Kryeministri Edi Rama ka folur për prestigjiozen italiane “La Stampa” nga Firence, sa i përket integrimit të vendit në BE. Rama u shpreh se procesi i anëtarësimit të vendit në BE po ecën me hapa të ngadaltë, për shkak të pengesave nga disa vende anëtare.
Ai kërkoi ndihmën e Italisë për të tejkaluar këto pengesa. “Për ne Europa është një fe dhe nuk ka asnjë zonë tjetër të ndikimit në fatin tonë europian, të cilin e kemi pritur me shekuj. Para vitit 1990 nuk mund ta ëndërronim këtë gjë. Tani, ne mund ta zgjedhim atë. Populli ynë ndihet europian.
Për fat të keq, kriza e refugjatëve ka ndryshuar BE-në për keq dhe tani Brukseli vazhdon të shtyjë negociatat, pasi vendimi është marrë, për shkak të oportunizmit nacionalist dhe egoist të disa vendeve”, tha ai. I pyetur nëse po akuzonte Bashkimin Europian për vënie pengesash, Rama faktin që vendi nuk është asnjëherë gati për hapjen e negociatave siç thuhet nga BE, e cilësoi si qesharak.
Ai vijoi më tej, duke thënë se Shqipëria nuk ka asnjë tjetër mundësi përveç Europës. “Unë them se kjo histori është paksa qesharake, që ne kurrë nuk qenkemi gati për bisedime paraprake për të filluar procesin e integrimit. Është shumë e lehtë dhe e përshtatshme të gjuajmë me gurë ndaj atyre që janë jashtë derës. Por, nuk ka asnjë fat tjetër për Shqipërinë përveç Europës. Kjo i shkon për shtat edhe Europës”, deklaroi ai.
Ndër të tjera, Rama u shpreh se është e pamundur që të parashikosh sesi do të ecë rruga e integrimit të vendit. Ai theksoi se vetë BE është drejt një reformimi të brendshëm. “Është më lehtë të parashikosh që Sassuolo do të shpallet kampion i Italisë, për të mos përmendur një skuadër të madhe si Juventusi që aktualisht po vuan sesa të vësh bast për të ardhmen e Europës. Por sigurisht, BE-ja është një krijimi i pambaruar, është ende në progres”, tha Rama.
I pyetur për influencën turke dhe kineze në Ballkanin Perëndimor, Rama ka vlerësuar ndihmën e presidentit Erdogan në përballimin e krizën shëndetësore të shkaktuar nga Covid-19. Ai theksoi se BE në fillimet e pandemisë e braktisi vendin. “Për fat presidenti Erdogan na dha dorën për të dalë nga një krizë e rëndë shëndetësore. Në fazën e parë të pandemisë, BE na braktisi dhe na izoloi.
Me forcat tona, ne kontaktuam së pari Pfizer duke u nisur drejt së panjohurës ??në Nju Jork, pastaj AstraZeneca. Më në fund, fabrika e Sinovac në Turqi, që hapi dritën jeshile për eksport. Ne gjithashtu kemi Sputnik V. Ne bëjmë rreth 25 000 vaksina në ditë për 2,8 milionë banorë”, deklaroi Rama.