Marie Qyrsaqi (Gargjola) lindi në Shkodër më 9 mars 1950, aktore e mirënjohur e teatrit dhe kinematografisë. Rrjedh nga një familje që artin e ka në gen. Gjyshi i saj ishte tenor i mrekullueshëm, babai i binte me mjeshtëri mandolinës. Marie Qyrsaqi është mbesë e kompozitorit të shquar Pjetër Gaci, mbesë e aktorit dhe skenaristit Lazër Filipi.
Edhe pjestarët e tjerë të familjes kanë ndjekur rrugën e artit ku njëri vëlla që jeton në SHBA është piktor dhe skulptor, motra është violiniste në Orkestrën e Athinës dhe pedagoge në Universitetin Gjerman Muzikor po në Athinë, dy vëllezërit e tjerë, njëri i bie kitarës dhe tjetri është arkitekt.
Që nga koha kur nisi të punojë në Teatrin “Migjeni” më 1968 dhe deri vonë ajo ishte ndër aktoret kryesore të tij. Kështu ndodhi, në vitin 1968 që kur punonte në Fabrikën e Letrës. Ishte 17 vjeçe kur në një festival teatrosh amatore me dramën “Cuca e Maleve”, interpreton “Cucën” , duke fituar çmimin e parë. Çmim të parë fiton edhe me një rol tjetër. Pas kësaj me sa duket ajo tërheq vëmendjen e drejtuesve të teatrit duke e perfshirë si probisë, që do të thotë të jesh në provë për një vit.
Në fakt ka qenë periudhë e vështirë, sidomos nga ana e mentalitetit. Një vajzë e re, vetëm 17 vjeçe, të ishe aktore në një mentalitet fanatik nuk qe e lehtë. Nga ana tjetër edhe vështirësitë e punës. Megjithatë, ajo ja del mbanë.
Ishte një vajzë 25-vjeçare kur e përzgjodhën të luante filmin “Çifti i lumtur”. “Ka qenë një ndër eksperiencat e mia më të bukura luajtja e atij filmi. Tre muaj punë dhe ankth, përkushtim, dëshirë, e pse jo, edhe shqetësim. Ndërsa pas tre muajsh, kur kam parë veten në film, nuk doja ta besoja”, eshte shprehur ajo.
“Çifti i lumtur” ka qenë komedi në vitet ’70-të para se të jetë film, një komedi e Bik Pepës, me regjisurë të të mirënjohurit Serafin Fanko. Sapo ai e mori komedinë, caktoi edhe ndarjen e roleve, duke bërë krejtësisht një zgjedhje të tij.
Marie Qyrsaqi pati fatin e mirë të punonte edhe në komedi dhe më pas në film me një trupë të mrekullueshme aktorësh që ndihmonin njëri-tjetrin. Premiera ishte një mrekulli. Të gjitha biletat ishin shitur pa përjashtim. Dy orë para shfaqjes ishte mbushur i gjithë teatri. Pas shfaqjesh, vlerësimi ishte maksimal. Spektatori që është edhe vlerësuesi më i mirë i punës dha notën më të mirë.
Marien e përzgjedhin si protagoniste edhe në realizmin e filmit me të njëjtin titull me regji të Pirro Milkanit, që e cakton aktoren simpatike në mes dhjetra vajzash që pretendonin të luanin nusen në komedinë e të paharruarit, Bik Pepa. Gëzim i madh për Marien. Më pas erdhën xhirimet që zgjatën 3 muaj. Kjo ishte eksperienca e parë në një film, e vështirë, por edhe e bukur.
Edhe pse kanë kaluar shumë kohë nga ditët e hershme kur xhironte filmin “Çifti i lumtur”, ende e thërrasin me atë rol “vajza e Çiftit të Lumtur” ose “zonjushë Rina” tek “Këshilli i Ndrikullave”. Po aq për t’u mbajtur mend ishte edhe interpretimi i Rinës tek “Ndrikullat”. Ajo është një ndër pjesët më të bukura të historisë së teatrit shqiptar.
Komedia ishte pjesë e Sheri Mitës dhe u vu në skenë nga Serafin Fanko. Interpretimi brilant i Tanos dhe aktorëve të tjerë në këtë shfaqje ka lënë pa mend edhe vetë autorin, “Artistin e popullit” Sheri Mitën që shprehet: “Kjo nuk është ajo që kam shkruar unë”.
Që nga viti 1975 deri në ’90-tën pothuajse gati e “harrojnë”. Gjithsesi ajo vazhdon të ushtrojë aktoren. Madje në vitet ‘90 realizon një ndër rolet më të mira, në dramen “Franku V”, ku luan rolin e një vajze që jeta e detyron të shesë trupin e saj. Regjisor ka qenë Arben Kumbaro, një nga regjisorët më të talentuar. Ishte shkurt, në kohën kur në Tiranë bëhej greva e urisë së studentëve.
Disa nga rolet kinematografike dhe teatrale të Maries janë: “Çifti i lumtur”, “Këshilli i Ndrikullave”, “Franku i Pestë”, “Fytyra e Dytë”, “Shpartallimi”, “Binjakët”, “Vetëm për një L”, “Fjalëkryqi”, “Sa afër paske qenë”.