Presidenti amerikan, Donald Trump ka ftuar në Shtëpinë e Bardhë liderwt e dy vendeve në Ballkan, në një përpjekje për të ndërmjetësuar një pakt, pas mosmarrëveshjeve me dekada, të cilat edhe nxitën një ndërhyrje ushtarake amerikane në rajon.
“The Wall Steet Journal” shkruan se përkundër krizave, të trazirave mbarëkombëtare dhe përhapjes së koronavirusit, Trump shpreson të sigurojë një traktat të qëndrueshëm zyrtar të paqes në një rajon që ka qenë një pikë e parë për rivalitetet e superfuqive, për të përmirësuar kredencialet e tij të politikës së jashtme.
Por, sipas “WSJ”, hapja e re në bisedimet midis Kosovës, të mbështetur nga SHBA-ja, dhe Serbisë fqinje, aleate e Rusisë, tashmë po nxit polemika në Europë, ku diplomatët kanë frikë se Bashkimi Evropian do të mënjanohet “në oborrin e shtëpisë së vet”.
Gazeta shkruan se kryeministri i rrëzuar kohët e fundit i Kosovës, Albin Kurti, akuzon emisarin amerikan për bisedimet për orkestrimin e një “grusht shteti” kundër tij, gjë që Richard Grenell e mohon.
Gjithashtu, sipas “WSJ”, disa udhëheqës europianë thonë se marrëveshja e mundshme krijon një precedent të rrezikshëm sepse ata kanë frikë se mund të përfshijë një shkëmbim territoresh.
Ndërkohë, kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili u betua në 3 qershor, tha për “Wall Street Journal” se qeveria e tij mezi priste të hynte në negociata nën patronazhin e SHBA-së.
Sipas gazetës, Trump e pa si një interes personal këtë çështje vitin e kaluar, pasi liderët nga të dy vendet iu afruan administratës. Kështu që, siç vlerësohet më tej, zgjidhja e mosmarrëveshjes së gjatë do t’i jepte një mbështetje shefit të Shtëpisë së Bardhë përpara zgjedhjeve, besojnë zyrtarët e administratës, pasi bisedimet me Korenë e Veriut dhe presioni ndaj Iranit deri më tani kanë dhënë rezultate të kufizuara.
Por, pavarësisht “dallimeve” mes Evropës dhe SHBA-së mbi presionin e administratës Trump, një rezultat i suksesshëm do të zgjeronte gjurmët e Perëndimit në Ballkan, ku Kina dhe Rusia po konkurrojnë në mënyrë agresive për ndikim, veçanërisht që nga fillimi i pandemisë.
Në artikull thuhet se presioni i administratës Trump për një marrëveshje midis dy vendeve përfshin “paketën deri në 200 milionë dollarë në kredi amerikane me kushte preferenciale” dhe “shkopin e tërheqjes së trupave amerikane nga rajoni”.
Siç vlerëson gazeta amerikane, shtytja diplomatike amerikane ka fituar mbështetje entuziaste në Beograd dhe Prishtinë.
“Jam plotësisht i bindur që SHBA dhe udhëheqja e presidentit Trump do të na ndihmojnë të arrijmë një marrëveshje”, citohet presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.
Ndërkohë, kryeministrja serbe Ana Brnabiç ka thënë se zoti Trump kishte injektuar shpresë të re për një zgjidhje.
“Kjo është një çështje me rëndësi thelbësore dhe strategjike dhe ne jemi të etur për të vazhduar dialogun”, citon mediumi amerikan Brnabiç.
“WSJ” kujton se Kosova njihet nga mbi 100 vende, përfshirë SHBA-në, por nuk është në gjendje të bashkohet me organizata ndërkombëtare, siç janë Kombet e Bashkuara, sepse Serbia, e mbështetur nga Rusia dhe Kina, e refuzoi kërkesën e saj për pavarësi.
Dhe në këtë drejtim, z. Grenell tha që Serbia, si pjesë e nismës amerikane, ra dakord të ndalte përpjekjet për të bindur vendet dhe organizatat që të kthejnë vendimet e tyre për të njohur shtetësinë e Kosovës.
Në artikull thuhet se ndërsa Evropa dhe SHBA kanë punuar tradicionalisht si partnerë në Ballkan, kjo aleancë gradualisht është shpërbërë vitet e fundit. “Gjermania ka udhëhequr kundërshtimin evropian ndaj një shkëmbimi tokësor në Ballkan, nga frika se mund të nxirrte një valë pretendimesh territoriale në një rajon të formuar nga lufta përgjatë viteve 1990”.
Ndërkohë, muajin e kaluar, Franca dhe Gjermania u bënë thirrje të dy palëve të rifillojnë bisedimet nën “kujdesin” e BE-së.
Në këtë drejtim, vlerësohet në shkrim, zyrtarët evropianë dyshojnë se shtytja ekonomike e Uashingtonit do të zgjidhë çështjen kryesore politike, njohjen e Kosovës nga Serbia. “WSJ”