Nga Nikolla Llambro
Besoj do ketë qenë mesi i shkurtit në fillim të viteve 90-të. Herët në mëngjes prisja autobusin e linjës urban për të shkuar në punë.
Një erë e ftohtë dhe e thatë më kishte strukur në një cep duke u dridhur lehtë nga të ftohtit.
Era ngrinte vorbulla herë-herë, aty këtu, si “tajfunë” të vegjël duke marrë me vete lloj-lloj mbeturinash, ambalazhe të ndryshme, kuti cigaresh, gjethe pemësh të vonuara, copa letrash, gazetash, sende që rrokulliseshin me tinguj e zhurma sipas llojit. Ato herë ndaleshin, herë lëviznin sipas ritmit e qejfit të erës së ftohtë fishkëlluese.
I shikoja me indiferentizëm e bezdi, sepse pluhuri që ngrinte era po më futej në sy. Pa pritur, era ndali diçka aty afër meje. Ndjeva tronditje. Ishte një copë gazetë, e veçantë, e njohur. U afrova para se era ta merrte e ta hidhte tej. Ngriva! E baltosur, tërë njolla; gërmat vende-vende nuk shquheshin, e grisur, ku mezi lexohej: “ZËR POP…”
Më poshtë fillimi i një artikulli me disa fjalë shqip gjysma-gjysma, pasi ajo copë gazetë shqip që era e solli te këmbët e mia në mes të Athinës, ishte e shkelur, e bërë pis, vrima-vrima, e grisur. U ula dhe e mora në duar. Mornica më përshkuan trupin. Një lëmsh u mblodh brenda meje. Nuk ishte një copë gazetë, ishte ZËRI I POPULLIT- tim. Zëri i Popullit… I çjerrë, i pa dëgjuar, i uritur, i ngjirur, i braktisur, i vuajtur, i baltosur, i shkelur, i gjakosur…
Desha të bërtas! Një burrë pranë meje më pa me çudi e cinizëm. Lëviza më tej. E futa atë fletë të grisur në xhepin e brendshëm, thuajse bosh, të portofolit tim.
Tërë ditën në punë isha i mpirë. Punoja pa vetëdije. Një mall më mbyste fytin, një stuhi kujtimesh kalonin para meje.
Pas pune kur shkova në shtëpi nuk i thashë time shoqeje, megjithëse më pyeti nëse isha mirë me shëndet, duke parë hutimin tim.
Pa u vënë re, e vendosa në një kuti bosh nga ato që mbajnë sendet e florinjta, diku në dollap. Kutinë e mbanim se qe e bukur, se flori s’pati kurrë. Në fillim, dikur e nxirrja nga kutia fshehur. Veshët më buçisnin nga thirrjet e emocionet. Malli më mbyste…
***
Kaluan vite. Me ndërrimin e shtëpisë, kutia diku humbi. Humbi dhe copa e gazetës që më drithëronte duke më kthyer mbrapa në një oqean kujtimesh e ngjarjesh.
Sot në këtë ngujim ku jam, në këtë “burg” ku na dënuan pa faj, m’u kujtua sërish historia e asaj cope gazete, e gazetës “ZËRI I POPULLIT”, e Popullit tim.
Eeeehhh! Sa ngjarje, sa histori tronditëse, sa ndodhi, sa tragjedi, sa vuajtje e sa pak gëzime, sa pak lumturi, sa dhimbje, sa revoltë mbart klithma e Popullit tim në historinë e vet.
Çfarë kujtoj? Kujtoj vitet e fëmijërisë sime kur qaja e s’ngopesha me bukën që na mungonte e kur nëna më pyeste, i thoshja, nuk qaj për bukë, por qaj për ujë. Kujtoj kur zbathur me shokët bridhnim sokeqeve e kopsht më kopsht në Gjirokastër e “vidhnim” fruta?
Vitet e Gjimnazit “Asim Zeneli”, ku thurëm ëndrrat e jetës. Vitet plot vrull të Institutit, aksionet e rinisë etj, etj. Punën me Trupën e Teatrit në Gjirokastër, shfaqjet e bukura, filmat që xhiruam në Kinostudio…
Kujtoj pastaj radhët e gjata plot ankth për vajguri, për dy shishe qumësht, zënkat në këto radha?
Sharjet e Gjyshes sime që nuk dinte mirë shqip, por kur i prishnin radhën shante shqip: “-Kush prishi rala ime e q..fsha nëna?!” Pastaj erdhi batërdia e eksodit masiv. Hemorragjia e ikjes së madhe drejt të panjohurës.
Të kujtoj natën e 2 Korrikut, kur tërë populli i Tiranës u sul në Ambasada? Populli klithi, shpërtheu… Nuk harroj dot deri sa të jem gjallë ato klithmat e të rinjve e të rejave në Urën e Subashit afër Gjirokastrës që vraponin malit të Shtëpëzit, ose binin në lumin Drino në Dhjetor për të shpëtuar nga breshëritë e automatikëve…
Si mund të harrohen karvanët e gjatë të njerëzve të sfilitur, të uritur, që kalonin ditë e natë drejt kufirit të së pa njohurës, drejt Malit Morganë duke mbetur humnerave pa nam e nishan. Nuk harrohen vaporët e ngarkuar me mijëra njerëz drejt Italisë, diskriminimi, poshtërimi që iu bë popullit të pa faj e të vuajtur.
A mund të harrohet shkatërrimi i gjithçkaje të ndërtuar me djersë e gjak nga ky popull në emër të teorive kriminale si “Çeku i bardhë”, “Drita jeshile”, “Fillimi nga zero”? Si mund të harrojë e mos bërtasë ky popull nga shkatërrimi i Shëndetësisë, i Arsimit, i Industrisë, i Ushtrisë? Si mund të harrohet shitja e pasurisë kombëtare, prishja e muzeve e traditave, shkatërrimi i çdo gjëje të vyer që ky popull e ndërtoi me mund e sakrifica.
Po a mund të fshihet nga historia, a mund të harrojë ky popull Vitin e mbrapshtë 1997? A mund të harrohet Gërdeci, 21 Janari? Mund të harrohen hajdutët monstruozë e të pa skrupull politikanë? Ka prej tyre që as emrin nuk dinë të shkruajnë mirë, por dinë shumë mirë të vjedhin e të vrasin…
A mund të harrojë populli Kuçedrën me katër kokë tashmë të majmur mirë, që e ka vënë nën kthetra dhe e mban të robëruar, të tallur, të shtypur, të sfilitur, të uritur e të varfër?
Po unë? Nuk mund të harroj një ditë prilli në Sarandë. Katër djem të rinj nga Kukësi punonin në një objekt. Më kërkuan një pikë ujë. U afrova dhe i pyeta. Shikonin me frikë rreth e rrotull. Atëkohë paguheshin 500 lekë (të vjetra) në ditë. Duhet të ushqeheshin vetë, të dërgonin dhe diçka në shtëpi. “Keni ngrënë gjë?”-u thashë. “-Jo!- më thanë – hamë vetëm një herë në ditë!”.
U shokova. Me paret që m’u gjendën shkova bleva ç’munda. U ulën e po hanin të babëzitur. I shikoja dhe mu mblodh një lëmsh në fyt. Kishin moshën e fëmijëve të mi. Pas pak erdhën medemek punë dhënësit. Ishin në moshën e tyre. Ndërhyra. U grindëm. – “Ik më thanë se të bëjmë varrin këtu. Këta tani nuk do punojnë dot”. U tmerrova. Ishin “pronarët” e ardhshëm shqiptarë!
A mund të mos i dëgjoj unë klithmat e gjithë këtyre viteve? Klithmat e Popullit tim?! Jooo kuurrëëë, kuurrëëëë! Unë i ndjej këto klithma, këtë revoltë, këtë akumulim, këtë llavë që po zien… Zien! E mjerë ju o të mjerë!
Në 11 nëntor 1991 kapërceva kufirin. Në anën tjetër kisha fëmijët, kisha familjen. Matanë kangjellave kishte mbetur Atdheu!
Në autobusin që më çonte drejt Athinës, dielli m’u duk i lëbyrtë, me një shkëlqim të verdhë drithërues. Mbështeta kokën te xhami, gëlltita lotët. Po shkoja drejt humbëtirës, drejt të panjohurës…
M’u desh pak kohë të kuptoja atë që më kishte thënë një kushëri i tim eti avokat, kur erdhi për vizitë në 1985 në Shqipëri. E pyeta si ishte Athina, më tha: – “Një xhungël, po s’pate punë dhe siguracion, je i mbaruar!” Kishte plotësisht të drejtë! Por xhungël është sot kudo, për 90 përqind të popullit shqiptar, i cili i detyruar vazhdon ikën, ikën, ikën…
E si mund të harroj atë “pronarin e shtëpisë” që vinte ditë e natë të na shikonte, sa vetë ishim në shtëpi, si të harroj kur mbeta në sirtar me një kartmonedhë të vetme, vetë i katërt.
Si mund të harroj kur punëdhënësi më quante: “Kolo Alvane (bythë shqiptari) dhe unë desh e vrava; Kur tjetri më detyroi të punoja në një vend ku më rrezikohej jeta 95% dhe pa siguracion, e kur kundërshtova më tha: “Hajde, se shqiptar je”.
Si mund të harroj kur duke punuar në rrugë në lagjen Virona, më erdhi në korçar endacak e më tha: “File ligo psomi!”… (o mik pak bukë). E kur i fola shqip, i rrodhën lotët. Lotuam të dy. Kishte tre ditë që flinte strehave, ngrënë e pa ngrënë. I dhashë ç’kisha. E lamë të vinte ditën tjetër. Nuk erdhi! Atë ditë m’u prenë duart! Ç’u bë, vdiq? E zuri policia?
E si harrohet e ashtuquajtura famëkeqja “Fshesa” që i “fshinte” shqiptarët kudo ku i zinte, dëngje-dëngje. Të rrahur, të poshtëruar, të pangrënë, i çonin në kufi.
Si mund të harrohen radhët e gjata në zyrat e lejeve të qëndrimit, mijëra pare të harxhuara për një vizë, ajo fjala “Pisoo, piisoo!”..(mbrapa, mbrapa) e policëve kapadaij e kokoroshë. Si mund të harroj kur asistent-regjisori në një film më quajti “palo alvane” (shqiptar i pistë). Unë grisa rrobat dhe ika nga xhirimi.
Po klithma e atyre nëntëdhjetë e ca vlonjatëve, burra gra e fëmijë që i mbyti Italia me porosi të armikut më të madh të popullit shqiptar në shekuj?
E sot populli prapë ikën, ikën, ikën me dhimbje, me një klithmë së brendshmi, me një brengë, me mallin që merr me vete përjetësisht.
O zëri i dhimbjes, i vuajtjes, zëri bukurisë shpirtërore, i këngës, zëri i zgjuarsisë, zëri i besës. Zëri i lirisë! Zëri i trimërisë! Ti nuk do shuhesh kurrrëë, kurrrëëë brenda meje, o ZË I POPULLIT tim martir!