Zbardhet padia e plotë e juristit Romeo Kara në Prokurorinë e Posaçme mbi aferën e CEZ. Pasi Gjykata e Tiranës dhe prokuroria vendosën të pushojnë hetimet për këtë çështje, përveç apelimit, juristi Romeo Kara paditi gjyqtarin Lazer Sallaku dhe kërkoi hetim nga SPAK.
Gazeta “SOT” ka siguruar padinë e plotë të Romeo Kara, ku ajo që bie në sy është se i akuzuari i drejtpërdrejtë është ish-kryeministri Sali Berisha. Në padi, deklarohet se në vjeshtën e vitit 2006, sekseri Nuel Kalaja për një muaj rresht ka kontaktuar mbi 100 herë me kryeministrin e asaj kohe Sali Berisha, i cili pasi e dëgjoi propozimin e tij, ia delegoi këtë çështje ministrit të asaj kohe Genc Ruli. Sipas juristit Kara, pas këtyre telefonatave, Nuel Kalaja ka kërkuar me Genc Rulin në prani të ish-kryeministrit Sali Berisha, për të vërtetuar që nuk kishte nisur asnjë tentativë me kompaninë Enel Energjia. “Në vjeshtën e vitit 2006, sipas vetë Nuelit, ai për një muaj ka kontaktuar mbi 100 herë me kryeministrin e asaj kohe Sali Berisha, i cili pasi dëgjoi propozimin e tij, ia delegoi këtë çështje ministrit Ruli.
Në takimin e parë me ministrin Ruli, Nuel Kalaj i ka deklaruar atij se: “Nuk kam ardhur këtu të më shikoni nga këpucët, por të diskutojmë mundësinë e privatizimit të OSSH-së nga CEZ Group sipas rekomandimit të kryeministrit”. Me pas Nuel Kalaj ka kërkuar ballafaqim të tij me ministrin Ruli në prani të kryeministrit Berisha, kjo pasi ministri Ruli kishte filluar tratativat me kompaninë ENEL ENERGJIA”, thuhet në padi. Por pas konfirmimit nga ish-kryeministri Sali Berisha për privatizimin e OSSH-së nga CEZ-Group, Nuel Kalaj nënshkruan një kontratë, me CEZ-Group për “Success fee” në masën 3% të vlerës totale të shitjes.
Akuzat
Por një tjetër provë e zbardhur në padinë e juristit kundër Berishës është se për shkak të marrëdhënieve shumë të mira me ish-kryeministrin, Nuel Kalaj krijoi disa firma private shërbimi, ku ofronte shërbime të ndryshme për CEZ-Albania. Por këto marrëdhënie vijojnë të jenë edhe ditën e sotme, ku ish-kryeministri Berisha është mik i ngushtë me sekserin Nuel Kalaja. “Pas konfirmimit nga ish-kryeministri Sali Berisha për privatizimin e OSSH-së nga CEZ-Group, Nuel Kalaj nënshkruan një kontratë, me CEZ-Group për “Success fee” në masën 3% të vlerës totale të shitjes”, thuhet në padi. Duke iu referuar këtyre provave, juristi Romeo Kara ngre pyetjen se përse nuk janë verifikuar tablatet telefonike të ish-kryeministrit për të vërtetuar këto akuza. “Pyetja ime është: Përse prokuroria nuk ka verifikuar tabulatet e bisedimeve telefonike të ish-kryeministrit Berisha, për të verifikuar si të vërtetë këtë pretendim të ofruar nga ky informacion dhe a janë takuar realisht Berisha-Ruli-Kalaj ne një ballafaqim ndërmjet tyre në vitin 2006”, thuhet në padi.
Pyetjet që fundosin Berishën
Por përveç provave, në padi janë parashtruar edhe 100 pyetje që fundosin ish-kryeministrin Sali Berisha për aferën e CEZ. Juristi Romeo Kara shprehet në padi se SPAK duhet t’i kërkojë llogari ish-kryeministrit nëse ka pasur ndikim tek vendimi i ERE-s për ta ndryshuar nivelin e borxhit të keq dhe përse nuk është zbatuar nga qeveria Berisha, kërkesa ligjore e parashikuar nga vetë VKM-ja e nxjerrë prej saj Nr. 835 datë 11.06.2008 se, palët duhet të nënshkruanin marrëveshjen për blerjen e aksioneve, brenda 30 ditëve nga shpallja e fituesit. Një tjetër pyetje që i kërkohet përgjigje është nëse është i bindur Sali Berisha se legjislacioni i kohës në të cilën u krye privatizimi i OSSH ishte i mjaftueshëm për këtë qëllim dhe se a duhej që të ndiqej ndonjë procedurë tjetër privatizimi, siç mund të jetë ankandi. Në padi theksohet se një tjetër pyetje që fundos ish-kryeministrin ka të bëjë me buxhetin e shtetit, nëse Sali Berisha ishte në dijeni se me këtë privatizim po i shkaktonte buxhetit të shtetit një dëm prej 70 milionë dollarësh në vit. Një tjetër shkelje që është bërë nga qeveria e asaj kohe është mosrespektimi i afateve ligjore dhe për këtë gjë në padi është shtruar pyetja se cila ka qenë arsyeja që nuk është respektuar afati./ELISJEDA KIKO