Çelja e negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë duket se ka hidhëruar shumë persona. Ndonëse duhej të ishte një ditë feste për vendin tonë, janë të shumta politikanët që nuk po e kapërdijnë dot. Ish-kryeministri Berisha e ka treguar hapur një gjë të tillë, ndërsa nuk mbeten pas as Ilir Meta dhe as kreu demokrat Basha.
Këta të fundit kanë reaguar përmes rrjeteve sociale duke dashur të përshëndesin vendimin pozitiv, por theksin e kanë vënë tek kushtet, duke treguar se ky vendim nuk i ka gëzuar shumë. Gazeta “Sot”, por tregon me detaje se përse hapja e negociatave ishte një goditje e fortë ndaj presidentit, ish-kryeministrit dhe opozitës. Vendi ynë në vitin 2014 mori statusin kandidat, duke i hapur rrugë procesit të negociatave. Por që prej kësaj kohe e deri në fillim të marsit, nuk kanë ndalur tentativat kundër integrimit.
Vitit 2015
Viti 2015, ishte viti i zgjedhjeve lokale. Në atë kohë PS dhe LSI ishin bashkë në koalicion dhe PD kandidonte e vetme. Më 12 mars opozita protestonte kundër Ilir Metës, pasi shpërtheu skandali “Doshi”. Por lëvizjet kundër negociatave nisën pas zgjedhjeve të qershorit. Opozita nuk i njohu dhe në fund të vitit nis një valë të madhe protestash, të cilat kulmuan me djegien e bunkerit te Ministria e Brendshme, protestë që bëri jehonë në të gjithë mediat ndërkombëtare. Dy protesta të tjera u zhvilluan më pas para Parlamentit duke çuar mesazhe negative në Bruksel.
Viti 2016
Viti 2016, është padyshim viti më i rëndësishëm dhe vendimtar sa i takon procesit të integrimit në BE. Në këtë vit nisi procesi i reformës në drejtësi, proces i cili solli jo pak përplasje. Megjithatë, që në shkurt opozita nisi protestat. Të gjithë e mbajnë mend përleshjen për parkun e lodrave te Liqeni Artificial. Më pas beteja u zhvendos në Parlament, ku opozita nisi sulmet me vezë ndaj ministrave. Goditja finale erdhi nga opozita duke braktisur reformën në drejtësi. PD doli hapur kundër ndryshimeve kushtetuese. U tentua disa herë një takim Rama-Basha, i cili dështoi disa herë. Pas shumë negociatash palët ranë dakord të takohen te Pallati i Kongreseve, por pa rezultat. PD doli hapur kundër miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Pas ndërhyrjes së amerikanëve PD shkoi në Parlament dhe më 21 korrik miratoi Kushtetutën e re. Por në shtator-tetor nis sërish avazi, pasi opozita ankimoi ligjin e vetingut në Kushtetuese dhe refuzoi të miratonte gjithë ligjet e tjera të reformës, përveç ligjit për luftën ndaj korrupsionit.
Viti 2017
Viti 2017, është viti i çadrës. Në shkurt PD nisi protestat masive kundër qeverisë, duke arritur kulmin me ngritjen e një çadre para Kryeministrisë. Pati një luftë të madhe politike nga shkurti deri në maj, duke sjellë takimin e famshëm Rama-Basha. Pas dakordësisë, PD hyri në Parlament dhe hapi rrugën për ngritjen e komisioneve të vetingut. Zgjedhjet u bënë dhe opozita nuk i njohu, duke filluar sërish me avazin.
Viti 2018
Në vitin 2018, PD dhe LSI u bënë bashkë dhe nisën revanshin kundër qeverisë. Por ndryshe nga protestat, këtë herë u fut në skemë bojkoti parlamentar. Në janar opozita nisi protestat mbarëkombëtare kundër qeverisë, të cilat zgjatën deri në pranverë. Protestat u shtrinë dhe në rrethe, ku pati bllokime rrugësh e djegie gomash. Të gjitha këto lëvizje minuan një vendim pozitiv në qershor për vendin tonë. Në tetor kur dhe pritje sërish vendimi i BE, opozita ju rikthye avazit, duke bojkotuar për 6 muaj Kuvendin dhe duke protestuar kundër qeverisë. Përveç kësaj duhet thekuar se nuk munguan lobimet në Gjermani e Bruksel kundër negociatave. Shumë deputetë të PD dhe vetë Basha lobonin nën rrogoz për një vendim negativ.
Viti 2019
Viti 2019 është më zjarrtë i kohëve të fundit. Opozita dogji mandatet, bojkotoi zgjedhjet dhe nisi një valë protestash të dhunshme kundër qeverisë duke tentuar destabilizimin e vendit. Por këtë herë pjesë e lojës u bë dhe presidenti. Ai anuloi zgjedhjet duke e thelluar krizën dhe nisi një luftë të fortë me qeverinë. Po ashtu bashkë me Berishën dhe Bashën nisën lobimet kundër negociatave. Në çdo dalje mediatike, Meta shprehej se nuk do ketë hapje negociatash.
Viti 2020
Gjatë vitit 2020 opozita bëri një tërheqje nga dhuna dhe përplasjet dhe në skenë doli presidenti. Meta më 2 mars doli në shesh kundër qeverisë, ndërsa dërgoi dhe një shkresë në Bruksel kundër negociatave. Por pavarësisht rrëmujës, protestave dhe lobimeve anti-BE, Brukseli hapi dritën jeshile për integrimin e vendit.