Nuk ka dikaster të administratës shtetërore që nuk ka zyra dhe drejtori gjoja të specializuar për të luftuar korrupsionin. Por për çfarë duhen këto zyra këto punonjës këta specialista pa specalitet?! Duhen për të rjepur shqiptarët edhe ligjërisht edhe poshtërsisht.
Ligjërisht, si funksionar të antikorrupsionit, pa asnjë funksion dhe si punonjës që do paguhen “sa frëng pulën”, që nga dita e nesërme, ku ministri i Edi Ramës, Ulsi Manja akoma pa e ngrohur karigen u sul në xhepat e taksapaguesve shqiptarë, për të ngrohur xhepat e punonjësve që gjoja luftokan korrupsionin e që ne “shurdhët dhe qorrat” kurrë nuk kemi dëgjuar, që këto buratin zyrash ta kenë zbuluar, denoncuar, apo ndaluar një rast të vetëm korrupsioni.
Ja çfarë ka vendosur qeveria e popullit xhepgrisur:
Në kreun IV, të vendimit nr.618, datë 20.10.2021, të Këshillit të Ministrave, pas pikës 15, shtohet pika 16, me këtë përmbajtje:
“16. Përveç pagës mujore, nëpunësit në strukturën përgjegjëse kundër korrupsionit në Ministrinë e Drejtësisë përfitojnë një shtesë për natyrë të veçantë pune, në masën:
a) 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë në muaj, në pozicionet “drejtor i përgjithshëm”, si dhe “drejtor drejtorie”, “përgjegjës sektori” e “specialist”, në drejtorinë që mbulon Rrjetin e Koordinatorëve Kundër Korrupsionit;
b) 75 000 (shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë në muaj, në pozicionet “drejtor drejtorie” dhe “specialist”, në drejtorinë që mbulon njësinë operacionale të verifikimit në terren;
c) 40 000 (dyzet mijë) lekë në muaj, në pozicionet “Drejtor drejtorie”, “përgjegjës sektori” dhe “specialist”, në drejtorinë që mbulon projektet e programet në fushën kundër korrupsionit. Dhe korrupsion vazhdon, lulzon dhe copton, e shqyen xhepat e shqipëtarëve.
Aq shumë e ka mbuluar administratën dhe vendin korrupsioni sa që qeveria Rama është çoroditur, duke harruar se ka struktura të veçanta në polici dhe drejtësi që paguhen për luftën antikorrupsion.
Si mund të dublohet SPAK, Policia kriminale, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe struktura e tjera të specializuara në drejtësi dhe polici, me ca zyrtaruc qesharak, duke i joshur me superpaga.
Kjo është çmenduri dhe grabitje e pastër e qytetrëve, sepse duhet që gjithsecili të përgjigjet për punën që paguhet. Struktura të mbivendosura mbi funksionet e policisë dhe drejtësisë nëpër dikastere dhe drejtori, janë një çoroditje në drejtimin e shtetit, ndaj duhen ndaluar.
Manja nuk mund të krijoi SPAK në ministrinë që do drejtoi përkohësisht, për të shpërndarë rroga milionshe për të konkuruar administratën e Krajës edhe me paga edhe me çudira. /Ekskluzive.al