Gjatë vitit 2021 janë hetuar 316 politikan dhe individë të botës së krimit. Kjo bëhet e ditur në raportin e SPAK për vitin 2021.
Në raportin e SPAK të siguruar nga gazeta “SOT”, thuhet, se për vitin 2021 janë hetuar gjithsej 316 hetime pasurore dhe janë konfiskuar edhe 5 llogari bankare me vlerë totale 20,184,468.82 lekë dhe 13 llogari bankare me vlerë totale 1,019,012 euro.
“Nga Prokuroria e Posaçme, për periudhën kohore 01.01.2021-31.12.2021, janë hetuar gjithsej 316 hetime pasurore. Për sa i përket verifikimeve pasurore, rezulton se:
Për 5 hetime është marrë vendim mosfillimi nga prokurori përkatës, për 2 hetime është marrë vendim dërgimi për kompetencë, për 309 hetime vazhdon procesi i hetimit. Për periudhën 01.1.2021-31.12.2021, nga Prokuroria e Posaçme, për periudhën 01.01.2021- 31.12.2021, janë paraqitur në gjykatë 14 kërkesa për sekuestrim, në vlera të hollash, subjektesh tregtare, pasurish të luajtshme dhe të paluajtshme, ndërkohe që nga gjykata janë marrë 14 vendime sekuestrimi me pranim kërkese duke sekuestruar përkatësisht: 21 pasuri të luajtshme, 67 pasuri të paluajtshme, 5 llogari bankare me vlerë totale 20,184,468.82 Lekë dhe 13 llogari bankare me vlerë totale 1,019,012 €”, thuhet në raport.
Ndërkohë, në raport bëhet me dije edhe numri i konfiskuar i pasurive në proces penal. Sipas raportit, është dhënë konfiskim pasurie në proces penal në 41 vendime penale.“Është dhënë konfiskim pasurie në proces penal, në 41 vendime penale. Pasuri të paluajtshme të konfiskuara: Apartamente 4 (katër), bar restorante, hotel 4( katër) kate + podrum, lokal 300 m2, lokal me sipërfaqe 120 m2, ndërtesë pularie 1 (një)., tokë me sipërfaqe 22.300 m 2. Vlera monetare të konfiskuara në lek, euro dhe dollar: 20.191.231 lekë, 189.811 euro, 38.101 usd”, thuhet në raportin e SPAK.
Ekzekutimi i vendimeve penale
Ndërkohë, lidhur me ekzekutimin e vendimeve penale, thuhet se janë ekzekutuar 77 vendime gjykate të formës së prerë. Sipas raportit nga këto 36 vendime kanë marrë formë te prerë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës te Parë dhe 41 vendime në Gjykatën e Posaçme të Apelit.
“Të dhëna statistikore në lidhje me ekzekutimet e vendimeve gjyqësore të formës së prerë gjatë vitit 2021 janë si më poshtë : Nga Janari i vitit 2021 deri më 31.12.2021, janë ekzekutuar 77 vendime gjykate të formës së prerë, nga këto 36 vendime kanë marrë formë te prerë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe 41 vendime në Gjykatën e Posaçme të Apelit”, thuhet në raport.
Sipas raportit të SPAK, janë dënuar me vendim të formës së prerë 171 të pandehur, nga këta me burgim janë dënuar 114 persona, me kusht, kohë prove janë dënuar 40 persona, ndërsa me orë pune janë dënuar 17 persona. Në raport thuhet se gjatë vitit 2021, është dhënë dhe dënimi plotësues ndalimi për të ushtruar funksion publik.
Janë dënuar me vendim të formës së prerë 171 të pandehur, nga të cilët : a. me burgim janë dënuar 114 persona. b. me kusht, kohë prove janë dënuar 40 persona. c. me orë pune janë dënuar 17 persona. Gjatë vitit 2021, përveç deklarimit fajtor dhe masës së dënimit me burg apo me kohë prove, është dhënë dhe dënimi plotësues “ndalimi për të ushtruar funksion publik”, në bazë të nenit 35 të Kodit Penal për 13 persona”, thuhet në raport.