Nëse shihje parrullat e djeshme të protestës së Sali Berishës, kupton më së miri modelin e qeverisjes së tij, por edhe atë se me sa duket askush nuk kishte ardhur në protestë për krizën dhe rritjen e çmimeve, por për hallin e familjes Berisha.
Aty shihje parrulla kundër Sorosit e plot marrëzira të tilla, por jo kundër rritjes së çmimit.
Por parrullla më përfaqësuese ishte ajo “Laprak-Paskuqan-Babrru, toka është e shenjtë, mos e prek”.
Është ironike në fakt, por ato zona përfaqësojnë dramën e vërtetë të Shqipërisë, pasi ata erdhën dhe zaptuan tokat, që tani thonë se i kanë të tyret dhe po ua grabit shteti për ndërtimin e rrugëve.
Me sa duket kërkojnë sërish rikthimin e modelit “Berisha”, që shkaktoi një nga dramat më të mëdha në vend, duke lejuar vjedhjen dhe zaptimin e pronave, çka jo vetëm ka sjellë qindra viktima dhe mijëra gjyqe e gjoba për Shqipërinë në Strasburg, por ka penguar ardhjen e investitorëve të mëdhenj në vend, për shkak të konfliktit të pronave.