Albin Kurti është tërhequr pas presionit amerikan.
Ai ka lajmëruar në një konferencë për shtyp, se Kosova do të heqë taksën ndaj Serbisë, e cila ka bllokuar bisedimet mes dy vendeve.
Taksa 100% do të hiqet duke filluar nga 15 marsi.
Kurtit i është lënë afat deri në fundjavë nga SHBA që të hiqte taksat, ndryshe do të kishte pasoja.
“Nga 15 marsi do të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Kjo, si shenjë për gatishmëri për marrëveshjen ekonomike tregtare me Serbinë.
Ftojmë Serbinë që të zotohet që ta ndërpresë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Kurti.
Gjithashtu, Kurti kushtëzoi edhe Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“BE-ja ta vlerësojë lartë këtë veprimin tonë, duke filluar liberalizimin e vizave. Në rast se Serbia nuk e përfillë vullnetin e Qeverisë së Kosovës për eliminim e barrierave ekonomike, atëherë Qeveria e Kosovës me fillim nga data 1 prill do të nisë me implementimin e reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë e më pas në fushën ekonomike e politike”, ka thënë Kurti.
Kurti thotë se nëse Serbia nuk reflekton, tarifa do të rikthehet përsëri.
“Nëse pala serbe nuk reflekton përsëri, atëherë qeveria e Kosovës nga data 15 qershor do ta rikthejë tarifën përsëri.
Reciprociteti i plotë tregtar instalohet pas 15 qershorit”, shtoi Kurti.
Menjëherë pas këtij vendimi ka reaguar Ramush Haradinaj, njeriu që vendosi taksën.
“Sonte Albin Mashtruesi u dorëzua para Serbisë. Ky është fillimi i kthimit të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë.
Albin Mashtruesi nga sot je përgjegjës për ripushtimin ekonomik të Kosovës nga Serbia.
Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj”, shkruan Haradinaj.