Në Tiranë është mbajtur dje samiti për “Ballkanin e Hapur”, ku kryeministri Edi Rama priti homologun maqedonas Zoran Zaev dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, në mbyllje të samitit kryeministri Edi Rama u shpreh i vendosur për të vijuar pa Kosovën që është shprehur se nuk do t’i bashkohet nismës. Ai tha, se nuk do të ndalet dhe se ato shtete që nuk janë përfshirë vetëm po humbasin kohë.
Kryeministri Edi Rama, theksoi se nuk ka kthim pas me këtë nismë. “Ne u bëjmë thirrje vendeve të tjera që të bashkohen në këtë nismë. Janë mijëra e dhjetëra mijëra që do të përfitojnë drejtpërdrejtë. Ato vende që nuk bashkohen në këtë nismë, vetëm se do të humbasin më shumë kohë.
Vendet e tjera do të fitojnë. Thirrja ime, nuk është një thirrje që po nuk erdhët ju do të lëmë, ne e kemi nisur për Shqipërinë, unë them se ato janë të mirëpritur. As nuk do ta ndalin “Ballkanin e Hapur” e as nuk do e ndalojnë”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama tha, se nëse vendet që e kanë refuzuar nuk do të bashkohen në këtë nismë atëherë sipas tij, në 6 muajt e ardhshëm do të ftojnë Greqinë, Italinë e Hungarinë për të nisur me to nismën e “Ballkanit të Hapur”. Ai theksoi, se do të nisë edhe komunikimi me vendet e Bashkimit Evropian.
“Ne kemi vendosur sot të ftojmë në 6 muajt në vijim, vende të tjera sepse na duhet të përgatitemi mirë, ndërkohë që në samitin vijues duam të kemi, Italinë, Greqinë dhe Hungarinë, sa për ta nisur, së bashku me ne në Samitin e “Ballkanit të Hapur”.
Kemi kuptuar se nuk mjafton për tregtarët, importues, prodhues që të kenë tregti të lirë plotësisht si ata në Bashkimin Evropian, por ata kanë nevojë edhe të kenë më pak pengesa kur mbërrijnë në Bashkimin Evropian. Do të nisim të komunikojmë me vendet e Bashkimit Evropian dhe të përpiqemi ta bëjmë procesin bashkë, për tregun e përbashkët të rajonit me procesin e hyrjes në tregun e përbashkët evropian”, tha Rama.
Rama flet për marrëveshjet e firmosura
Ndërkohë, kryeministri Rama u shpreh, se marrëveshjet e rëndësishme të firmosura ndryshojnë jetën e qytetarëve. Rama tha, se në Samitin e ardhshëm do të ftojnë që të marrin pjesë edhe Greqinë, Italinë e Hungarinë, që nisma të nisë me to.
“Mundësinë dhe të drejtën e të gjithë qytetarëve për të pasur akses të menjëhershëm dhe të barabartë për lejet e punës dhe të qëndrimit. Marrëveshje për sistemin e integruar elektronik të shërbimeve i jep mundësi qytetarëve që duan të marrin shërbime të caktuara ta bëjnë këtë online, pa lëvizur nga shtëpia.
Nga janari i vitit të ardhshëm do të kalojnë lirisht në kufijtë dhe doganat respektive, pas pasur mundësi të sigurojnë 3 herë të njëjtat dokumente, që lidhen me import-eksportin e produkteve bujqësore dhe blegtorale. Për herë të parë do të çelet eksporti për kafshët e gjalla, në bazë të besimit mes autoriteteve homologe. Për tregtuesin do të funksionojë si një. Të gjitha vendet tona janë të super interesuar për tregje të reja”, tha ai.