Komisioneri Publik pritet që të ankimojë në KPA vendimin e KPK për Gerd Hoxhën, gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë.
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur ditën e sotme Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 3 qershor 2021 konfirmimin në detyrë të Gerd Hoxhës, duke konstatuar se nuk ka probleme në tre shtyllat e verifikimit si ana profesionale, aspekti i pastërtisë së figurës dhe pasurisë.
Por kjo nuk ka bindur vëzhguesit ndërkombëtar të ONM, të cilët kanë kërkuar sot ankimimin e vendimit përmes Komisionerit Publik.
ONM e lidhi kërkesën me dy vendime të Hoxhës në kohën kur ka qenë anëtar i KLD-së – votë pro lejes së pushimit për ish-gjyqtarin Gjin Gjoni dhe vendimit kundër kërkesës së ministrisë së Drejtësisë për shkarkimin e gjyqtarit Petrit Aliaj, – që sipas ONM-së “ka cenuar besimin e publikut te drejtësia”.
Një gjetje e tretë e ONM-së kishte të bënte me një dosje penale në ngarkim të një infermiereje dhe farmacistes të QSUT-së për abuzime me barnat për të sëmurët me kancer.
Gjithashtu, KPK vuri në dukje disa mungesa burimesh financiare sa i përket pasurive që gjyqtari kishte së bashku me ish-bashkëshorten Elbana Lluri, po ashtu gjyqtare.
Hoxha është diplomuar në Magjistraturë në vitin 2003 dhe prej 18 vitesh është gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Ai ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) dhe kryetar i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë.