Ish-kryeministri Sali Berisha dhe vartësit e tij duket se nuk do e kenë aq të lehtë t’ia hedhin aferës së CEZ. Ndonëse Gjykata e Shkallës së Parë pushoi hetimet, çështja do të shkojë në Apel. Lajmin e ka bërë të ditur për gazetën “SOT” juristi Romeo Kara, i cili është edhe një ndër paditësit.
Sipas juristit Kara, padia do të bëhet gjatë javës që vjen, duke shtuar se drejtësia në vend nuk i ka shërbyer aspak zbulimit të së vërtetës që lidhet me çështjen e CEZ. Romeo Kara shtoi më tej se nuk ka aspak besim në sistemin e drejtësisë në vend, pasi sipas tij nuk po jepen vendime të drejta. “Së pari, apelimin do ta bëj pikërisht në javën që vjen, sepse edhe afati i parashikuar nga Kodi i Procedurës Penale nuk të lë më tepër se 15 ditë kohë në këto raste. Së dyti, unë kam besuar dhe besoj tek ajo e vërtetë që kam konstatuar përgjatë investigimeve të mia në përmbushje të detyrës sime, dhe njëkohësisht besoj se këtë përballje do ta fitoj.
Së treti, unë nuk kam më asnjë besim në tërësi për sistemin tonë të drejtësisë, përfshirë edhe Gjykatën e Apelit, por kjo nuk më demotivon për të vazhduar në rrugën time për ta fituar këtë çështje si dhe për vendosjen e plotë të drejtësisë në Shqipëri. Së katërti, unë krahas apelimit të vendimit të Gjykatës Penale së Shkallës së Parë Tiranë, do të kallëzoj penalisht të gjithë personat që abuzuan me detyrën, e shpërdoruan atë duke e zvarritur këtë çështje, duke e sorollatur atë dosje, duke e mbyllur njëherë brenda 8 ditësh dhe njëherë pas dy vjetësh, por pa bërë asnjë investigim, që në vend që t’i shërbenin zbardhjes së plotë të së vërtetës, i shërbyen mbulimit të saj dhe autorëve të kësaj afere”, tha Kara për gazetën.
Juristi paralajmëroi edhe një kallëzim penal për gjyqtarin Lazër Sallaku për pushimin e hetimeve për aferën me CEZ. “Unë do të kallëzoj pikërisht edhe gjyqtarin që e pushoi këtë çështje duke injoruar faktet e reja të ofruara nga unë, zbulimin e transaksioneve të 6.8 milionë eurove për Nuel Kalajn, inaktivitetin e qëllimshëm dy-vjeçar të prokurorisë, moskonstatimin flagrant të veprave penale, të cilat nuk kishin fare nevojë të provoheshin me prova shtesë etj”, tha Kara.
Afera me çekët
Më tej juristi Romeo Kara foli edhe për milionat që u përvetësuan nga afera me CEZ. Sipas tij, kompania çeke ka qenë më e favorizuara dhe ka përfituar plot 110 milionë euro, duke shtuar se vetëm duke u bazuar në këtë provë gjyqtari kishte arsye për të çuar për gjykim të gjithë të akuzuarit prej tij. “Së pesti, të gjithë shqiptarët duhet ta kenë të qartë se, OSSH-ja nuk është shitur 102 milionë euro, dhe nuk është kjo vlera reale e transaksionit përfundimtar. Zyrtarisht është thënë shifra 102 milionë euro, por në realitet CEZ-i është favorizuar me mbi 110 milionë euro që në momentin e parë. Pra përveç se OSSH-ja është dhënë realisht falas, CEZ-it i janë dhënë edhe disa milionë euro më tepër. Kjo është e qartë dhe nuk e luan as topi. Pikërisht këtë gjë gjykatësi nuk kishte nevojë për prova të tjera për ta konstatuar dhe për ta çuar çështjen për gjykim. Pikërisht për këtë gjë unë do ta kallëzoj penalisht atë. Së gjashti, duhet të marrë fund njëherë e mirë mbyllja e çështjeve të mëdha të korrupsionit vetëm me procedurë. Unë do ta testoj deri në fund moralin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri lidhur përsa më sipër, duke e përballur atë me një provë kuptimplotë që tregon se sa është në gjendje ky sistem të realizojë vendosjen e drejtësisë në Shqipëri”, u shpreh Romeo Kara.
Ja qëndrimi i plotë i juristit Kara
Së pari, apelimin do ta bëj pikërisht në javën që vjen, sepse edhe afati i parashikuar nga Kodi i Procedurës Penale nuk të lë më tepër se 15 ditë kohë në këto raste. Së dyti, unë kam besuar dhe besoj tek ajo e vërtetë që kam konstatuar përgjatë investigimeve të mia në përmbushje të detyrës sime, dhe njëkohësisht besoj se këtë përballje do ta fitoj. Së treti, unë nuk kam më asnjë besim në tërësi për sistemin tonë të drejtësisë, përfshirë edhe Gjykatën e Apelit, por kjo nuk më demotivon për të vazhduar në rrugën time për ta fituar këtë çështje si dhe për vendosjen e plotë të drejtësisë në Shqipëri. Së katërti, unë krahas apelimit të vendimit të Gjykatës Penale së Shkallës së Parë Tiranë, do të kallëzoj penalisht të gjithë personat që abuzuan me detyrën, e shpërdoruan atë duke e zvarritur këtë çështje, duke e sorollatur atë dosje, duke e mbyllur njëherë brenda 8 ditësh dhe njëherë pas dy vjetësh, por pa bërë asnjë investigim, që në vend që t’i shërbenin zbardhjes së plotë të së vërtetës, i shërbyen mbulimit të saj dhe autorëve të kësaj afere. Unë do të kallëzoj pikërisht edhe gjyqtarin që e pushoi këtë çështje duke injoruar faktet e reja të ofruara nga unë, zbulimin e transaksioneve të 6.8 milionë eurove për Nuel Kalajn, inaktivitetin e qëllimshëm dyvjeçar të prokurorisë, moskonstatimin flagrant të veprave penale të cilat nuk kishin fare nevojë të provoheshin me prova shtesë etj.
Ky vendim pushimi nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, është në shkelje të plotë të ligjit, është një dhunim i hapur ndaj çdo personi që aspiron për drejtësi dhe një mesazh i qartë se, kur vjen fjala për të gjykuar pushtetarët e nivelit të lartë, gjithmonë do të ketë gjyqtarë që bazuar vetëm në vullnetin e tyre, do të mund të injorojnë çdo fakt e provë dhe çdo parashikim ligjor, vetëm e vetëm që pushtetarët të mos cenohen. Mjafton vetëm një fakt, që në këtë çështje unë kam argumentuar mbi 20 raste të shkeljeve të pastra ligjore si p.sh moszbatimet flagrante të ligjit të privatizimit të OSSH-së, të ligjit të prokurimit, të ligjit për tregtarët dhe ndërmarrjet tregtare, të VKM-ve që ka nxjerrë vetë qeveria, të afateve procedurale në fillimin e procedurës dhe lidhjen e kontratës, të marrjes përsipër padrejtësisht të detyrimeve të OSSH-së nga KESH-i, të ndryshimit skandaloz të specifikimeve teknike pasi janë hapur ofertat, të zëvendësimit të procedurës së hapur me një proces të paligjshëm negocimi, të ngritjes së komisionit të vlerësimit të ofertave dhe komitetit të konsulencës dhe transparencës në kundërshtim me ligjin, të pagimit dy herë të kompanisë konsulentë IFC etj.
Së pesti, të gjithë shqiptarët duhet ta kenë të qartë se, OSSH-ja nuk është shitur 102 milionë euro, dhe nuk është kjo vlera reale e transaksionit përfundimtar. Zyrtarisht është thënë shifra 102 milionë euro, por në realitet CEZ-i është favorizuar me mbi 110 milionë euro që në momentin e parë. Pra përveç se OSSH-ja është dhënë realisht falas, CEZ-it i janë dhënë edhe disa milionë euro më tepër. Kjo është e qartë dhe nuk e luan as topi. Pikërisht këtë gjë gjykatësi nuk kishte nevojë për prova të tjera për ta konstatuar dhe për ta çuar çështjen për gjykim. Pikërisht për këtë gjë unë do ta kallëzoj penalisht atë.
Së gjashti, duhet të marrë fund njëherë e mirë mbyllja e çështjeve të mëdha të korrupsionit vetëm me procedurë. Unë do ta testoj deri në fund moralin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri lidhur përsa më sipër, duke e përballur atë me një provë kuptimplotë që tregon se sa është në gjendje ky sistem të realizojë vendosjen e drejtësisë në Shqipëri.
Së shtati, unë po i vërtetoj të gjithë opinionit se ligjet ndëshkuese nuk janë për pushtetarët, se kur bëhet fjalë për te prokuroria dhe gjykata kthehen në mburoja të tyre, se ky sistem i korruptuar është pikërisht mburoja më e fortë e tyre. Në këtë këndvështrim unë do ta vazhdoj përballjen time në të gjitha rrafshet me këtë sistem duke iniciuar si të domosdoshme një lëvizje popullore për drejtësi. Nëse korrupsioni shtetëror do të vazhdojë t’i rrezojë me arrogancë faktet dhe provat kundër tij, atëherë një lëvizje popullore për drejtësi kundër gjithë kësaj politike 30 vjeçare do të jetë misioni im në vazhdim të kësaj përballje që kam nisur prej disa vjetësh. Jam i sigurt se këtë përballje do ta fitoj unë dhe të gjithë ata që mendojnë dhe veprojnë si unë. Perandori edhe më të mëdha se kjo perandoria 30 vjeçare e krimit, kanë rënë pikërisht nga njerëz të thjeshtë që kanë zotëruar të vërteta të shenjta dhe kanë ditur të përballen duke u mbështetur në parime.
Një revoltë e madhe për drejtësi, vlon sot në mendjen dhe shpirtin e çdo shqiptari që e njeh këtë situatë, përballet me këtë realitet dhe është i detyruar të jetojë nën poshtërimin e padrejtësisë të aleancës së zezë politike-oligarki financiare-media-krim. Kjo revoltë patjetër që natyrshëm do t’i bashkojë shqiptarët e ndershëm dhe do t’i bëjë të ndërgjegjshëm për fatin e tyre të vënë në pazar prej 30 vitesh si dhe do bëjë që ata ta fshijnë me rrënjë këtë realitet anti-human. Kush aspiron për drejtësi, për shance realisht të barabarta, për pushtet me duar të pastra, për një ndëshkim shembullor të krimit, për konfiskimin e pasurive të krimit dhe politikës, për rishpërndarjen e pasurisë, për një shtet real social, për largimin e duarve të ndyra të politikës nga administrata, për rikthimin e vlerave të vërteta në çdo aspekt, që do instalimin e demokracisë direkte, padyshim që do t’i bashkohet kësaj lëvizjeje. Politika e korruptuar mund ta mbyllë me pazare dhe procedurë këtë çështje, por kjo gjë do të jetë vetëm përkohësisht, pasi skena e çështjes do dali nga kontrolli i kësaj politike dhe do të interpretohet vetëm nga populli. I vetmi aktor që realisht kërkon zbatimin e drejtësisë është populli./Sot/ ELISJEDA KIKO