Parlamenti Europian ka votuar në seancë plenare amendamentet e draft-rezolutës së Isabel Santos mbi progresin e vendit në rrugën e integrimit europian.
Në debatin e zhvilluar para votimit të draft-rezolutës për Shqipërinë në seancë plenare të Parlamentit Europian, raportuesja për Shqipërinë, Isabel Santos është shprehur: “Dua t’u jap shpresë shqiptarëve për vazhdimin e progresin në vend, në mënyrë që të ndërtohet një e ardhme më e mirë dhe të avancohet me drejtësinë sociale në vend.
Ne jemi të angazhuar për të dhënë mbështetjen tonë arritjen e këtij qëllimi”. Ndërsa eurodeputeti Michal Simecka tha se demokracia në Shqipëri ka nevojë akute për konsolidimi dhe stabilitet dhe vendi duhet të kapërcejë konfliktin konstant dhe përçarjeve që janë parë në vitet e fundit. “Zgjedhjet e ardhshme do jenë një test. Kushdo që do fitojë, nuk duhet të ketë asnjë dyshim që zgjedhjet të jenë të mira dhe të ndershme dhe organizimi i zgjedhjeve të bëhet në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Çdo gjë që nuk përputhet me këtë, do tê tregojë mosbesim te institucionet demokratike, do të zgjasë konfliktin politik dhe do të dëmtojë anëtarësimin e Shqipërisë”, tha ai. Raportuesi për Serbinë, Vladimir Bilçik ka përçuar mesazhin e raportuesit për Shqipërinë, David Lega: “Ne mbështesim hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë kur të përmbushen të gjitha kushtet e vendosura nga Këshilli i ministrave. Por amendamentet për luftën kundër korrupsionit dhe median janë themelore”.
Ndërkohë, që komisioneri për fqinjësinë dhe zgjerimin, Oliver Varhelyi i ishte referuar deri dje shpresës për hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit me dy vendet në qershor, në seancën plenare të Parlamentit Europian edhe ai edhe sekretarja e shtetit për çështjet europiane, Ana Paula Zacarias i janë referuar termit “sa më shpejt të jetë e mundur”. Gjë që përkthen pasigurinë në gjirin e shteteve anëtare që kjo të arrihet brenda fundit të qershorit.
“Ne konsiderojmë, se Shqipëria ka plotësuar kushtet e vendosura nga Këshilli vitin e shkuar për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe shpresojmë që konferencat të mbahen në qershor. Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë kanë filluar të funksionojnë. Procesi i vetingut po shënon progres të shpejtë. Ky është një proces i paprecedentë dhe ka mbështetjen tone totale. Lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave ka vazhduar. Organet e specializuara për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë ngritur”, tha ai.