“Trimëria tek ata që nuk kanë pushtet i çmend ata që e kanë pushtetin”, Tobias Wolff. Sado epokale të jetë shprehja e novelistit amerikan për raportin mes shoqërisë së shtypur nga një regjim apo kastë politike, trimëria nuk është instrumenti i vetëm për të kërcënuar, tronditur dhe shembur një model të pamëshirshëm dhe autoritar qeverisës.
E ardhmja pas triumfit kërkon arsye, vizion dhe një organizim shoqëror dhe politik shembullor. Megjithatë, për të shkatërruar një lidership të padrejtë partiak e politik gjithmonë hapi i parë që nevojitet të hidhet është shpallja e luftës ndaj kundërshtarit.
Ky është një defekt i madh psikologjik e shoqëror brenda sistemit politik shqiptar, ku zërat e vetmuar që janë dëgjuar haptazi kundër hierarkisë deformuese dhe anti-demokratike politike jo vetëm që janë spastruar dhe “mallkuar” pa mëshirë, por ka patur mjaft raste kur disa prej tyre kanë tradhtuar pa kurrfarë droje qëndrimet dhe rrugëtimin e tyre.
Sidoqoftë, në një “luftë” palët gjithmonë duhet ta kuptojnë se cilët janë. Një luftë në “hije”, një rezistencë pasive nuk është e mjaftueshme për ta nxjerrë jashtë shinave strukturën drejtuese dhe organizative politike.
Përjashtimi i Berishës, kur fryma nuk fal as krijuesin e vet
Historia e Partisë Demokratike të Shqipërisë është e mbushur me shumë konflikte, armiqësi, ku mbi të gjitha këto ka triumfuar dhe dominuar fuqia e Sali Berishës pas mëse 31 vitesh që prej themelimit të saj. Megjithëse shumë qytetarë, por dhe anëtarë, eksponentë dhe ish-eksponentë demokratë promovojnë dhe përdorin si argument kundërshtues përballë rivalit histori këtë PD, Partisë Socialistë, se kjo forcë politike erdhi si misionare e lirisë, pluralizmit, shpresës dhe ëndrrës për një të ardhme moderne në 1990 në Shqipëri, epoka prej gati 3 dekadash ka provuar se lidershipi dhe strukturat pranë tij instaluan drejtimin autoritar të Berishës dhe të frymës së tij konfliktuale duke e shtrirë në të gjitha nivelet strukturore partiake.
Pas 32 vitesh, Berisha po provon për herë të parë të qenit jo vetëm i prekshëm në PD, por dhe i mënjanuar prej kësaj “krijese”. Shpallja “non grata” nga SHBA shtyu Lulzim Bashën, por dhe eksponentë të lartë partiak që të damkosin “idhullin” e tyre politik.
Sot, ka disa zëra nga ish-funksionarë të PD se kjo parti asnjëherë nuk ka qenë një parti moderne dhe është drejtuar në mënyrë makiaveliste nga Berisha. Miti i një periudhë pluralizmi, hapjeje, gjithëpërfshirjeje dhe përqafimi të çdo mendimi brenda PD është zbehur së tepërmi pas 32 vitesh demokraci. Për herë të parë në historinë e saj, selia blu është përfshirë në konfliktin dhe krizën më të rëndë që prej themelimit të saj.
Kjo situatë nuk ka shpërthyer vetëm për shkak të “non gratës” së DASH-it ndaj Berishës, por janë shumë faktorë të brendshëm partiakë që kanë nxjerrë nga thellësia kaosin dhe pasigurinë në këtë parti. Krizat dhe konfliktet janë prodhuar e qarkulluar shpesh në Partinë Demokratike, ku gjithmonë në fund, zgjidhjen e jepte vetë Berisha. Pas kaq vitesh, shumë qytetarë, intelektualë, por dhe demokratë të thjeshtë ende nuk kanë bërë një reflektim të thellë të kostove të zgjidhjeve politike që ka ofruar ish-kryeministri Berisha.
Përpjekja për ta mbajtur Berishën larg PD dhe drejtimit të saj mund të duken në plan të parë absurde duke patur parasysh kontrollin e plotë ndaj kësaj force politike nga Berisha, por në historinë e saj politike, PD i ka në modë përjashtimet, spastrimet, goditjet nga radhët e veta. Kapitulli i parë i “krasitjeve” historinë e partisë së parë anti-komuniste është rrënjosur më së miri në kujtesën e shumë qytetarëve dhe demokratëve që u bënë dëshmitarë të ardhjes së pluralizmit politik në Shqipëri mbrëmjen e 8 dhjetorit 1990.
Bëhet fjalë për Konferencën e Jashtëzakonshme të Partisë Demokratike në 13 gusht 1992, u nxorën jashtë PD disa prej themeluesve të saj, ku vetë Berisha, i cili edhe pse ishte dorëhequr formalisht në 8 prill 1992 nga posti i kryetarit të partisë për të drejtuar Presidencën e Shqipërisë organizoi goditjen e parë brutale publike politike në Partinë Demokratike. Kjo ngjarje u realizua në vetëm 4 muaj pasi PD mori pushtetin dhe afro 2 vjet që prej themelimit të saj. Ironia është se sot Berisha goditet nga ajo frymë që ai brumosi në selinë blu.
13 gusht 1992, dita kur intrigat dhe urrejtja i shtruan rrugën degradimit të PD
Në 26 korrik 1992, Partia Demokratike pësoi humbje shokuese në zgjedhjet e para lokale post-diktatoriale përballë Partisë Socialiste, e cila kishte ndryshuar emrin nga Partia e Punës në 12 qershor 1991. Demokratët u futën në zgjedhjet bashkiake të verës 1992 me besimin e plotë se do të triumfonin në shumicë ndaj socialistëve.
Fitorja historike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 22 marsit 1992 (92 nga 140 deputetë), që vulosën daljen e PPSH në opozitë për herë të parë pas 48 vitesh, kishin krijuar bindjen te PD se triumfi i radhës do të ishte shumë i lehtë për t’u arrirë. Por në 26 korrik 1992, PS siguroi 45.43% të votave përballë 37.13% të PD. Ky rezultat hapi fushatën famëkeqe të “inkuizicionit” në Partinë Demokratike. Megjithatë, konfliktet dhe pakënaqësitë në selinë blu kishin nisur që prej fillimit të vitit 1991.
Zgjedhja dhe konfirmimi i Berishës në krye të partisë në Aktivin Kombëtar të 13-14 shkurtit 1991 dhe Kuvend Kombëtar në shtator 1991 i krijuan mundësinë kardiologut të niste vendosjen e kontrollit të plotë në PD. Në 16 dhjetor 1991, Berisha urdhëroi daljen e PD nga Qeveria e Stabilitetit e drejtuar nga Ylli Bufi. Gramoz Pashko, themelues i PD dhe atë kohë zv/kryeministër në qeverinë teknike të Bufit shfaqi kritika për këtë vendim të Berishës. Pashko u kthye më pas në armikun e Berishës dhe njëri prej “kokave” të prera në Konferencën famëkeqe të 13 gushtit 1992.
Linçimi dhe nxjerrja e tij jashtë PD mori hov në 23 qershor 1992 kur u vendos përjashtimi i tij nga grupi parlamentar demokrat. Edhe pse Eduard Selami ishte zgjedhur kryetar i PD në 14 prill 1992 në Konferencën Kombëtare të partisë me 411 vota pro nga 485 anëtarë,
Sali Berisha ushtronte de fakto nëpërmjet Selamit kontrollin mbi parti. Pashko deklaroi se largimi i Azem Hajdarit, drejtuesi i Lëvizjes Studentore në dhjetor 1990 që kontribuoi në shpalljen e pluralizmit politik dhe rrëzimin e diktaturës komuniste, ishte i ngjashëm me atë të shkrimtarit Ismail Kadare drejt Francës në 1990. Hajdari u largua nga drejtimi i PD në 11 shkurt 1991, kur Komisioni Nismëtar zgjodhi kryetar të PD, Aleksandër Meksin. Edhe pse PD kishte fituar disa prej bashkive më të mëdha në vend në 26 korrik 1992, mes tyre dhe Tiranën, një grup themeluesish të PD hartuan dhe publikuan mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Aleksandër Meksi.
Gramoz Pashko, Neritan Ceka, Arben Imami, Preç Zogaj, Arben Demeti, Shahin Kadare dhe Edmond Trako përgatitën dhe paraqitën në Këshillin Kombëtar të PD në 5 gusht 1992 një mocion kundër praktikave dhe vijës së ndjekur politike nga kryeministri Aleksandër Meksi. Ky mocion përkthehej ndryshe si sfidë e hapur ndaj presidenti Sali Berisha, i cili atë kohe ishte kthyer në njeriun më të pushtetshëm në Shqipëri.
Edhe pse nuk bënte pjesë te “mocionistët”, Azem Hajdari u sulmua verbalist në këtë datë si “misionar i Sigurimit të Shtetit” nga shumë anëtarë të Këshillit Kombëtar. Qëndrimet e tij ndaj qeverisë Meksi nuk u lanë pa u vënë re nga Selami dhe kupola drejtuese e selisë blu. 8 ditë më pas, opinioni publik shqiptar u bë dëshmitar i një shfaqjeje të tmerrshme politike që zgjati 7 orë para medias.
Shumë demokratë që e ndoqën atë Konferencë të Jashtëzakonshme, që në fakt u bë ADN-ja e PD e konsiderojnë këtë ngjarje të ngjashme me gjyqet popullore famëkeqe komuniste ku publiku duartrokiste dënimet me vdekje të armiqve të shtetit nga gjyqtarët e regjimit komunist. Pamjet kanë mbetur ende të qarta në kujtesën e shumë qytetarëve dhe simpatizantëve demokratë. Hajdari, Pashko, Zogaj, Imami, etj u konsideruan tradhtarë të partisë në shërbim të PS, bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit, pinjoll i udhëheqjes, komunist, etj.
Salla ku u mbajt konferenca u mbush me thirrjet dhe sharjet histerike të pjesëmarrësve kundër “mocionistëve armiq”. Në podium qëndronte i ulur, presidenti Berisha, Azem Hajdari, Aleksandër Meksi, Eduard Selami, Pjetër Arbnori (atë kohë kryetar i Parlamentit), Ali Spahia (atë kohë n/kryetar i PD dhe drejtues i grupit parlamentar demokrat) dhe Tomor Dosti. Edhe Azem Hajdari ishte ulur në podium, por ishte injoruar duke u lënë afër pjesës së sallës, ku vinin dhe sharjet e sulmet verbale ndaj grupi “armiqësor”. Vijon nesër…/Dario Velaj