Thellohet skandali me Gjykatën Kushtetuese. Përveç faktit që Vitore Tusha (kryetarja pa mandat) futi Marsida Xhaferllarin në listën e kandidatëve për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, së fundmi është shënuar dhe një tjetër skandal. Ndonëse ka vetëm 3 anëtarë të ligjshëm, Kushtetuesja ka nisur të marrë vendime sa i takon kalimit apo jo të çështjeve për shqyrtim.
Gjatë fundit të muajit dhjetor dhe gjatë janarit, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese është mbledhur plot 51 herë dhe është vendosur që për 51 çështje të rëndësishme që të mos kalojnë për gjykim. Por teksa deri këtu është normale, pasi krijohet kuorumi prej 3 gjyqtarësh (Vitore Tusha, Fjona Papajorgji dhe Elsa Toska), pjesë e vendimmarrjes është bërë dhe Marsida Xhaferllari. Kjo e fundi ka qenë pjesë e këshillit në rreth 20 çështje, ku është vendosur gjithashtu moskalimi i kërkesës për shqyrtim në seancë plenare. Por në këtë mes ngrihen disa pikëpyetje?. A është e ligjshme që Xhaferllari të marrë vendime, ndërkohë që për të nuk ka një vendimmarrje nga ana e Gjykatës Kushtetuese nëse i takon apo jo mandati? Si ka mundësi që Vitore Tusha, të cilës i ka mbaruar mandati dhe ka marrë rolin e kryetares bën ligjin në këtë gjykatë?
A duhej që më parë Kushtetuesja të vendosë se kujt i takon mandati (Xhaferllarit apo Arta Vorpsit) përpara se të merren vendime? Gazeta edhe më herët denoncoi veprimet e kryetares së kësaj gjykate. Tusha dërgoi në Presidencë emrin e Xhaferllarit si kandidate për në KED dhe kjo e fundit u zgjodh anëtare zëvendësuese. Sikur të mos mjaftonte kjo, Xhaferllari tani ka nisur të marrë dhe vendime? Një tjetër pyetje shtrohet: Po nëse Kushtetuesja, pasi të ketë arritur kuorumin, të vendosë që Xhaferllari nuk mund të jetë anëtare, çfarë do të ndodhë me vendimet që ka marrë ajo për shumë të dënuar? Pra duket se nga dita në ditë veprimet e presidentit po fusin në kaos Kushtetuesen. Anëtari i propozuar prej tij Besnik Muçi u shkarkua, ndërsa anëtarja tjetër është dekretuar në mbarim të afatit, duke sjellë pasoja dhe në vendimmarrje.
Beteja për Kushtetuesen
Ngritja e Kushtetueses është kthyer në një betejë mes Presidencës dhe qeverisë. Kjo gjykatë do të vendosë fatin e presidentit pasi Kuvendi të bëjë shkarkimin e tij dhe për këtë arsye Kushtetuesja ka marrë rëndësi të madhe. Përplasjet për të nisën në vjeshtën e vitit që lamë pas, pasi presidenti refuzoi që të zgjidhte anëtarin e dytë brenda afatit 30 ditor. Edhe pse ligji nuk e parashikon në asnjë vend, Meta nxori një dekret për pezullimin e garës dhe më pas dekretoi Marsida Xhaferllarin. Por ligji për Gjykatën Kushtetuese e ka të përcaktuar se nëse kalon afati 30 ditor, i emëruar quhet emri i parë në listë, që ishte Arta Vorpsi.
KED dhe Kuvendi njohin këtë të fundit, ndërsa Meta shprehet se i takon Xhaferllarit. Por teksa zgjidhja në këtë mes vjen vetëm nga një vendimmarrje e plotë e Kushtetueses, kur ajo të jetë kompletuar me anëtarë, duket se në lojë ka hyrë Vitore Tusha. Kësaj të fundit i ka mbarur me kohë mandati, por vijon në detyrë dhe mban përkohësisht postin e kryetarit. Kjo e fundit duket se i ka dhënë një dorë të madhe Metës në këtë mes, pasi që në fillim nxori emrin e Xhaferllarit në faqen zyrtare të Kushtetueses, e futi më pas te lisat për anëtarë të KED, ndërsa tani Xhaferllari shfaqet dhe në vendimmarrje. Pra duket se kemi një kolaps të tërë dhe secili bën si të dojë, pa zbatuar ligj e Kushtetutë.