënë në dukje fakti që Berisha gjatë gjithë kohës qëndroi në zemër të mitingut, gjë që është jo e zakontë jo vetëm për rolin që ka luajtur Berisha, por vetë substraktin psikologjik të tij. Pavarësisht nga egërsia e fjalorit, por në të vërtetë ai nuk shquhet për ndonjë trimëri të madhe përballë kundërvënies së shtetit, përballë kundërvënies së organeve të policisë, por Berisha zgjodhi pikërisht atë rrugë për të qëndruar në mes të turmës për dy arsye: Pikësëpari ai kërkon t’u japë zemër njerëzve të tij dhe së dyti, ajo që është më kryesorja, është që kjo protestë e Berishës, ky rebelim i Berishës me mitingashët e tij, ngjante të realizohej si një kopje e protestave serbe të opozitës së Koshtunicës, Xhinxhiçit për të përmbysur sistemin e Millosheviçit. Natyrisht ky është si të thuash modeli i zgjedhur nga Berisha për të kopjuar këto lloj protestash të serbëve. Ndërsa modeli serb i nxitur nga opozita dhe nën drejtimin e liderëve Koshtunica etj., përkrahej dhe madje ka përkrahje nga komunitetit ndërkombëtar dhe nga SHBA, Berisha tashmë me veprimet e tij, pavarësisht nga kopjet që zgjedh, është i izoluar, nuk ka asnjë lloj përkrahje dhe kjo kopje e keqe e modelit serb të revoltave është e destinuar të dështojë, ashtu siç dështuan përballë qëndrimit gjakftohtë të mbajtur nga organet e rendit dhe organet e tjera, që janë në mbrojtje të institucioneve të shtetit në të tilla raste. Ajo që dua të theksoj në këtë rast është një fakt. Pavarësisht nga modelet që zgjedh Berisha, pavarësisht nga modeli serb apo Koshtunica që ka zgjedhur Berisha, asnjëherë nuk duhet harruar fakti që me këto veprime Berisha jo vetëm që kërkon të gjejë shtetin të papërgatitur, ta testojë, por ai synon që në qoftë se i jepet mundësia të krijojë atë çka meritoi, qoftë edhe me formën e një grushti shteti siç veproi më 14 shtator të vitit 1998.
(E dielë, 29 tetor 2000)
BERISHA SHKËRMOQI PD-në
-Cili është mendimi juaj lidhur me Partinë e re Demokratike?
Për mua kjo nuk është një gjë e rastit dhe e papritur. Ky proçes shkërmoqjeje për arsye objektive dhe prej Berishës është i vonuar dhe duhet të kishte ndodhur më parë. Kjo ndarje ka ndodhur prej shumë vitesh dhe këtu kam parasysh largimin nga PD-ja të liderëve themelues të saj. Ky divorc vazhdoi me figura të tjera të PD-së derisa u arrit në largimin atyre që sot paraqiten në krye të lëvizjes për reformim të PD-së, Pollo, Xhaferri, Ndoka etj. Po çfarë përfaqëson ky fenomen dhe cili është qëndrimi dhe reagimi i PS ndaj këtij copëzimi? A është vërtet ky grupim i ri politik, një grupim moderator që sjell diçka të re në spektrin politik shqiptar? Fenomeni i këtij grupimi të ri të djathtë në thelb shpreh krizën e tërë spektrit politik të djathtë shqiptar, që deri në 1997 tregoi se nuk ishte në gjendje të realizonte ideale të mëdha mbi të cilat u krijuan PD-ja dhe parti të tjera. Kjo krizë e thelle krijoi shtratin për dobësimin e PD-së dhe krijimi i grupeve të reja politike po përpiqet të korrigjojë edhe gabimet e rënda që i dedikohen PD-së dhe veçanërisht drejtimit të Sali Berishës. Nëse vërtet ky grupim i ri politik do të krijojë një fytyrë të re të PD-së, nëse është vërtet moderator kjo vlen për t’u diskutuar. Do shpresoja që Pollo dhe të tjerë të aspironin vërtet idealet e të djathtës, ndryshe nga PD-ja e Sali Berishës, por nuk kam bindje, madje kam përshtypjen që disa prej të moderuarve janë të pakënaqur dhe të zemëruarit e PD-së, ata janë larguar për motive karriere dhe jo realisht përfaqësojnë një formacion të qartë të reformuarish.
(“Intervista”, 17 shkurt 2001)