Hyri në kujtesën e shqiptarëve për të mbetur përjetë. Një artist i përmasave hollivudiane. Një artist i një gjenialiteti të atillë që shënoi një plejadë të re në komedinë shqiptare. Lini me 3 shtator 1936, sot do festonte 88 vjetorin e lindjes.
Një njeri që fshikulloi mentalitetin maskilist të shqiptarëve me një film epope si “Kapedani” që ka hyrë në memorialin e kujtesës së shqiptarëve për të mos dalë kurrë nga moda.
I shtrenjti Albert. Edhe pse tashmë nuk ndodhet mes të gjallëve, ai gjithmonë do të jetë mes tyre. Sepse u fiksua në celluloid. Sepse mbeti në përjetësi…Sepse ishte i veçantë si ai. Një artist i kompletuar që nuk heshtte kurrë dhe që gjithnjë eksperimentonte.
Dhe Konica.al kohë më parë ndau një ekspoze të këtij artisti të madh bashkë me episode të jetës së këtij kolosi të kinematografisë sonë.
Për të gjithë artdashësit e tij, Vlora konsiderohet si qyteti emblemë i aktorit. Në fakt aktori nuk lindi në këtë qytet, por i dha gjeninë e tij artistike. Vlora ishte qyteti ku ai nisi rrugën si aktor.
Verria do të lindte në qytetin e Fierit më 3 shtator 1936. Shkollën fillore dhe të mesme do e bënte aty, duke u dashuruar që në fëmini të tij me artin. Zanafilla në fakt ishte amfiteatri në Apolloni dhe profesori i jashtëzakonshëm, Hasan Ceka. Ai gërmonte në qytetin antik dhe fëmijëve u tregonte për madhështinë e qytetit antik dhe për Eskilin, Sofokliun, Aristotelin dhe Euripidin.
Lindën kështu imazhet e madhështisë së teatrit. Dhe bashkë me to dhe krenaria shqiptare. Ato skena ishin qytezat e para ilire ku luajtën dhe shqiptarët.
Dhe do arrinte roli i parë i tij që quhej “Minçurini i vogël” ku do të interpretonte personazhin me emrin Shulkë.
Do të vazhdonte shkollën për zooteknikë dhe pas shkollës do e caktojnë të punojë për dy vjet në Kukës. Pas kthimit në Fier si pedagog, pati mundësinë të njihej me shumë kuadro që ishin shkolluar jashtë vendit dhe kishin një kulturë të mahnitshme artistike. Ato i flisnin me superlativa për teatrin dhe do i përçonin dashurinë për këtë art të mahnitshëm.
Në vitin 1959, do hapej shkolla për aktorë dhe ai do ishte ndër të parët që do e frekuentonin. Me përfundimin e shkollës do emërohet në Berat. Atje i bie fati të takojë një njeri shumë të veçantë, Viktor Stratobërdhan, drejtor i Kinostudios që asokohe ishte internuar në Berat. Takimi me të ishte një shkollë më vete.
Në vitin 1963 emërohet aktor në Teatrin e Vlorës. Në teatrin e Vlorës u angazhua në mbi 90 role, për të cilat është nderuar edhe me çmime.
Albert Vërria njihet si aktor karakteresh dhe në kinematografi realizoi mbi 40 role ku spikat ai i xha Sulos tek “Kapedani” i Nuri Beut tek “Koncert në vitin 36”, etj.
Në vitin 1979, Albert Vërrisë i është dhënë titulli “Artist i Popullit”.
Nuk ndante dot dashurinë mes teatrit dhe kinemasë. “Teatri të jep kënaqësi se je në kontakt me spektatorin. Ndien buzëqeshjen e tyre, frymëmarrjen, emocioni është i drejtpërdrejtë. Ndërsa kinematografia të jep popullaritet. Filmi transmetohet dhe ritransmetohet disa here”, kujtonte Albert Verria.
Nga viti 1963 dhe deri në 1991, kur doli në pension, Artisti i Popullit, Albert Verria ka luajtur në 110 role të ndryshme në teatër, variete, seriale të ndryshme televizive dhe në kinematografi, pa lënë mënjanë edhe rolin si regjisor në disa shfaqje të ndryshme. Rolet e Vehipit tek “Familja e peshkatarit” në 1963, të fajdexhiut tek drama “Rrënjët” e Kujtim Spahivoglit në 1969, Halil Shkoza tek “Fytyra e dytë” e Dritëro Agollit, etj, janë nisjet e para të roleve, që përvijuan Albert Verrinë si aktor i përmasave të mëdha, që shumë shpejt u pranuan dhe u afirmua nga publiku.
Por roli që e çimentoi në kujtesën e shqiptarëve do ishte ai xha Sulos. Ishte vetëm 32 vjeç kur do i besohej ky rol.
Filmi ka mbi dyzet vjet që është realizuar dhe ka shumë simpatizantë që dhe pse e dinë përmendësh e shohin filmin nga fillimi në fund”, shkruan Vërria në librin e tij me kujtime.
Xha Suloja ishte anakronik me kohën, por mban në vetvete një emblemë shqiptare. Edhe pse burri e respekton gruan në sipërfaqe në subkoshencë ai e quan gruan gjithmonë inferiore.
Shqipëria për fat të keq do mbetet gjithmonë historia e meshkujve kapedanë. Dhe pa dyshim Verria, i çimentuar si kapedani i kinematografisë shqiptare.