Presidenti Ilir Meta rrezikon të jetë politikani kryesor që mund të përfundojë në kthetrat e SPAK. Deri në fund të vitit 2019 ai nuk ishte i vetmi emër që përflitej, pasi nën hetim ishin dhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PD, Lulzim Basha. Por këta të dy u amnistuan nga i njëjti gjyqtar, i cili pushoi hetimet për lobimet e PD në SHBA dhe për privatizimin e OSSH nga CEZ.
Edhe pse pati gati dy vite hetime, dosjet u hodhën në kosh dhe Basha e Berisha i shpëtuan kalimit te SPAK. Por ndryshe nga sa ndodhi me ta, ka një kallëzim që është në dorën e Prokurorisë së Posaçme. Bëhet fjalë për një padi nga juristi Romeo Kara, i cili ka kallëzuar presidentin për marrëveshjen mes CEZ dhe DIA për mbledhjen e detyrimeve të prapambetura.
Dosja ishte te Krimet e Rënda dhe është transferuar te SPAK. Mbetet të shihet se çfarë do të bëjë prokuroria me të, por sigurisht që rasti i DIA është një superskandal dhe këtë e vërteton fakti që ish-kreu i saj, Kastriot Ismailaj është dënuar nga gjykata. Gruaja e këtij të fundit ka akuzuar drejtpërdrejt presidentin Meta si të përfshirë, në kohën kur ka qenë ministër Ekonomie në qeverinë “Berisha”.
Kjo është një dosje mjaft e nxehtë dhe nëse hapet, rrezikohen shumë funksionarë të tjerë. Përveç kësaj, rreziku për pushtetarët dhe veçanërisht presidentin shtohet nga Byroja e Hetimit. Shkarkimi i tij nga detyra do të ndodhë pasi FBI-ja shqiptare të jetë konstituuar. BKH ka një rëndësi shumë të veçantë, pasi ndryshe nga SPAK, ku janë të njëjtët emra që deri dje ishin te Krimet e Rënda dhe nuk hetuan asnjë politikan, te Byroja do kenë rol amerikanët. Aty do të ketë një zyrë një ekspert i FBI, i cili do të asistojë në hetimin e korrupsionit në nivele të larta. Pra, për sa kohë dosja e CEZ-DIA është në SPAK, rreziku që të akuzuarit të hetohen është shumë i lartë.
Pasuria
Me ngritjen e BKH pritet që të nisë dhe një proces verifikimi pasuror për politikanët. Ka shumë deputetë, ministra e ish-ministra që kanë pasuri mjaft të madhe dhe sipas ligjit, SPAK mund të nisë kryesisht hetimet. Por mes emrave që kanë pasuri shumë të madhe është dhe presidenti. Nëse do jemi më të saktë, pasuria është në emër të bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhit. Kjo e fundit ka shitur me dhjetra apartamente, ndërsa fëmijët shkollohen në Angli. Po ashtu familja presidenciale ka deklaruar shtëpi në Tiranë dhe në Gjirin e Lalëzit. Vlera e kësaj të fundit nuk dihet sa është, por flitet miliona euro. Adriatik Llalla u fundos pikërisht nga kjo gjë. Prokuroria nis hetimet pas denoncimeve në media të jetës luksoze të fëmijëve të tij. Të gjitha rrethanat tregojnë se ndër politikanët kryesorë të rrezikuar është Meta.
Presidenti sytë nga rusët
Sa herë që politikanët shqiptarë rrezikohen, i kthejnë sytë nga Rusia. Nëse shihen qëndrimet e presidentit kohët e fundit, ai po e sulmon fort reformën në drejtësi dhe ndërkombëtarët, sidomos SHBA. Po ashtu ka treguar qartës se do linjë radikale dhe aspak atë të konsensusit. Por protesta e dhunshme dhe kaosi i shërbejnë vetëm Rusisë. Nëse shohim mediat ruse, Meta është i vetmi politikan për të cilin shkruajnë. Çdo postim që bën ai në rrjetet sociale gjen pasqyrim në mediat ruse. Pra do të thotë se shpresat e kreut të shtetit janë te Moska. Por duket se ambasadorja e re e SHBA ja u ka ngrirë buzëqeshjen Metës dhe pro rusëve të tjerë, pasi ka deklaruar prerë se reforma në drejtësi nuk ka kthim pas./SOT/ Kliti Topalli