Mbledhja e Komisionit të Ekonomisë është shoqëruar dje me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës.
Teksa diskutoheshin 2 aktet normative për ngritjen e bordit të transparencës për monitorimin e tregut të karburanteve dhe përcaktimit të çmimeve, nga mazhoranca u shpjegua se një vendim i tillë erdhi për të shmangur abuzimet në treg në kushtet kur çmimi i naftës në bursë arriti në shifra rekord.
Mirëpo për opozitën, ngitja e bordit është jo në përputhje me ligjin e kushtetutën pasi ndërhyrje të tilla përcaktohen vetëm me ligj të veçantë. Deputeti i Partisë Demokratike Edmond Spaho, tha në Komision se nisma të tilla në kundërshtim me ligjin janë rrëzuar në Gjykatën Kushtetuese.
“Kushtetuta kërkon plotësimin e dy kushteve, një që të ketë situatë të veçantë, dhe dy të bëhet me ligj dhe jo me ligjin e 1999, por me ligj kur ndodh situata e veçantë. Argumenti që jepni ju që e ka kaluar komisioni i ligjeve nuk qëndron, pasi edhe herë të tjera kemi miratuar një ligj, ne e kemi kaluar në Kuvend është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe më pas e ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese”, tha Spaho.
Pasi nuk pati dakordësi mes qeverisë dhe opozitës nëse ligji e Kushtetuta janë respektuar apo jo për këtë akt normativ, mes debatesh të forta dhe përplasjesh me deputetin e Partisë Demokratike Edmond Spaho, kryetari i Komisionit Eduard Shalsi e ndërpreu mbledhjen.
Braçe akuza lidhur me Bordin e Transparencës
Ndërkohë, kritika dhe pikëpyetje për përcaktimin e çmimeve të naftës, benzinës e gazit pati edhe nga deputeti i PS-së Erion Braçe, i cili duke e konsideruar kartel shoqatën e hidrokarbureve, kërkoi shpjegime si përcaktohej çmimi më parë dhe pse u ndryshua marzhi i fitimit.
“Deri përpara se të përcaktonim metodologjinë e çmimeve të karburanteve, cila është metodologjia e shitjes nga vetë kompanitë për tregtimin e karburantit?
Pse kemi një metodologji për çmimin e naftës dhe një tjetër për gazin? Cila ishte metodologjia që kanë përdorur kompanitë për shitjen e gazit? Mund të na shpjegoni të gjithë zinxhirin e tregtimit të naftës në këtë vend? Ku blihet? Shoqata që funksionon si kartel thotë se e blen në bursë?
Shoqata që funksionon si kartel e thotë ky brokeri, e depoziton ky brokeri, ku e depoziton karburanti? Prandaj na shpjegoni transaksionin e naftës dhe gazit nga bursa deri tek konsumatorit?”, tha ai.
Tabaku: Bordi cenon lirinë e tregut
Në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, deputetja e PD Jorida Tabaku u shpreh se krijimi i Bordeve të Transparencës është një sajesë komuniste që në fakt e prish akoma më keq tregun e hidrokarbureve që sipas saj është jo konkurrues.
“Gjykoj se Bordi Transparencës cenon lirinë e tregut dhe kjo tregon që qeveria ka dështuar për të monitoruar këtë treg dhe monopoleve i ka dhënë dhe favore të tjera. Këto kompani janë jashtë kontrollit dhe kanë operuar jashtë kontrollit dhe ministria e zotit Bejtja dhe ministra e drejtuar nga zonja Ibrahimaj kanë dështuar si në rastin e fiskalizimit dhe në rastin e monitorimit”, tha ajo.