Lojtarët e Kombëtares kanë qenë në qendër të vëmendjes së shumë medieve sportive ndërkombëtare, sidomos atyre italiane, pas performancës së mirë në eliminatoret e Botërorit, në grupin I kualifikues.
Mbrojtësit u treguan në lartësinë e duhur dhe disa prej lojtarëve të këtij reparti po bëjnë paraqitje të mira dhe me skuadrat e tyre, duke luajtur në nivele të larta. I vetmi që ka probleme në këtë periudhë duket të jetë Marash Kumbulla, i cili ka “fërkime” me trajnerin Hoze Murinjo dhe mediat e ndryshme në Spanjë e lidhin shkodranin me Seviljen në La Liga.
Nga ana tjetër, mesfushori Keidi Bare është një prej atyre shqiptarëve që kanë sukses në Spanjë. Ai është pjesë e Espanjolit dhe ka një kontribut në radhët e skuadrës, duke pasur minutazh dhe rritur shumë rolin e tij në skuadrën katalanase. Por ndryshe nga Kumbulla që ka pasur fërkime me trajnerin dhe mund të largohet nga Roma, Bare mbetet pikë e rëndësishme e Espanjolit.
Kumbulla “grindet” me Murinjon, Sevilja opsion
Ai luajti shumë mirë me Kombëtaren në ndeshjet eliminatore të Botërorit dhe mediat në Itali ia kujtuan Murinjos këtë fakt, që shqiptari po kalonte formë të mirë dhe se problemi nuk ishte ai, por fërkimet vijuan për ditë të tëra. Në fakt, pritshmëritë për Marash Kumbullën te Roma ishin të larta, veçanërisht pas ardhjes në krye të trajnerit Hoze Murinjo, i cili di si të marrë më të mirën prej futbollistëve të tij .
Mirëpo, aventura e mbrojtësit të kombëtares nën urdhrat e portugezit nuk ka shkuar sipas parashikimeve dhe 21-vjeçari pjesën më të madhe të këtij sezoni e ka kaluar në stol, ndërsa edhe kur është aktivizuar nuk ka lënë shije të mirë. Ndaj, një opsion për të nxjerrë edhe njëherë në pah versionin më të mirë të Kumbullës si në kohën kur aktivizohej te Verona është transferimi në një tjetër klub në janar.
Mundësia më optimale duket se është Sevilja, teksa drejtori sportiv i andaluzianëve, Monçi është gati të nisë bisedimet me Romën. Një transferim në një kampionat prestigjioz si La Liga do të bënte që Kumbulla të kishte sërish qendrën e vëmendjes, megjithatë mbetet për t’u parë sa do të konkretizohet një lëvizje e tillë duke qenë se synimi i spanjollëve është ta marrin Kumbullën duke shpenzuar minimalisht.
Dhe, në këtë aspekt, Roma nuk do ta hapë lehtësisht rrugën duke qenë se për shqiptarin kanë shpenzuar plot 26.5 milionë euro.
Bare në sezonin e tij më të mirë me Espanjolin
Një nga futbollistët që ka pasur goxha rol pozitiv në eliminatoret e fundit të Botërorit “Katar-2022” është padyshim Keidi Bare, i cili sidomos në ndeshjet ndaj Hungarisë dhe Polonisë pati ndikim pozitiv në repartin e mesfushës dhe i dha trajnerit Reja cilësi të mjaftueshme në organizimin e lojës përderisa veterani italian e futi titullar në shumicën e takimeve.
Ndërkohë, Bare ka bërë paraqitje vërtet të mira edhe me Espanjolin në Spanjë, duke luajtur titullar dhe duke regjistruar momente vërtet pozitive, prandaj dhe është ftuar rregullisht në Kombëtare e ka luajtur si titullar. Është formë e mirë, minutazhi në këmbë dhe cilësitë e tij teknike që e bëjnë të ketë përparësi.